Vazhdon peripecia për Jahmir Hykën, 24 orë i bllokuar në aeroport

301
Jahmir Hyka nuk ka arritur t’i bashkohej mbrëmë Kombëtares shqiptare të futbollit, sipas planit të udhëtimit që kishte nga Shtetet e Bashkuara. Futbollisti i përfaqësueses kuqezi ka udhëtuar nga Kalifornia e largët deri në Romë, por aty ka mbetur i bllokuar në aeroport duke kaluar natën në kryeqytetin italian.
Shkak është bërë një grevë e përgjithshme e punonjësve të kompanisë “Alitalia”, me të cilën futbollisti kishte planifikuar të udhëtonte drejt vendit tonë. Ai ka qëndruar për disa orë në aeroport, para se t’i saktësohej nga FSHF-ja se udhëtimi i ri i tij drejt Shqipërisë do të bëhej vetëm sot paradite, ndërsa është sistemuar në hotel për të kaluar natën.

Megjithatë, 29-vjeçari nuk ka mundur të udhëtojë as gjatë paradites së sotme, ndaj pritet t’i bashkohet ekipit gjatë mbrëmjes.
Ky është një shqetësim më shumë për trajnerin De Biazi, duke llogaritur këtu edhe kohën e pakët që ka në dispozicion për stërvitjet me kuqezinjtë para sfidës delikate ndaj Italisë.