Shqipëria humbet ndaj Italisë me një penallti të dyshimtë

551
Sigal

 Kombëtarja U-21 e Skënder Gegës rezistoi 83 minuta në humbjen 1-0. Ndikon gjyqtari italian

Shqipëria U-21 e Skënder Gegës rezistoi 83 minuta përballë Italisë B të asaj moshe, kur një penallti e transformuar në gol nga mesfushori Buzelo, i siguroi një fitore minimale 1-0 italianëve të drejtuar nga Xhixhi Di Biaxho. Miqësorja u luajt në Karpi të Italisë dhe u ndoq nga rreth 800 shikues, midis tyre dhe shumë shqiptarë me banim në vendin fqinj. Shqipëria luajti me këtë formacion: Elezaj; Muskaj, Rahmani (kapiten), Lulaj, Hoxallari; Qose, Hyseni (64′ Murati); Beqaj (37′ Ahmetaj), Ymeraj (52′ Rezi), Gavazaj, Murriqi (63′ Ademi). Italia e nisi më mirë takimin, por në minutën e 16-të pas një ndërhyrje të kapitenit Rrahmani, Beqaj ndërmori një inkursion nga e djathta dhe shërbeu në zonë për Murriqin, gjuajtja me kokë e këtij të fundit përfundoi pak mbi shtyllën horizontale. Porteri Elezaj u tregua i gatshëm në gjuajtjet e Politanos (19’), De Vitisit (23’) dhe Faragos (28’). Në minutën e 35-të, pas një gjuajtje të lirë nga 35 metra, Muskaj krosoi bukur në zonë dhe aty kapiteni Rrahmani godit me kokë, por sërish topi kaloi mbi traversë. Në të 37’, Gavazaj ekzekutoi një goditje këndi, Hyseni goditi mbi kokë por topi kaloi ngjitur me shtyllën pingule. Elezaj tregoi formën e mirë të tij, duke shmangur një gol të sigurt me një ndërhyrje të sigurt duke e bllokuar me këmbë gjuajtjen e fortë të Davide Gatos. Pjesa e dytë nisi me zëvendësime të shumta. Në minutën e 50-të, Gavazaj ekzekutoi një goditje dënimi nga 20 metra, topi mbërriti te Ymeraj, por ky i fundit nuk arriti të shënojë edhe për shkak të reagimit të bukur të portierit italian Piliaçeli. Elezaj u tregua edhe një herë tjetër i gatshëm, për të neutralizuar gjuajtjen me kokë të Buzelatos. Trajneri Gega bën disa ndërrime. Në minutën e 81-të erdhi edhe penalltia e Italisë. Beltrami u frenua nga Lulaj gjatë zhvillimit të një krosimi, dhe gjyqtari pas një momenti reflektimi akordoi penallti. Në pikën e bardhë u shfaq Buzelati. Numri 17 i Italisë B U-21 ia doli të shënojë, pavarësisht se Elezaj ia kuptoi krahun, por pa mundur ta bllokojë topin. Në minutën e 87-të, Shqipëria ishte pranë barazimit, pas një gjuajtje të Muratit të Partizanit, por portieri Piljaçeli arriti ta shpëtonte portën “axurre” pas një devijimi me këmbë të topit. Momenti i fundit ishte sërish i Shqipërisë, kur në 90+1’, Hoxhallari realizoi një goditje të lirë nga 20 metra, por me topin që përfundoi disi lart mbi shtyllën horizontale.

  Penalltia

 Në minutën e 81-të, Beltrami u frenua nga Lulaj gjatë zhvillimit të një krosimi, dhe gjyqtari pas një momenti reflektimi akordoi penallti. Buzelati shënoi nga pika e bardhë

Në javën e fundit: Vllaznia-Teuta dhe Tirana-Besa. Shkodranët kanë tri pikë më shumë se kavajasit

