Superiore/ Laçin e nderon Guindo ndaj Vllaznisë, Kukësi lë pas ‘krahëve’ humbjen me Tiranën

196
Sigal

Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së 19-të në Kategorinë Superiore.

Laçi ka dalë triumfues nga supersfida me Vllazninë. Kurbinasit fituan me rezultatin minimal 1-0 ndaj shkodranëve, duke e ngushtuar sërish në 6 pikë diferencën nga Tirana kryesuese.

Ndeshja nisi mjaft mjaft vrrullshëm, me Guindo-n që pati një shans të artë në minutën e 4-rt, por goditja e sulmuesit 25 vjeçar përfundoi në transversë.

Vetëm 13 minuta më pas, Vllaznia krijoji një rast të mirë për të shënuar, por Liridon Latifin e çon mbi tra një penallti në lëvizje.

Vllaznia gjeti rrugën e rrjetës në të 26-tën me anë të Farudin Gjurgjeviç, por goli i futbollistit maqedonas u anulua nga arbitri pas konsultimit me VAR për prekje të topit me dorë nga Da Silva gjatë aksionit të golit.

Pavarësisht rasteve të krijuara pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura.

Ashtu si e para edhe e dyta nis mjaft furishëm, por këtë herë ishin shkodranët ata të cilët u hodhën në sulm.

Ishte sërish Liridon Latifi ai i cili tentoi për kuqeblutë, por goditja e tij u ndal nga Dajsinani, i cili ditën e sotme ishte në superformë.

Sfida vendoset në minutën e 65-të, kur Guindo shënon nga pika e bardhë për Laçin. Pavarësisht përpjekjeve të shkodranëve, rezultati përfundimtar i kësaj sfide nuk ndryshon.

Kukësi lë pas krahëve humbjen e thellë përballë Tiranës, duke fituar në Rrogozhinë 2-0 përballë Egnatias vendase në sfidën e vlefshme për javën e 19-të të kampionatit shqiptar. Shqiprim Taipi dhe Ndreca kanë shënuar golat për skuadrën e Longos, që falë këtij suksesi vazhdon të shpresojë tek titulli kampion.

Egnatia pëson një tjetër humbje, që komplikon akoma më shumë pozitat në tabelën e klasifikimit, sepse tashmë rrezikohet seriozisht rënia në kategorinë inferiore.

Pedro Augusto jep shkëndijën e parë, që në stratin e takimit, por gjuajtja e tij pritet nga Tafas. Kukësi fillon të dominojë sfidën dhe shfaqet rrezikshëm me Gjelbrim Taipin dhe Shkurtajt, por goli që zhbllokon sfidën do të shënohet nga Shqiprim Taipi, që gjuan një 11-metërsh në lëvizje dhe çon topin në rrjetë.

Egnatia mundohet të reagojë me fillimin e pjesës së dytë, por janë sërish kuksianët që pas një aksioni model dyfishojnë rrezultatin me Edison Ndrecën. Egnatia nuk arrin që të reagojë dhe Kukësi largohet me tre pikë nga transferta e Rrogozhinës.