Trajneri Ilir Daja, “spiun” në “derbin” e Kroacisë

460
Në fundjavën e shkuar, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka ndjekur në stadium skuadrën e Dinamos të Zagrebit, të cilën e ka rivale në fazën “play off” të Evropa League. Për Supersport, dje trajneri i korçarëve ka deklaruar se i vlerëson maksimalisht kundërshtarët. “Duke qenë se në këtë periudhë luhej derbi i Kroacisë, Dinamo-Hajduk, në kohë rekord klubi dhe presidenti bënë të mundur që unë ta ndiqja ndeshjen direkt. Sepse në çdo moment e shikon fushën në çdo sektor. Është tjetër ta shohësh live dhe tjetër nëpërmjet televizorit. Nuk do të ndryshoj asgjë nga ato që kam thënë: janë një ekip shumë i fortë, me shumë kualitete, me lojtarë të rinj të rritur në shkollën e Dinamos, dhe me traditë në futboll. Nuk do të futemi në lojë të dorëzuar, sepse në futboll shanset ekzistojnë, pavarësisht se kundërshtarët janë favoritë. Ne do të bëjmë të pamundurën, që me suportin e tifozëve korçarë, por edhe të gjithë shqiptarëve, të jemi ne që të vazhdojmë më tej, pavarësisht se niveli i vështirësisë është në një shkallë shumë herë më të lartë se në herët e tjera”.