Salihi për terapi, Agostineli “ngujon” sulmuesit para portës

457
Humbja me Tiranën është “arkivuar” dhe vëmendja e korçarëve është zhvendosur te kundërshtari, Kukësi. Andrea Agostineli duket i vendosur për t’u rikthyer te rezultatet pozitive dhe për t’ia dalë. Ai është përqendruar te sulmi.
Në pritje të një përgjigjeje nga Hamdi Salihi, i cili ndodhet ende në Serbi për të kryer terapi, trajneri italian e ka marrë situatën nën kontroll. Ai ka “ngujuar” sulmuesit para portës. Për më shumë se 30 minuta, lojtarë si Latifi, Fukui, Serxhio dhe Xhejms kanë qenë qëndruar te zona e 16-shes për të përmirësuar efektivitetin në kuadrat.
Këshillat
Fakti që bardhekuqtë duhet t’i shfrytëzojnë më mirë rastet e krijuara në një takim, ka shtyrë Agostinelin për të marrë këtë vendim, duke shkëputur lojtarët e ofensivës nga pjesa tjetër e grupit. “Të mundohemi t’i shfrytëzojmë në maksimum rastet e krijuara. Duhet të jemi sa më të qetë para porte”, ka qenë kjo këshilla kryesore e italianit për të tijtë.
Gjatë këtij gjysmëorëshi, numri një i pankinës korçare herë pas here motivonte lojtarët, duke i nxitur që të kishin një finalizim më të saktë dhe përgjegjshmëri në momentin që godisnin katërkëndorin. Ajo që e ka detyruar trajnerin të ndërmarrë këtë iniciativë, duke u marrë vetë me sulmuesit, ka qenë pikërisht humbja e disa rasteve flagrante për shënim në ndeshjen e fundit në kryeqytet.
Rezultati ndaj Tiranës mund të kishte qenë ndryshe nëse rastet e krijuara do të finalizoheshin si duhej. Ndërsa i gjithë reparti i avancuar po punonte veçmas, pjesa tjetër e ekipit zhvilloi një seancë të plotë ku prioritet ka qenë balanca në mesfushë dhe qarkullimi i topit.
Golashënuesi
Sulmuesi kryesor i Skënderbeut, Hamdi Salihi, vijon të jetë ende në dilemë për ndeshjen kundër Kukësit. Shkodrani ndodhet në Serbi dhe po zhvillon terapi intensive tek e famshmja Marjana për të kaluar shqetësimin muskulor. Ndërsa në kampin korçar besimi është i madh se kryegolashënuesi i sezonit të kaluar do të kthehet i gatshëm ditën e premte, duke qenë në dispozicion të Agostinelit për ndeshjen e fundjavës.
Me rikthimin e Salihit pritet që trajneri të qetësohet disi, duke pasur parasysh se do ta ketë në fushë lojtarin e golit. Megjithatë, deri në pritje të lajmeve të mira nga Serbia, italiani vijon të mbajë të karikuar majën e sulmit për të marrë ndoshta maksimumin nga ta në ndeshjen kundër Kukësit. Në Korçë, stafi mjekësor e pret Salihin të rikthehet gati, ndërsa sot pritet që të vendoset përfundimisht se cila do të jetë gjendja e shkodranit.
Sigal