Xhemal Mustedanagiç: “Kuzheja e donte shumë Shqipërinë!”

495
Sigal

Ekskluzive për “Telegraf”, ndihmësi i Josip Kuzhesë, trajneri i Kombëtares U-17

Trajneri boshnjak i Kombëtares U-17, Xhemal Mustedanagiç, ish-ndihmësi i Josip Kuzhesë, në kohën kur kroati drejtonte Shqipërinë nga maji i vitit 2009 deri në tetor të vitit 2011, ishte tepër i pikëlluar për humbjen e papritur dhe të parakohëshme të mikut të tij, për shkak të një sëmundje të pashërueshme. “Më vjen shumë keq, pasi kam humbur një prej miqve të mi të mirë. Fola me të para pesë-gjashtë ditësh dhe më foli me shumë optimizëm, më tha se ndihej më mirë, por nuk ia doli dot. Gjithsesi, duhet ta dini si Kuzheja ishte një mik i madh i Shqipërisë. Ju donte shumë”, – tha boshnjaku Mustedanagiç gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf”. Kroati Kuzhe dhe boshnjaku “Xhemo” kishin një miqësi 40-vjeçare, nga viti 1973, kur të dy ishin pjesë e Dinamos së Zagrebit dhe Mustedanagiçi mbërriti në Shqipëri, pikërisht me propozimin e Josipit, si një njeri i besuar i tij. Në kohën kur Josip Kuzhe u shtrua në spital, për shkak të hemorragjisë cerebrale, Xhemali drejtoi ekipin Kombëtare në ndeshjet kundër Bosnjë-Hercegovinës (atdheut të tij, 8 tetor 2009) në barazimin 1-1 dhe humbjen 2-0 me Bjellorusinë (12 tetor 2009), ndeshje këto për eliminatoret e Euro 2012. Aktualisht, Mustedanagiç po drejton Shqipërinë U-16 në turneun miqësore ndërkombëtar të Durrësit, ku marrin pjesë edhe San Marino, Lihtenshtejni, Luksemburgu dhe Gjibraltari.  Me “Xhemon” në bankinë, Shqipëria U-17 arriti të kualifikohej për herë të tretë në “Elite Round” të Kampionatit Europian, pas atyre në vitet 1994 dhe 2003, midis 28 ekipeve më të mira të Europës, duke bërë një paraqitje shumë të mirë. Në ndeshjet në grup, në fazën eliminatore, Mustedanagiçi arriti këto rezultate. Shqipëri-Sllovaki 2-1, Gjermani-Shqipëri 1-0 dhe Estoni-Shqipëri 1-1. Vendi i dytë në grup dhe automatikisht në Elite Round. Në shortin e hedhur, më 29 nëntor 2012, Shqipëria ra në një grup me Holandën, Serbinë dhe Irlandën. Kombëtarja jonë humbi 4-0 me Holandën, 3-0 me Serbinë dhe fitoi 2-1 me Irlandën.

– Zoti Mustedanagiç, ditën e diel u nda jeta në mënyrë të papritur, trajneri Josip Kuzhe. Si e pritët lajmin?

– Ishte lajmi ndoshta më i hidhur që kam marrë. Mbeta i shokuar. Nuk mundja ta besoje. Ai ishte dhe do të mbetet një nga miqtë e mi më të mirë. Ne kemi qenë së bashku te Dinamo e Zagrebit, në vitin 1973 dhe që prej asaj kohe, për gati 40 vjet më radhë ne kemi ruajtur një miqësi të madhe.

– Ju keni qenë ndihmësi i tij më i afërt, në kohën kur Kuzheja drejtoi ekipin Kombëtar, nga maji i vitit 2009 deri në tetor të vitit 2011. Si mund të na e përshkruanit Josipin?

– Ai ishte një mik i mirë, por para së gjithash një njeri i madh. Ai gjente kohë për këdo që, e kërkonte dhe kurrë nuk refuzoi askënd, nuk kishte rëndësi ishte zyrtar, sportist, gazetar, tifoz, apo cilido qoftë. Respektonte këdo.

– Ju keni punuar një kohë shumë të gjatë me të, madje në Shqipëri ai ishte një trajner shumë i respektuar dhe i vlerësuar. Cili ishte sekreti i suksesit të tij?