 Në Shkodër e Tiranë luhen “finalet” e mbijetesës

 Akti i fundit i Kampionatit të 75-të Kategorisë Superiore ofron dy “finale” mbijetesë në Shkodër dhe Tiranë. Vllaznia do të presë Teutën, ndërsa Tirana do të luajë kundër Besës. Pikërisht, këto dy ndeshje kanë shumë rëndësi, pasi në përfundim të tyre do të mësohet se kush do të jetë ekipi i katërt që do të shoqërojë Bylisin, Lushnjën e Kastriotin drejt Kategorisë së Parë gjatë sezonit të ardhshëm. Shkodranët kanë tri pikë më shumë se kavajasit dhe kanë një avantazh “material”, pasi u mjafton vetëm barazimi ndaj durrsakëve për të shpëtuar. Barazimi pa gola në Kavajë ndaj Besës, është një rezultat shumë i rëndësishëm për Vllazninë, por që gjithsesi nuk i ka siguruar mbijetesën. Në horizont është sfida e fundit e sezonit, teksa në “Loro Boriçi” zbarkon Teuta, që ka ambiciet e veta për zonën europiane. Për Drejtorin sportiv të kuqebluve, Armir Grima, 90- minutëshi i fundit duhet përgatitur me përkushtim dhe përqendrim nga ana e ekipit. Grima pranoi se analizat e sezonit do të bëhen në përfundim të ndeshjes me Teutën, ku do të evidentohen shkaqet e kësaj ecuria si dhe do të vlerësohen protagonistët që po çojnë në mbijetesën e ekipit. “Ndeshja me Teutën është e rëndësishme. Do të përqendrohemi për këtë sfidë që të arrijmë objektivin. Në ekip ka protagonistë për mirë dhe për keq. Analizat do t’i bëjmë kur të përfundojë sfida me Teutën”. Gjasat që shkodranët të jenë në elitën e futbollit shqiptar janë të shumta, dhe për ish portierin legjendar të Vllaznisë kjo arritje është një lehtësim i ardhur me shumë vuajtje, duke theksuar se e ardhmja duhet të jetë krejt ndryshe nga e tashmja.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA E 33-të (10 MAJ)

Skënderbeu-Laçi

Lushnja-Partizani

Vllaznia-Teuta

Tirana-Besa

Kastrioti-Flamurtari

Bylisi-Kukësi (0-3)

RENDITJA

1 Skënderbeu      32   +21 61

2 Kukësi             32   +9   54

3 Laçi           32   +12 51

4 Teuta         32   +9   51

5 Partizani    32   +5   50

6 Tirana       32   +2   47

7 Vllaznia           32   +8   45

8 Flamurtari 32   +3   45

9 Besa          32   +5   42

10 Kastrioti  32   -18  29

11 Lushnja          32   -25  26

12 Bylis       32   -31  24

  

Rregulloja, ja si përcaktohet mbijetesa

 Në kushtet kur tri skuadra i kanë mbyllur llogaritë me Superioren (Bylisi, Lushnja dhe Kastrioti), katër të tjera (Vllaznia, Flamurtari, Tirana dhe Besa) po bëjnë llogaritë e fundit për t’i shpëtuar rënies. Kur kanë mbetur edhe 2 javë nga përfundimi, të gjithë janë me “laps” në dorë. Vendi i 9-të, ku aktualisht pozicionohet Besa, të rrëzon nga kategoria, por ekziston mundësia që ekipet deri në fund ta mbyllin me pikë të barabarta. Nëse ndodh kështu, atëherë do të futet në lojë rregullorja, e cila parashikon.

NENI 87

Pika 4. Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:

a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit;

d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë kampionatit; e) me short;

NENI 89

Pika 1. Në përfundim të sezonit, klubet e renditura përkatësisht në vendin e 9, 10, 11 dhe 12, bien menjëherë nga Kategoria Superiore dhe e nisin sezonin e ardhshëm nga Kategoria e Parë.

