PROFIL/ Në Lushnje nuk kishte traditë sporti i Notit, por Sadik Troka me disa kampionë të tjerë, e kthyen pishinën në arenën e kampionëve. Flasin Mjeshtra të Mëdhenj.
Nga Agron KAJA
Sporti i Notit ka qënë shumë tërheqës në Lushnje pas ngritjes së pishinës, ju si ndjeheshit në ambientin qytetar?
Ne ishim të privilegjuar, sepse aty në atë pishinë janë bërë gara të mëdha, aty garonin notarët e mëdhenj. Madje aty janë zhvilluar gara edhe me kinezët, dhe shumë lushnjarë u dashuruan edhe me sportin e notit. Ishim të privelegjuar nga pishina.
Kjo ka qënë arsyeja që ushtruat notin dhe jo me ndonjë sport tjetër, apo ju tërhoqi diçka tjetër?
Mua noti më tërhoqi, sepse pishina ishte shumë afër shtëpisë. Aty kisha shumë mundësi që notoja, por edhe emrat e mëdhenj të notarëve të saj kohe më tërhoqën të bëhesha kampion, dhe ja dola. Aktivitetet në pishinën e Lushnjës më tërhoqën fillimisht.
Pasi ju lindi dëshira për t’u ushtruar në not, kur e nisët garimin tuaj zyrtar?
E kam nisur në vitin 1976 me pionierët në Lushnje, në garën 50 m Delfin. Aty dola në vëndin e tretë në finale, nga 16 notarë që garuan. Më pas, rezultatet erdhën në rritje dhe me një stërvitje këmbëngulëse preferova më shumë stilin e katërnotimit.
Trajneri dhe skuadra juaj e parë, si vijnë sot në kujtesën tuaj?
Trajneri im i parë ishte Zenel Gjoliku, një pasionant dhe shumë korrekt në stërvitje dhe në garat që zhvillonim. Ai ishte i vetmi intelektual në Lushnje që e kishte pasion Notin. Prej tij dolën shumë notarë kampionë dhe rekordmenë.
Në garat që ju keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?
Unë kam garuar në disa gara, por më të preferuar kam patur stilin e Katërnotimit. Në start e nisa me stilin Delfin, ku u rendita fillimisht në vëndin e tretë, por në Katërnotim kam arritur të gjitha sukseset e karrierës, si kampion dhe rekordmen.
Ju kujtohen rivalët tuaj në garat kombëtare dhe ndërkombëtare që keni zhvilluar, cilët kanë qënë?
Me të rriturit, rivalin kryesor unë kam patur Edmond Memën. Ai ishte kampion i padiskutueshëm, dhe do thoja se unë dilja kampion në Katërnotim kur nuk garonte në atë garë Edmond Mema. Rivaliteti më dha më shumë shtysë në rezultatet që arrita më vonë, sepse Mondi u largua për arsyet e tij.
Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notar, stili dhe gara?
Ka qënë një rekord që e kujtoj me shumë nostalgji. Në vitin 1983 në garën 4X100 m Katërnotim, garë e cila u zhvillua në Sarandë, ishte Kupa e Republikës, që u zhvillua në muajin korrik. Më pas vazhduan rekordet e tjerë, kryesisht në Katërnotim.
Në karrierën tuaj si notar kampion e rekordmen, cilët ndani si momentet më të mira, dhe nëse keni edhe moment jo të mirë në karrierë?
Vështirësia jonë ishte se ne kishim mungesën e ujit dhe udhëtonim rreth 5 km në ditë për stërvitje në fshatin Shegaj, në një rezervuar artificial. Momentet e mira ishin kryesisht te Partizani, ku edhe kushtet ishin shumë komode. Aty arrita edhe rezultatet më të mira.
Po infrastruktura në sportin e notit në Lushnje dhe në gjithë Shqipërinë, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport?
Mendoj se ishte normale në Lushnje. Por kushtet më të mira ishin te Partizani, kur trajner kisha Leka Konomin. Edhe në qytetet e tjera ku zhvilloheshin garat, si në Durrës, në Shkodër, Vlorë e Sarandë, në atë periudhë ishin kushte normale për kohën.
Kur doli nga funksioni pishina e Lushnjes, dhe pse ndodhi braktisja e saj?
Lushnja ka vuajtur shumë për ujin, dhe pishina doli nga funksioni pas vitit 1985. Ne përgatieshim nëpër kanalet që kishte Lushnja. Atëhere ishte pasioni që na mbante pranë saj, ndërsa tani të dyja këto mungojnë dhe pishina mbetet e braktisur.
Pas ndërtimit të pishinës në Tiranë, këtu u zhvendos veprimtaria e garave të notit?
Po po, pas ndërtimit të kësaj pishine në Tiranë, thuajse të gjitha garat zhvilloheshin aty. Unë pata fatin se isha me Partizanin në atë periudhë, dhe në pishinën e Tiranës kam arritur rezultate të mira. Ishin kushte më komode në atë pishinë.
Pas largimit nga aktiviteti si notar, ju e vazhduat marrëdhënien me notin, apo mbeti si një pasion?
