KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit Vasjan Ballço, analizon ecurinë e garës, në veçanti Skënderbeun.
Agron KAJA

Vasjan Ballço është një nga mesfushorët e Skënderbeut, njëherësh edhe në disa skuadra të tjera në futbollin shqiptar. Sot si specialist futbolli, ai tregon për gazetën “Telegraf”, se skuadra e vendlindjes së tij është duke u orientuar drejt ngjitjes në Abissnet Superiore, edhe pse vështirësitë tashmë janë rritur. “Ndeshjat e luajtura në muajin janar kanë qënë të vështira për të gjitha skuadrat, sepse me atë pak pushim ato nuk kanë mundur që të kolaudohen si duhet. Këtu hyn edhe Skënderbeu kryesues, sepse në këtë ndeshje ka marrë 1 pikë, duke humbur pak terren në tabelën e renditjes me vëndin e dytë dhe të tretë. Dhe këtu mendoj se janë arsyet që i përmënda më sipër”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i futbollit Vasjan Ballço, i cili më pas u shpreh se Skënderbeu nuk duhet të gabojë si në barazimin e fundit me Luftëtarin. “Kur them se ka lëshuar terren, kam parasysh më shumë barazimin me Luftëtarin në javën e 10-të, i cili ishte një hap falls për Skënderbeun. Edhe pse ky barazim nuk ia prishi kryesimin në renditje, mendoj se duhet të jetë një paralajmërim për Skënderbeun si kryesues. Nuk duhet të gabojë në këto katër javë të fazës së dytë, sepse ndjekësit janë duke u afruar në pikë në tabelën e renditjes. Dhe duke qënë se deri në mbylljen e fazës së dytë luhen edhe katër ndeshje, “kërcënimi” i tyre mbetet evident. Të gjitha këto ndeshje do jenë të vështira dhe përcaktuese për renditjen e skuadrave, duke patur parasysh se formula e fazës së tretë mbështetet tek kjo renditje”. Ndërkohë që java e 19-të, si për Skënderbeun, por për të gjitha skuadrat e Kategorisë së Parë, ka në kalendar sfida shumë interesante dhe të vështira. Këtë fakt e përmënd edhe specialisti Ballço, madje duke u përqëndruar te kryendeshja Besa-Skënderbeu dhe te ecuria e Pogradecit dhe e Kastriotit. “Deri në mbylljen e fazës së dytë, të gjitha ndeshjet kanë koefiçient të lartë vështirësie, për të gjitha skuadrat. Duke u ndalur tek java e 19-të që do t’i luajë sfidat në këtë fundjavë, do veçoja Besa-Skënderbeu si një kryendeshje. Nëse i referohemi historisë mes këtyre skuadrave, do jetë një ndeshje historike. Por nëse do t’i referohemi renditjes dhe synimeve që këto skuadra kanë, them se do të jetë një nga takimet më të vështira, si për Besën, ashtu edhe për Skënderbeun. Kemi përpara katër javë vendimtare për renditjen”, kështu e mbylli dje bisedën specialisti i futbollit Vasjan Ballço.
LEGJIONARËT
Anis Mehmeti te Ipsuiç, tregon ambiciet që në prezantim
“Jam i uritur për fitore dhe gola”, kështu e ka nisur dje bisedën Anis Mehmeti, pasi është transferuar te skuadra e Ipsuiç Toun në Championship-in anglez. Pasi e ka kryer zyrtarisht transferimin te klubi i ri, sulmuesi shqiptar ka ndarë ndjesitë e para të tij te Ipsuiç Toun, ku edhe e identifikon skuadrën e re si të përshtatshme me ambicien e tij, ku qëllim kryesor është ngjitja në Premier Legë. “Jam shumë i emocionuar që kam nënshkruar për Ipsuiç. Çdo gjë që klubi po përpiqet të arrijë përputhet me ambiciet e mia dhe kjo flet vetë. Tifozët janë të mrekullueshëm dhe mezi pres të luaj para tyre të shënojë gola, të asistojë dhe të bëjë gjithçka që mundem për të ndihmuar ekipin”. Mehmeti ka nënshkruar për 3.5 vite, por paga nuk bëhet e ditur.