Mediat zvicerane: “Është për të ardhur keq, që Gashi vendosi për Shqipërinë dhe jo për Zvicrën”

 Borusia Mënshengladbah kërkon Shkëlzen Gashin

 Borusia Mënshengladbah është në ndjekje të sulmuesit Shkëlzen Gashi. Forma e shkëlqyer që po shfaq të Kombëtares shqiptare në këtë sezon me Grasshopersin në Superligën zvicerane ka bërë që për të interesohen një sërë klubesh me emër në Europë. Sipas portalit të njohur gjerman “Borlife.de”, Borusia Mënshengladbah dëshiron të nënshkruajë me futbollistin e kombëtares shqiptare pasi trajneri Lysen Favre e pëlqen së tepërmi 25- vjeçarin. Gashi në këtë sezon ka shkëlqyer me fanellën e Grashopersit pasi ka shënuar 17 gola dhe kryeson listën e golashënuesve në kampionatin zviceran. Drejtuesit e Grashopersit e vlerësojnë futbollistin e përfaqësues kuqezi rreth 800 mijë Euro por nëse Gashi do të vazhdojë me këto ritme me shumë mundësi çmimi i kartonit të tij do të rritet akoma më shumë. Nëse Gashi do të vendosë të transferohet te Gladbah ai mund të gjejë atje futbollistin tjetër kosovar Granit Xhaka edhe pse ish lojtari i Bazelit nuk ka një marrëdhënie aspak të mirë me trajnerin Favre dhe mund të largohet në përfundim të këtij sezoni. Fundjavën që sapo lamë pas 25-vjeçari shënoi katër gola në ndeshjen që skuadra e tij fitoi me rezultatin 5-0 përballë Jang Bojs duke i dhënë mundësi Grashoppersit të pretendojë ende për titullin kampion në Zvicër, edhe pse kur mbeten edhe 4 ndeshje nga fundi i sezonit skuadra e drejtuar nga trajneri Mikael Shibe qëndron 4 pikë pas Bazelit kryesues. Një nga gazetarët e njohur të portalit zviceran “Blick.ch”, Kubilay Türkyilmaz, shkruante se e njihte mjaft mirë si lojtar Shkëlzenin dhe sipas tij, ai ka kualitet. “E njoh mjaft mirë Shkëlzen Gashin, qysh në kohën kur ai luante me Belinzonën. Kemi shkuar së bashku të hamë edhe në restorantin tim. Është një tip shumë i mirë dhe që ka shumë pasion për futbollin. Ka pasur ngritje dhe ulje, por që ka kualitet unë për këtë jam i bindur. Shpërthimi te Grashopersi është i natyrshëm, dhe me siguri ai do të fitojë “Këpucën e Artë”. Është për të ardhur keq që, pasi shumë ndeshjesh me Kombëtaren U-21 të Zvicrës ai vendosi të luajë kundër nesh, duke zgjedhur Shqipërinë. Me formën aktuale që ka, ai do të ishte një ‘xhoker’ i shkëlqyer për Kombëtaren tonë në Botërorin e Brazilit. Por, që ai të vendoste për një Shqipërinë inferiore, këtë nuk do ta besonte askush, ndoshta as ai vetë tani. Por, ai tashmë ka vendosur, por fatkeqësisht në mënyrë të gabuar”, – përfundon shkrimi i portalit të njohur zviceran “Blick.ch”.

 Shqipëria, 4 medalje ari në Botërorin e Kikboksit

 Shqipëria fiton 4 Medalje Ari në Botërorin e Kikboksit. Edison Shehaj, Brus Jakupi dhe Frenkli Myftari janë sportistët që sollën medalje ari nga kampionati botëror i kikboksit amator, që u zhvillua në Spanjë. Edison Shehaj ishte një nga kikboksierët më të mirë kuqezi, në këtë turne, kjo dhe për faktin se ai fitoi dy tituj kampion bote, në disiplinat “Lou kik” dhe “K1” të peshës 67 kilogram. Medaljen e vetme të artë për të rritur e mori Frenkli Myftari, në peshën deri në 81 kg. Në përbërje të ekipit tonë kombëtar ishin dhe vëllezërit binjakë, Brus dhe Stiven Jakupi, por ai që mori rezultat më të mirë ishte Brusi. Ai mundi në finale sportistin italian, i cili eliminoi në gjysmëfinale vëllanë e tij, Stivenin, i cili u mjaftua vetëm me medaljen e bronztë.