Tirana, në luftë me krizën

553
Sigal

Bardheblutë do të përballen me Kastriotin, me synimin për të marë tri pikët pas tri humbjeve rresht

Java 6-të e Kategorisë Superiore vjen me disa takime interesante. Teuta kryesues do të luajë në transfertën e Lushnjës, edhe pse në këto javë të para nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje në shtëpi. Djemtë e detit kanë treguar të njëjtin ritëm, dhe kjo javë paraqet mundësinë për t’u shkëputur disi në krye, për faktin e përballjes direkte në Shkodër. Por në shtëpi, Lushnja mbetet një kundërshtar i vështirë, edhe pse u ndal në barazim me Vllazninë në 90 minutëshin e fundit përpara publikut të vet. Një tjetër supersfidë luhet në Kamëz, ku Kukësi me statusin e skuadrës vendase pret Partizanin. Një sfidë që mund të konsiderohet derbi duke parë faktin që nënkmapionët jo vetëm stërviten në Tiranë por kanë tifozë të shumtë edhe në periferi të kryeqytetit, aty ku do të luhet sfida. Tirana shpreson në rikthimin tek fitorja, në sfidën shtëpiake ndaj Kastriotit. Bardheblutë do të luajnë në “Selman Stërmasi” aty ku terreni mund të rezultojë një kundërshtar më vete. Bardheblutë do të përballen me Kastriotin, me synimin për të marrë tri pikët pas tri humbjeve rresht

Pas humbjes në Shkodër, Laçi ka mundësinë të rikthehet tek fitorja në përballje më Besën, që duket e dorëzuar në garën për mbijetesë. Të enjten do të luhet supersfida e “Loro Boriçit”, ku Vllaznia pret Skënderbeun. Ky 90 minutësh shihet si dhe testi real i kuqebluve për të kuptuar se cila është forca e tyre dhe objektivi që do të kenë në kampionat. Tek kampionët mungesa e sigurtë është Ademir, dëmtimi i të cilit i hapi rrugën Pejiç për t’u aktivizuar ndaj Lushnjes, aty ku dhe shënoi golin e parë. Në “Loro Boriçi” sulmuesi serb shënoi tre gola sezonin e kaluar, dhe shpreson të përsërisë vetveten. Trajneri i kuqebluve, Agim Canaj, u shfaq mjaft i kujdesshëm për të shmangur euforinë në kampin shkodran, duke kujtuar se Skënderbeu është një skuadër e konsoliduar, ndërsa Vllaznia edhe pse po kalon një moment pozitiv, është formuar me emergjencë dhe kërkon ende kohë për të dhënë një mendim sa më të saktë për forcën e saj. Trajneri Canaj kërkon maksimumin nga skuadra e tij në përballjen me kampionët. Aktualisht Vllaznia renditet në vendin e dytë në kuotën e 10 pikëve, vetëm një pikë më pak se Teuta kryesuese. Interesi shtohet edhe më shumë pasi rikthehet Mirel Josa, që në Shkodër ka lënë gjurmë dhe shumë adhurues. Kuqeblutë janë të plotë përpara kësaj sfide, teksa trajneri Canaj ka theksuar disa herë se për titullin pretendentët kryesorë janë Skënderbeu dhe Kukësi.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA VI

Sot, 14:00

Laçi-Besa

Flamurtari-Bylis (në Peqin)

Kukësi-Partizani (në Kamës)

Tirana-Kastrioti

Lushnja-Teuta

Nesër, 14:00

Vllaznia-Skënderbeu

RENDITJA

V    Ekipi      N    P

1    Teuta      5    11

2    Vllaznia   5    10

3    Skënderbeu 5    9

4    Partizani  5    8

5    Bylis      5    7

6    Kukësi     5    7

7    Lushnja    5    7

8    Laçi       5    7

9    Kastrioti  5    6

10   Flamurtari 5    4

11   Tirana     5    4

12   Besa       5    1

Tahiri-Duka: “Tolerancë zero ndaj dhunës në stadiume”

 Fenomeni i dhunës në futbollin shqiptar alarmon edhe krerët më të lartë të shtetit. Ngjarja e Mamurrasit shërbeu si pika që mbushi “kupën”, pasi pak ditë pas furtunës në policinë e qytezës veriore për shkak të mosmarrjes së masave, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri takon presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me të cilin diskutoi këtë problematikë dhe premtoi marrjen e masave të menjëhershme për të frenuar dhunën në stadiumet shqiptare. Ministri e garantoi kreun e institucionit më të lartë të futbollit shqiptar se policia do të garantojë mbarëvajtjen e të gjitha ndeshjeve të kampionatit. Një plan konkret mesash i koordinuar mes dy institucioneve do të vihet në punë për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjeve. Pjesë e stafit përgjegjës për sigurinë në fushat e blerta do të jenë efektivët e policisë dhe të deleguarit e federatës së futbollit.

