Tirana, nën akuzë për trukim

565
Sigal

Bardheblutë humbën 5-0 ndeshjen e kthimit me norvegjezët e Alesundit në Ligën e Europës. Çështja shkon në UEFA

Tirana pritet t’i nënshtrohet një hetimi nga UEFA për manipulim të rezultatit të ndeshjes. Bëhet fjalë për humbjen befasuese 5-0 të bardhebluve ndaj norvegjezëve të Alesundit, në ndeshjen e dytë të turit të dytë të Ligës së Europës. Në fakt, pas barazimit 1-1 në takimin e parë të luajtur në “Qemal Stafa”, askush nuk e besonte së rekordmenët e Shqipërisë do të humnin me atë rezultat të thellë, një rekord negativ i paraqitjeve të 24 herë kampionëve në 70 ndeshjet e tyre ndërkombëtare për kompeticionet e UEFA-s. Të gjithë u ndjenë të zhgënjyer në Shqipëri, madje pati zëra se takimi mund të ishte toleruar nga fituesit e Kupës së Shqipërisë, pasi mënyra sesi u pësuan katër golat në pjesën e dytë ishin shumë qesharake, me një skuadër të shthurur tërësisht.

AKUZAT
Është klubi norvegjez i Alesundit ai që e denoncoi në UEFA, mundësinë e manipulimit të ndeshjes nga ana e ekipit të Tiranës. Lajmi u raportua nga mediat ndërkombëtare. Në fakt, përfaqësuesit e Alesundit ishin ankuar edhe për gjeste raciste nga ana tifozëve të Tiranës, ndaj lojtari me ngjyrë të tyre, Stjuart. Kësaj radhe, norvegjezët dyshuan për fitoren e lehtë të tyre ndaj një klubi shqiptar me shumë traditë ndërkombëtare, për me tepër të drejtuar nga një trajner spanjoll, që i vuri në vështirësi në ndeshjen e parë. Çështja u trajtua nga Federata Norvegjeze e Futbollit dhe kjo e fundit, duke parë sesi rrodhën gjërat gjatë ndeshjes, dyshoi seriozisht për manipulimin e takimit, të përfunduar 5-0. Federata skandinave i bëri një letër zyrtare UEFA-s, në të cilën i kërkon të nisë hetime të mëtejshme ndaj Tiranës, pasi e konsideron rezultatin të manipuluar nga miqtë shqiptarë. Alesund-Tirana u luajt më 26 korrik, dhe për rezultatin e ndeshjes u vendosën shumë baste për rezultatin në kokë.

PRECEDENTËT
Kjo nuk është hera e parë, që Tirana dyshohet për fiksim të rezultatit të ndeshjeve. Vetë organizmi i lartë europian i futbollit, UEFA, e ka pasur në listën e hetimeve për rezultatin e ndeshjes Stabaek-Tirana 4-0 (2009). Por, më pas hetimet ngecën dhe nuk doli ndonjë konkluzion zyrtar. Historia e humbjeve të ekipeve shqiptare në Europë është e hidhur: Modhëruell-Flamurtari 8-1, Dniper Mogilev-Laçi 7-1 Trabonzpor-Vllaznia 6-0, Olimpiakos-Besa 6-1, Metalurg R.-Teuta 6-1, Jablonec-Flamurtari 5-1, për të mos i përmendur të zakonshmet 4-0, 3-0,etj. Ndërsa zyrtarët e futbollit tonë pretendojmë rritjen e cilësisë, ballafaqimi ndërkombëtar na lë zbuluar dhe na i heq ato meritat e “europianizimit” të topkëmbës. Në fakt, futbolli shqiptar ka qenë pre e dyshimeve të vetë UEFA-s.

HETIMET
Para disa muajsh, Prokuroria e Bokumit publikoi për mediat edhe mënyrën sesi ishte trukuar ndeshja Rapidi i Vjenës-Vllaznia (5-0), madje duke përmendur emrin e ish-portierit të Vllaznisë, Olti Bishani, se kishte rënë pre e mafias së futbollit, që i kishte premtuar atij, 10 mijë dollarë, në qoftë se ai do të pësonte në pjesën e dytë më shumë se tre gola. Në fakt, Olti Bishani, portieri që mbrojti portën e Vllaznisë në humbjen 5-0 kundër Rapidit të Vjenës më 16 korrik të 2009, e hodhi poshtë çdo hipotezë të mundshme që mund ta përfshijë atë në afera të pista, duke deklaruar për mediat shqiptare se nuk kishte asgjë të vërtetë.

