Skënderbeu bën dopietën e sezonit, fiton Kupën e Shqipërisë

516
Sigal

Nga Agron KAJA

KUPA E SHQIPËRISË/ Dje u mbyll trofeu i dytë, korçarët e fitojnë për herë të parë pas 6 finaleve, në stadium edhe Presidenti Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta “pagëzon” Skënderbeun me trofeun e medaljet 

Pas finales së djeshme të fituar 1-0 ndaj Laçit, Skënderbeu u shpall për herë të parë në histori, kampion i Kupës së Shqipërisë. Një trofe i munguar ky për skuadrën korçare, që dje bëri të veçantën, pasi Kupa dhe medaljet iu dhanë nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ishte i ftuari special në këtë finale. Kjo ishte agjenda sportive e radhës për zotin Meta, pasi këtë muaj ka dhënë disa tituj e medalje për ish-sportistë në vendin tonë.

Mbrëmja e djeshme në “Elbasan Arena”, vulosi trofeun e dytë të këtij sezoni për skuadrën e Skënderbeut, pasi mundi Laçin në finalen e Kupës së Shqipërisë me rezultatin minimal 1-0. Njëherësh, duke qenë se skuadra korçare ka fituar edhe Kampionatin, automatikisht bëhet edhe fitues i Superkupës së Shqipërisë, e cila tradicionalisht luhet në fillimin e sezonit pasardhës. Por, në fitimin e trofeut të Kupës, Skënderbeu i falet mesfushorit Sabjen Lilaj, një penalltist i pagabueshëm në këtë sezon të shkëlqyer të skuadrës së tij. Kjo ishte një mbyllje fantastike për skuadrën korçare, e cila kështu rrëmben dhe Kupën e Shqipërisë, pasi një javë më parë ka fituar edhe Titullin Kampion. Ky kishte trofeu i munguar për korçarët, dhe më në fund arrijnë që ta shënojnë dhe ata emrin e tyre në listën e fituesve të Kupës së Shqipërisë. Në fakt, dje ka qenë një ndeshje e ekuilibruar, ku rezultati u vendos nga një 11-metërsh, i cili u kontestua nga laçianët, por nuk u ndal dot. Duke ju referuar kronikës, mbrojtësi Gjoni e ndali Xhejmsin mbi vijën ballore të zonës së rreptësisë së Laçit, dhe në momentin e parë kryesori Eldorian Hamiti akordoi goditje dënimi. Por, pas konsultës me asistentin pas porte, Enea Jorgjin, bëri që të ndryshonte vendim, duke akorduar kështu penallti në favor të Skënderbeut. Mesfushori Sabjen Lilaj u tregua i saktë, dhe i dha avantazhin skuadrës së tij, njëherësh edhe trofeun e parë në histori. Pavarësisht se skuadra e Laçit e kërkoi deri në fund barazimin, nuk mundi që ta gjente atë, edhe pse në minutën e tretë shtesë u anulua një gol për pozicion jashtë loje. Por, dje Skënderbeu e mbylli me 10 lojtarë ndeshjen, pas daljes me kartonin e dytë të verdhë të Marko Radas në sekondat e fundit të ndeshjes, por që nuk e rrezikoi skuadrën korçare. Pavarësisht kësaj humbjeje, bardhezinjtë e Laçit e kanë siguruar pjesëmarrjen në UEFA Evropa Ligë, ndërsa për Skënderbeun pritet vendimi përfundimtar nga KAS-i i Lozanës, nëse do të jetë pjesë e Kupave të Evropës në këtë sezon. Nga ana tjetër, duhet thënë se trajneri Ilir Daja i Skënderbeut, është i dyti nga teknikët shqiptarë që i fiton të dy trofetë e sezonit, Kampionatin e Kupën. Në vitin 1999 Sulejman Mema i fitoi të dy trofetë, si kampionatin, edhe Kupën e Shqipërisë me ekipin e Tiranës.

Kjo ishte Kupa e parë në historinë e Skënderbeut dhe, duke qenë se ka fituar edhe Kampionatin, automatikisht bëhet edhe fitues i Superkupës së Shqipërisë, e cila tradicionalisht luhet në fillimin e sezonit pasardhës

E diel 27 maj 2018, ora 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, finalja e Kupës së Shqipërisë

Skënderbeu-Laçi 1-0

Shënues: S. Lilaj (p) 67’

Skënderbeu (1-4-3-3): Shehi, Vangjeli, Radas, Osmani, Mici, Lilaj, Nimaga (Dita 77’), Muzaka, Gavazaj (Demte 88’), Xhejms, Soue. Trajner: Ilir Daja

Laçi (1-4-3-3): Selmani, Fangaj, Qaqi, Gjoni, Sefgjinaj (Xhixha 89’), Jonuzi, Lushkja, Eskerda (Kallaku 53’), Nika (Shtubina 83’), Rexhinaldo, Uzuni. Trajner: Gentian Mezani

Gjyqtarë: E.Hamiti, E.Barushi, D.Rexha, R.Çokaj

Delegat: L. Nurishmi/ Vëzhgues: S. Jareci

Kartonët: KV: Osmani 25’, Radas 58’, Vangjeli 80’/ Lushkja 45’, Uzuni 45’+1’, Fangaj 49’, Sefgjini 65’

KK: Radas 90+3’ (2 kv)

MINUTA E GOLIT

67’ GOL 1-0 Në minutën e 65-të, gjyqtari Hamiti jep një faull mbi vijën ballore të zonës së rreptësisë të Laçit, por më pas, duke marrë sinjal edhe nga arbitri pas porte, Enea Jorgji, ka dhënë penallti në favor të Skënderbeut. Laçianët e kontestuan vendimin, dhe pas dy minutave, në të 57-tën, Sabien Lilaj nga pika e bardhë shënon golin e avantazhit.