Marvin Çuni prezantohet te Bari, e lejon Rubin Kazan
Skuadra e Rubin Kazan në kampionatin rus të futbollit, dje e ka dhënë dritën jeshile për sulmuesin e Kombëtares sonë Marvin Çuni. Ai tashmë surprizon me ekipin e ri, ku do të prezantohet te Bari në Serie B të Italisë. Marrëveshja me klubin e Rubin Kazan është mbyllur për 24-vjeçarin, i cili ishte në huazim te një tjetër klub i Serisë B gjatë pjesës së parë të sezonit. Kështu, nga Sampdoria ndryshon ekip për të firmosur me ekipin e vendit të parafundit. Bari përforcohet me shpresën e mbijesës.
Ernest Muçi do blihet me pesë këste nga Trabzonspor

E ardhmja e sulmuesit Ernest Muçi mbetet një nga temat kryesore të merkatos në kampionatin turk. Aktualisht ai është i huazuar nga Beshiktashi te Trabzonspori, me një kontratë që përfshin opsionin e blerjes përfundimtare në mbyllje të këtij sezoni. Presidenti i Trabzonsporit, Ertugrul Dogan, ka konfirmuar gjatë kësaj jave se klubi ka marrë tashmë një ofertë nga një palë e tretë për shërbimet e lojtarit. Për të realizuar transferimin e mundshëm të Muçit, klubi po planifikon të aktivizojë klauzolën e blerjes përmes pagesës me pesë këste. Kësti i parë luhatet në vlerat mes 1.5 dhe 2 mln euro dhe pritet të shlyhet përpara përfundimit të muajit maj 2026. Edhe dëshira e vetë Muçit, është shkëputja zyrtare e tij nga Beshiktashi.
Kukësi lajm i ditës në merkato, pas drejtorit edhe trajneri i ri
Skuadra e Kukësit është duke e mbyllur me ngarkesë merkaton e janarait. Dje kuksianët kanë hapur merkaton, pasi shlyen detyrimin e prapambetur ndaj një ish-lojtari që u kishte sjellë bllokimin nga FIFA. Pas drejtorit sportiv, me shijakasin Fundim Dollaku, pritet që Kukësi të prezantojë trajnerin e ri, një post i mbetur vakant prej javësh. Ndërsa nga dje, Arbër Çyrbja është futbollisti më i ri te kjo skuadër, pasi mbylli aventurën me Teutën dhe doli lojtar i lirë.

KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java e 19-të
E shtunë, 24 janar 2026
AF Luftëtari-Kukësi 13:30
Besa-Skënderbeu 13:30
Burreli-Laçi 13:30
Kastrioti-Pogradeci 13:30
Korabi-Iliria 13:30
E dielë, 25 janar 2026
Apolonia-Lushnja 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 18 41
2.Laçi 18 36
3.Pogradeci 18 33
4.Kastrioti 18 27
5.Burreli 18 26
6.Besa 18 24
7.Apolonia 18 22
8.Iliria 18 22
9.Korabi 18 20
10.Lushnja 18 19
11.AF Luftëtari 18 12
12.Kukësi 18 9
Të dielën luhet “Derbi Myzeqesë”, ose “testi myzeqar”
Lushnja e nisi me këmbën e mbarë me Artan Banon në bankinë, ndërkohë që Apolonia në ndeshjen e parë të muajit janar ka pësuar humbje. Kjo situatë i përball mes tyre këto dy skuadra, ndeshja e tretë mes Lushnjës dhe Apolonisë në këtë sezon. Në fazën e parë fierakët fituan 1-0 në “Roza Haxhiu”, ndërsa në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, Apolonia fitoi në “Loni Papuçiu” me rezultatin 3-2. Të dielën luhet e “treta e vërteta”, ku takimi do të luhet në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Pritet një përballje e fortë, jo vetëm për rivalitetin historik mes dy ekipeve, por edhe për rëndësinë që ka për objektivat e tyre ky “test myzeqar”.




