MEGA-HUMBJET
Në sezonin 2009-2010, Flamurtari pasi fituan 1-0 me Modhëruellin në Vlorë, humbën 8-1 në Skoci. Ky është dhe rezultati më negativ i një ekipi shqiptar në Europë. Në fakt, po të shohësh serinë e rezultateve të ekipeve tona në transfertë, në tre vitet e fundit, shifrat janë të frikshme. Rapidi i Vjenës-Vllaznia 5-0 (Liga e Europës, 2009-2010), Modhëruell-Flamurtari 8-1 (Liga e Europës, 2009-2010),, Dniper Mogilive-Laçi 7-1 (Liga e Europës, 2010-2011), Olimpiakos-Besa 6-1 (Liga e Europës, 2010-2011), Jablonec-Flamurtari 5-1 (Liga e Europës, 2011-2012) dhe Metalurg R.-Teuta 6-1 (Liga e Europës, 2012-2013). Ndeshje të humbura me rezultat të thellë dhe me justifikime absurde nga drejtuesit

DYSHIMET
Në nëntor të vitit 2009, UEFA, përmes një publikimi në faqen e saj zyrtare, bëri të ditur se, Tirana dhe Vllaznia, ishin zyrtarisht në hetim për “trukim të ndeshjeve të tyre në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës”. Në edicionin 2009-2010, Tirana luajti kundër norvegjezëve të Stabaekut (Tirana humbi 4-0 në Norvegji), ndërsa Vllaznia luajti kundër Rapidit të Vjenës (shkodranët humbën 5-0 në Austri). Si ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ashtu dhe ish-presidenti i Tiranës, Refik Halili, i hodhën poshtë akuzat e ngritura nga UEFA.

RAPORTET
Dy organizmat më të larta futbollistike në Botë dhe në Europë, FIFA dhe UEFA, muajt e fundit vazhdimisht i kanë dërguar raporte drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit, ku shprehen dyshime haptazi për rezultatet e disa ndeshjeve në Kategorisë Superiore, të bazuara mbi të dhënat e grumbulluara nga Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, një organizëm që bashkëpunon ngushtë me UEFA-n. Në periudhën dhjetor 2011-mars 2012, UEFA ka dërguar të paktën tri raporte ku janë të përfshira të paktën 26 ndeshje me rezultate të fiksuara, 18 prej tyre 100 për qind të sigurta si të tilla. Në muajin maj, në Shqipëri mbërriti zyrtari i Departamentit për Luftën Kundër Trukimit të Rezultateve në UEFA, Piere Kornu, i cili përveç takimeve rutinë në FSHF bëri dhe një vizitë pune në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ndeshjet ndërkombëtare të dyshuara

2003-2004: Vllaznia-Dandi 0-2
2004-2005: Partizani-H.B.Sakhnin 0-3, 1-3
2004-2005: Dinamo-Otelul Galati 0-4
2005-2006: Ekranas-Elbasani 3-0
2007-2008: Bezhanija-Besa 2-2
2007-2008: Besa-Liteks Loveç 0-3
2007-2008: Slaven Belupo-Teuta 6-2
2009-2010: Vllaznia-Rapid 0-3, 0-5
2009-2010: Stabaek-Tirana 4-0
2012-2013: Alesund-Tirana 5-0

Në Lacion e re komandon Lorik Cana

Lorik Cana është shndërruar në lojtarin më të rëndësishëm të Lacios. Trajneri Vladimir Petkoviç ka zgjedhur mesfushorin shqiptar si të besuarin e tij dhe njeriun që do të lidhë të gjitha repartet. Kapiteni i Shqipërisë konsiderohet si aksi i skuadrës.

Mirel Josa, pranë Skënderbeut

Mirel Josa pritet të firmosë sot me presidentin e Skënderbeutm Artan Take, për të marrë drejtimin e skuadrës korçare, pas refuzimit të çekut Stanislav Levi. Skënderbeu ka fituar titullin kampion në dy sezonet e fundit dhe për Josën është një sfidë më shumë.