– Kuzheja ishte një njeri shumë i ditur, një njeri që punonte dhe lexonte shumë, qysh nga rinia e tij. Ai kishte mbaruar për jurist, por ishte një njeri që e donte shumë futbollin. Ai kishte cilësi si të mëdha si trajner. Një trajner që synonte të jepte maksimumin kudo që punonte. Ishte i papërtuar dhe tepër kërkues.

– Shqipëria dhe tifozeria e saj e donte shumë Kuzhen, madje duke ia përsëritur shpesh: ‘ti je një nga ne”…

– Mund të them me kënaqësi se, të gjithë e kanë dashur Kuzhenë, gjithashtu te Dinamoja e Zagrebit e donin shumë, në Japoni gjithashtu, por Shqipëria ishte tepër e veçantë për Josipin dhe këtë ai e përmendte shpesh. Kuzhe u largua me kujtime shumë të mira nga Shqipëria. Atij i pëlqente shumë të punonte në Shqipëri. Edhe kur shkoi më pas në Kinë për të drejtuar një ekip (Tinjanin Teda), në bisedat që bënim ma përmendte shpesh. Ishte një mik i madh i Shqipërisë.

– Kur keni folur për herë të fundit me Kuzhenë?

– Kam folur me të pesë-gjashtë ditë para se ai të vdiste. Si gjithmonë, me foli me shumë optimizëm dhe bëmë batutat e zakonshme. “Xhemo” unë jam shumë mirë, shpresoj të shihemi shumë shpejt në Zagreb. Por, tani…

SI ERDHI DHE IKU KUZHEJA

Kroati Josip Kuzhe mori drejtimin e skuadrës në maj të vitit 2009, duke pasuar në bankinë holandezin Arin Han. Kuzheja zhvilloi në stolin e Shqipërisë, 24 ndeshje, duke koleksionuar 8 fitore, 7 barazime dhe 9 humbje. Ndeshja me Rumaninë ishte e fundit e tij, i mbyllur në barazim 1-1. Njihej si mjeshtri i miqësoreve (11 ndeshje, 6 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje), por në 11 takimet zyrtare arriti vetëm 2 fitore (me Luksemburgun dhe Bjellorusinë), si dhe 4 barazime dhe 6 humbje. Fitorja 6-1 në miqësoren me Qipron, e futi përjetësisht në histori (të paktën deri tani), si trajnerin që ka regjistruar fitoren më të thellë me Kombëtaren. Kuzhe drejtoi 3 ndeshjen në eliminatoret e Botërorit 2012 dhe 12 ndeshje në ato të Euro 2012. Periudha zyrtare e kontratës: 20 maj 2009-31 dhjetor 2011. Kontrata: 360 mijë euro.

BARIÇ: “TRAJNER INTELIGJENT”

Vdekja e Josip Kuzhes e tronditi shumë. I preferuari i tij, ish-trajneri i Dinamos së Zagrebit, e humbi betejën me leuçeminë dhe vdiq të dielën në moshën 61-vjeçare. Ndarja e tij nga jeta është veçanërisht tronditëse për trajnerin legjendar kroat, Oto Bariç. Ish-trajneri i ekipit kombëtar kroat, por edhe atij shqiptar, që bëri “shkesin” e Kuzhes për në stolin kuqezi, e kujtoi kështu mikun e tij të mirë: “Së pari, Kuzhe ishte njëri prej trajnerëve më inteligjent. Ishte njëri prej trajnerëve më të mirë. Përveç kësaj, ai përfundoi kolegjin për drejtësi, fliste disa gjuhë. Shumë vetë ndoshta nuk e dinë këtë informacion, por Kuzhe mbaroi shkollën e drejtësisë dhe fliste katër gjuhë. Kisha marrëdhënie me të vërtetë të mira me të, ishim në kontakt të përhershëm kur drejtoi Shqipërinë, – tha Bariç për mediat kroate, i cili loboi te Federata Shqiptare e Futbollit që Kuzhe të përzgjidhej mes 35 kandidatëve për trajner të kuqezinjve. – Unë jam i trishtuar për vdekjen e tij. Ishte në kulmin e tij profesional dhe mund të ndihmonte edhe një klub të madh, si Dinamo. Më vjen keq që e kemi humbur atë.”