Flet për “Telegraf” Shkëlqim Muça, ish-futbollisti e trajneri i Tiranës
Agron Kaja
“Skemë ideale nuk ka në futboll. Të gjitha kanë pluset e minuset e tyre, por duke qenë se kjo skemë është pranuar në shumicën e klubeve, kjo nuk ka të keqe. “Final 4” nuk mendoj se e ul apo e ngre cilësinë e futbollit. Më i forti fiton.”
Kjo është java e fundit e përgatitjeve në pragun e startit të sezonit të ri 2023-2024, si e përshkruani situatën e skuadrave?
Të gjithë ekipet mendoj se janë të përgatitura për fillimin e kampionatit. Kanë kohë, më shumë se tre muaj, dhe besoj se janë gati edhe me merkaton, dhe me gjitha drejtimet. Ekipet që kanë qenë në Kupat e Europës ishin gati që në korrik.
Në këtë sezon të Superiores do të garojnë 10 skuadra me 81 tituj kampionë të fituar, si ndikon ky tregues historik?
Normalisht ekipet në Superiore e meritojnë të jetë aty dhe besoj se historia është një pjesë e frymëzimit dhe e motivimit të tyre gjatë përgatitjeve, në organizim, drejtim e në fushën e lojës. Për rezultate mendoj se nuk ndikon ana historike.
Të gjitha skuadrat janë përfshirë në merkaton e verës, cilën e veçoni si më aktive me hyrje e daljet?
Të gjitha skuadrat kanë qenë aktive në merkato, por ato që morën pjesë në kupat e Europës janë një hap më para. Tirana, Partizani, Egnatia e Vllaznia ishin më aktive që në muajin qershor, të tjerat kishin më shumë kohë. Por, mbetet për ti parë.
Ky sezon nuk nisi me ndeshje të Kupës, apo me ndonjë event tjetër, si pritet të hyjnë skuadrat direkt në kampionat?
Skuadrat që nuk kanë marrë pjesë në kupat e Europës kanë bërë ndeshje miqësore, kështu që unë e quaj normale një fillim të tillë. Ndoshta mund të ishte Superkupa më mirë të luhej në verë, por ajo është menduar që të luhet në muajin dhjetor.
Nga FSHF-ja është deklaruar se, në përfundimin e katër fazave të Abissnet Superiore do aplikohet edhe skema “Final 4”, ju si e shikoni këtë risi?
Skemë ideale nuk ka në futboll. Të gjitha kanë pluset e minuset e tyre, por duke qenë se kjo skemë është pranuar në shumicën e klubeve, kjo nuk ka të keqe. Edhe kjo “Final 4” nuk mendoj se e ul apo e ngre cilësinë e futbollit. Më i forti fiton.
Një javë para fillimit dhe nuk kemi ende emrin e kompanisë që do ta ketë të drejtën televizive për këtë sezon, mendoni se diçka fshihet pas kësaj?
Kjo mendoj se nuk varet nga FSHF-ja. Procedurat kanë nisur një muaj më parë, por të interesuarit nuk kanë arritur që ta gjejnë konsensusin. Rëndësi ka që të jetë një proces nga i cili klubet të fitojnë të ardhura. Transmetimi është i rëndësishëm.
Me gjithë këto sa përmendëm më sipër, ju si e parashikoni ecurinë e sezonit 2023-2024 në Abissnet Superiore?
Një sezon normal. Skema me 10 skuadra e bën sezonin më interesant, sepse 4-6 skuadra luajnë fort për Europën dhe 2-3 për mos rënë. Kjo garë ka rivalitet dhe sjell më shumë tifozeri në stadium. Klubet duhet të gjejnë forma që t’i sjellin ata në stadiume.
Një parashikim për skuadrat protagoniste të sezonit të ri, si dhe për skuadrën, që mund të jetë fituese të kampionatit?
Unë mendoj se skuadrat kryesore janë Partizani dhe Tirana, ndërsa do afrohen edhe Vllaznia, Teuta apo Egnatia, të cilat do rivalizojnë deri në fund për titullin. Pastaj, skema “Final 4” nuk e di se çfarë do sjellë, kjo na bën të presim, pastaj të flasim.
ABISSNET SUPERIORE
SEZONI 2023-2024
Partizani-Teuta nuk luhet, shkak Liga e Konferencës
Më në fund FSHF ka vendosur që t’i qëndrojë ditës së parë të kampionatit në Abissnet Superiore, sezoni 2023-2024. Ajo do të ngrejë siparin këtë fundjavë me ndeshjet e javës së parë. Departamenti i Garave në FSHF ka bërë të ditur se ndeshjet do të jenë të ndara në dy ditë, përkatësisht në datat 26 dhe 27 gusht 2023.
Dhe, për shkak të impenjimeve në UEFA Conference League të Partizanit në fazën play-off, klubi ka bërë kërkesë për shtyrjen e ndeshjes së javës së parë ndaj Teutës. Të shtunën luhen Egnatia-Skënderbeu e Vllaznia-Kukësi, të dielën Laçi-Erzeni dhe në “Elbasan Arena” luhet “derbi” Dinamo-Tirana.
Ndeshjet, java e parë:
Të shtunën, 26 gusht 2023
Egnatia-Skënderbeu 17:00
Vllaznia-Kukësi 20:00
Të dielën, 27 gusht 2023
Laçi-Erzeni 17:00
Dinamo-Tirana 20:00
(Luhet në “Elbasan Arena”)
Partizani-Teuta (E shtyrë)
PJESËMARRËSIT
Skuadrat Pjes. Tituj
1.Partizani 71 17
2.Tirana 84 26
3.Egnatia 4 –
4.Vllaznia 83 9
5.Laçi 24 –
6.Teuta 83 2
7.Kukësi 12 1
8.Erzeni 8 –
9.Skënderb. 67 8
10.Dinamo 63 18
E drejta televizive në garë, ofertat deri të shtunën
Dje, FSHF ka çelur zyrtarisht garën për të drejtën televizive të kampionatit Abissnet Superiore, të fazës “Final 4”, të Kategorisë së Parë, të Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë. Zyrtarët e FSHF bëjnë të ditur dje se, ftesat për ofertë me specifikimet teknike me dokumentacionin e nevojshëm u janë dërguar subjekteve që operojnë në këtë fushë. Të interesuarit duhet të paraqesin ofertën ose ofertat e tyre ekonomike shoqëruar me dokumentet e specifikuara në Aneksin Nr.1, brenda datës 26.07.2023 ora 15.00, në selinë e FSHF në Tiranë. Prodhimi dhe ofrimi i sinjalit në formatin Full HD, do të sigurohet nga FSHF dhe do t’i jepet transmetuesit fitues gati për transmetim.