KATEGORIA E PARË/ Java e parë me surpriza, trajneri i Pogradecit Samuel Nikaj për “Telegraf”
Agron KAJA
Kategoria e Parë startoi ditën e shtunë me gjashtë ndeshjet e javës së parë. Natyrisht që vlerësohen shumë fitoret në transfertë të Besës në Tropojë me Valbonën 0-2, si dhe ajo e Burrelit me Flamurtarin në Vlorë 1-2. Por jo pa rëndësi ishin edhe fitoret e skuadrave vendase, ku Pogradeci fitoi 3-1 ndaj Kastriotit, Vora fitoi me Apoloninë 1-0, dhe me këtë rezultat u mbyll “derbi” i të rënëve nga Superiorja, Kukësi-Erzeni 1-0. Por në këtë javë të parë tërheq vëmendjen fitorja e Pogradecit debutues në Kategorinë e Parë, ndaj Kastriotit të Krujës, duke marrë edhe kryesimin pas javës së parë,. Për këtë sfidë dhe më gjërë, për gazetën “Telegraf” foli trajneri i liqenorëve Samuel Nikaj, i cili tregoi se e kishte menduar një nisje me fitore në këtë sezon të ri, pavarësisht se skuadra e drejtuar prej tij luante si debutuese. “Të jem i sinqertë me ju, ne e kishim parashikuar fitoren me Kastriotin. Kemi punuar mirë gjatë periudhës përgatitore dhe jam i kënaqur për grintën e luftën sportive që tregoi skuadra gjatë gjithë ndeshjes, edhe pse në pjesën e dytë luajtëm me 10 lojtarë, për kartonin e kuq, që erdhi nga një papjekuri e futbollistit tonë Jorgo Qeleshi. Gjithsesi, duke luajtur me mendimin se edhe kartonët e kuq janë pjesë e lojës, për ne më shumë vlerë kishin tri pikët, dhe kjo më bën më shumë të kënaqur nga kjo ndeshje”, kështu tregoi tekniku Samuel Nikaj në bisedën e tij me gazetën “Telegraf”, i cili në vazhdimësi falenderon tifozerinë për mbështetjen që i dhanë skuadrës në këtë sfidë, e njëherësh tregon edhe synimin e ndeshjes me Lushnjën në javën e dytë të Kampionatit. “Në këtë ndeshje me Kastriotin, në stadiumin tonë kishte shumë tifozë, dhe unë i falenderoj, sepse na ndihmuan shumë në këtë fitore që u karakterizua nga lufta sportive. Natyrisht që skuadra ka nevojë që ata të jenë të tillë në çdo ndeshje këtu në Pogradec, por mos na harrojnë edhe kur të luajmë ndeshje në transfertë. Ajo ndeshje u mbyll e tashmë ne kemi nisur përgatitjet për sfidën e javës së dytë që luajmë në Lushnje. Është një kundërshtar me traditë që e vlerësojmë maksimalisht, që ka edhe me një trajner me shumë eksperiencë. Por ne do shkojmë për tre pikë në Lushnje”, kështu e mbylli bisedën e tij trajneri Samuel Nikaj i Pogradecit, i cili e ka lënë pushim ekipin vetëm një ditë, pasi fokusi i përgatitjeve në këtë javë mbetet te sfida e Lushnjës ditën e premte, për të cilën ai tregoi se do ta përgatisë skuadrën për suksesin e radhës.
Në ndeshjen me Kastriotin, në stadiumin tonë kishte shumë tifozë, dhe unë i falenderoj, sepse na ndihmuan në fitoren, e cila u karakterizua nga lufta sportive. Skuadra ka nevojë që ata të jenë të tillë në çdo ndeshje, si këtu në Pogradec, ashtu edhe në ndeshjet e transfertës që do jenë më të vështira
TË FUNDIT NGA KOMBËTARJA
Ja pse Silvinjo harron Uzunin: Kemi sulmuesa të tjerë

Duket se pushimet për trajnerin Silvinjo kanë përfunduar dhe ai së bashku me ndihmësin Doriva kanë disa ditë që janë kthyer në Tiranë. Dhe në një deklaratë të tij mediatike në fundjavë, braziliani tregoi për kontratën e tij dhe për Nations Ligë, por tërhoqi më shumë vëmendjen qëndrimi që ai ka për Myrto Uzunin. “Sa i përket Uzunit, ai me ne ka luajtur si lojtar krahu në sulm, ndërkohë që te klubi i tij luan si qendërsulmues, apo si sulmues i dytë. Ai ka bërë një sakrificë me ne, ka luajtur ka dhënë maksimumin, por ai është një sulmues dhe atje, në klubin e tij luan si sulmues. Pasi e diskutuam, menduam që thjesht ai është një sulmues dhe në pozicionin ku ne e përdornim duhet të provonim një lojtar tjetër. Ky është vetëm një emër, një pozicion, por mund të flasim për të 35 apo 40 lojtarët që kemi”. Natyrshëm që Uzuni mbetet jashtë Kombëtares edhe për Nations Ligë.
Babai i Dakut e mbyll merkaton: Flasim në janar

Nuk është e thënë që të flasin vetëm menaxherët në transfertat që kryhen për futbollistët gjatë merkatos. Sepse për Mirlind Dakun kishte menduar babai i tij Fehmiu, i cili për “Sport24” në Rusi ka deklaruar se gjithçka rreth djalit të tij në këtë merkato vere, është mbyllur vetëm me disa interesime. “Jemi në valën e merkatos, por për djalin tim (Mirlind Daku) deri tani nuk ka asnjë ofertë konkrete, më shumë kanë qënë disa interesime nga skuadra të ndryshme në Europë. Ndaj them se për të është mbyllur kjo merkato dhe Mirlindi do të qëndrojë te Rubini. Si prind, unë dëshiroj që ai të vazhdojë në këtë lloj forme me ekipin e tij dhe besoj se ofertat në muajin janar 2025 do të jenë më tërheqëse për të”. Sulmuesi Mirlind Daku po tregon formë të mirë te Rubin Kazan, ku në katër ndeshje radhazi ka shënuar 4 gola. Për të ka pasur interesim edhe nga Kaliari në Serie A.
Java e parë në fokusin e specialistit

Duke e parë ndeshjen e javës së parë në Kategorinë e Parë si një start që flet për diferencat e skuadrave, Prof.Dr. Met Spahiu shprehet për “Telegraf” se më tej do shohim më shumë në këtë kategori. “Nisja me 11 gola nuk është shumë tërheqëse, por duke qënë se nga 6 ndeshje, 4 u fituan nga skuadrat vëndase, unë mendoj se do kemi një kampionat të fortë. Sepse që në fillim u shprehën diferencat e skuadrave, ku Besa dhe Burreli treguan më shumë. Duke ju referuar kalendarit të javës së dytë, përsëri këto skuadra do jenë protagonist, ndërsa do ketë një tjetër ndeshje të vështirë. Në të gjitha sfidat e tjera mund të presim disa surpriza”.
KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java 2
Datë 31 gusht 2024
Apolonia-Kastrioti 17:00
Besa-Korabi 17:00
Burreli-Valbona 17:00
Erzeni-Flamurtari 17:00
Lushnja-Pogradeci 17:00
Vora-Kukësi 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Pogradeci 1 3
2.Besa 1 3
3.Burreli 1 3
4.Kukësi 1 3
5.Vora 1 3
6.Korabi 1 1
7.Lushnja 1 1
8.Flamurtari 1 0
9.Apolonia 1 0
10.Erzeni 1 0
11.Kastrioti 1 0
12.Valbona 1 0




