Një tjetër pikë e diskutuar nga dy zyrtarët është edhe përzgjedhja e fushave ku është e mundur që të garantohet ruajtja fizike e lojtarëve, arbitrave, zyrtarëve por edhe e tifozëve të pranishëm në stadiume. Takimi mes Tahirit dhe Dukës vjen vetëm pak ditë pas dhunës së ushtruar ndaj arbitrit Zhuli në ndeshjen Mamurrasi-Albpetrol. Ministria e Brendshme reagoi menjëherë ndaj këtij akti duke pushuar nga detyra të gjithë efektivët e policisë të pranishëm në stadium, ndërsa presidenti i Mamurrasit, Dedë Ndreca, u shpall në kërkim nga efektivat blu.

 Bajerni kushton rreth 483.7 milionë euro, ndërsa ajo e Mançester Siti 472.8 milionë euro

 Në Mançester zbresin në fushë miliardat!

 Kampionët e Europës rikthehen në Angli, aty ku më 25 maj triumfuan kundër Borusia Dortmund dhe fituan trofeun e pestë të Ligës së Kampioneve në histori. Përballë do të kenë Mançester Siti që këtë herë e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë kompeticion. Mançester Siti dhe Bajerni do të përballen në raundin e dytë të Ligës së Kampioneve në sfidat e grupit D. Bayern Munchen është përforcuar me Mario Gëtce, Tiago Alkantara dhe Jan Kirhof që kanë kushtuar rreth 70 milionë euro, si dhe ka afruar gjithashtu trajnerin Pep Guardiola. Mançester Siti këtë verë gjithashtu ka bërë një merkato të madhe ku ka shpenzuar shumë. Është afruar trajneri Manuel Pellegrini nga skuadra e Malaga dhe drejtuesit i vunë në dispozicion shuma të mëdha për të shpenzuar për lojtarë të rinj. Në Mançester janë transferuar Stevan Jovetic, Fernandinho, Alvaro Negredo, Jesus Navas dhe Martin Demikelis. Të gjithë këta futbollistë kanë kushtuar rreth 120 milionë euro. Me të drejtë ky takim do të quhet dhe përballja e miliardave. Sipas ‘transfermarkt.de’ skuadra e Bayern kushton rreth 483.7 milionë euro ndërsa ajo e Mançester Siti 472.8 milionë euro. Në total vlera e ty dyja skuadrave shkon përafërsisht 1 miliardë euro. Por kjo përballje ka dhe disa duele të tjera interesante. Pelegrini kundër Guardiola. Të dy trajnerët bëjnë që skuadrat e tyre të luajnë në mënyrë ofensive dhe me pasime të shpejta. Me skuadrën e Villarreal trajneri kilian arriti të shkojë deri në gjysmëfinale të këtij kompeticioni në vitin 2006 dhe sezonin e kaluar u eliminua me një gol në minutat shtesë në përballjen kundër Dortmund në çerekfinale. Sipas shkrimtarit Guillem Balague i cili ka shkruar biografinë e Pep Guardiola, trajneri Manuel Pelegrini ka qenë një kandidat për të marrë drejtimin e Bajern Munih. Guardiola dhe Pelegrini janë përballur shpesh herë kundër njëri tjetrit në Primera Division kur kiliani drejtonte Villarreal dhe Real Madrid.

 Mesi “Rikthehem shumë shpejt”

 Gjithmonë lajmet e këqija përhapen më shpejt se ato të mirat, por nuk është ky rasti në fjalë. Për fat të mirë për Barcelonën, lajmi se Mesi mund të rikthehet më shpejt se parashikimet bëri xhiron e botës. Argjentinasi shkroi në rrjetin social mjaft popullor në Azi, Weibo, për të gëzuar të gjithë mbështetësit dhe tifozët e tij. 4 herë fituesi i “Topit të Artë” dha mesazhin se mund të rikthehet më shpejt nga dëmtimi në këmbën djathtë, ndonëse është parashikuar se rikuperimi i tij mund të zgjasë rreth 2-3 javë. “Më vjen shumë keq që nuk mund të luaj në ndeshjet e radhës me Barcelonën apo me kombëtaren argjentinase”, shkruan Mesi për të gjithë ndjekësit e tij në Ëeibo. Më tej ylli i blaugranave siguron se do të rikthehet shumë shpejt në fushë, me shpresën që procesi i rikuperimit të shkojë pa asnjë komplikim. Tifozët kanë të drejtë të gëzohen sepse edhe më parë, Mesi në jo pak raste ka arritur të lërë pas një dëmtim shumë më herët nga sa është hamendësuar nga stafi mjekësor i Barçës.