Natyrisht që pasioni ishte ai që na mbajti, por unë trajnerin e kam bërë edhe si notar, por edhe si trajner. Së bashku me Astrit Çelën, i cili ishte kampion pas të madhit Petrit Guma, qëndruam pak kohë si trajnerë, por transformimi politik i Shqipërisë dha efekte edhe tek vazhdimësia jonë në sportin e notit.
Në gjithë karrierën tuaj si notar dhe trajner, si e përshkruani evolimin në sportin e notit në Shqipëri?
Sot në sportin e Notit ka ndryshime. Kryesisht në përgatitjen vjetore, sepse kjo i jep rezultatet më të larta. Ata që përgatiten në pishina të hapura, kanë rezultate më të ulta, por sot edhe stafet teknike janë më të plotësuar dhe më të programuara sot.
Nuk keni marrë vlerësime e tituj sportivë si notar apo si trajner, cilat kanë qënë arsyet?
Unë jam Mjeshtër Sporti, dhe për çdo rekord që kam thyer. jam shpërblyer. Shpërblimet që ne merrnim atëhere në atë periudhë, sot duken qesharake, për vetë kushte në të cilat ka kaluar transformimi shoqëror, ekonomik dhe financiar.
Nisur nga mosha juaj sot, mendoni ta vazhdoni pasionin me trajningun në sportin e notit?
Dëshira është shumë e madhe, por pozicioni ku ndodhem ka vështirësi. Kjo më bën të jem larg fizikisht, por shpirtërisht e ndjej shumë. Është e vështirë për kushtet në Shqipëri, por gjithsesi, edhe sot Noti më del në ëndërr. Nga xhamat e autobuzit e kundroj detin këtu në Itali, dhe shpesh humbas në kujtimet e karrierës sime.
Ka mbi 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri, si e vlerësoni aktivitetin e saj?
Kjo është një shoqatë që e bashkon historinë e Notit shqiptar. Unë kam qënë në çdo takim në veprimtaritë që ka zhvilluar kjo shoqatë. Ka mbledhur historinë e notit në vëndin tonë, të cilën e kujtojmë më nostalgji. Këto kontakte janë mbreslënëse.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, e keni një urim të për sportin e notit në Shqipëri?
Unë uroj që të gjitha moshat të reja dhe drejtuesit e tyre, që ta ushtrojnë sportin e bukurisë dhe të shëndetit, që është noti. Me notin, çdo individ jo vetëm që përgatitet sportivisht, por qëndron edhe jashtë fenomeneve të rrugës që sot kanë sjellë efekte negative te moshat e reja.
Vështirësia jonë ishte se ne kishim mungesën e ujit dhe udhëtonim rreth 5 km në ditë për stërvitje në fshatin Shegaj, në një rezervuar artificial. Momentet e mira ishin kryesisht te Partizani, ku edhe kushtet ishin shumë të mira
1
Në pishinën e Lushnjës, Sadik Troka u formua si elitar. Me trajnerin e parë Zenel Gjoliku, hodhi bazat e një notari kampion dhe rekordmen
2
Rekordin e parë kombëtar e ka thyer në vitin 1983 në garën 4X100 m Katërnotim, garë, e cila u zhvillua në Sarandë, në Kupën e Republikës.
Astrit Çela, ish-notar kampion
Sadiku gjithmonë ishte kampion, na bënte krenarë
Sadik Troka ka qënë notar në një ekip me Astrit Çelën, dhe ky shpreh konsideratat më të mira për Sadikun jo vetëm në ekipin e Lushnjës e Partizanit, por në të gjithë Shqipërinë. “Sadiku ka qënë notar me norma dhe me karakter të fortë sportiv. Ishte sportist i rregullt dhe ambicioz në garë, ndërsa jashtë gare ka qënë shumë dashamirës. Në ekipin tonë, përveçse një kampion, Sadiku ka qënë shumë i dashur, që i ndihmonte të gjithë në përgatitje dhe gjatë zhvillimit të garave. Ai gjithmonë ishte kampion, dhe kjo na bënte që ne të ndjeheshim krenarë, me një kënaqësi shpirtërore që ai na e kishte imponuar, Kur stërviteshim me një kampion, edhe ne mësonim shumë prej tij. Sadiku mbetet i tillë edhe sot që është ndarë nga pishina, por besoj se dëshira e tij për ujin, notin dhe garat duhet të jetë e madhe”, kështu e vlerëson Astrit Çela figurën e notarit Sadik Troka.
REKORDI I PARË
Kujtoj Avni Karadakun e Lushnjes në vitin 1986, kur u renditëm në vëndin e tretë në kampionat. Unë isha kampion në garat 200 m dhe 400 m Katërnotim, ku thyeva edhe rekordin kombëtar të Ilir Meçes të Butrintit, të cilin e kishte thyer gjatë një gare në Kinë. Ndërsa në garat e Stilit të Lirë, 200 m, 400 m dhe 800 m Stil i Lirë, në të gjitha kam “ndjekur” nga pas Edmond Memën. Ishte periudhë e artë.
RIVALITETI NË GARË
Gara më e fortë dhe më e bukur për mua ka qënë ajo e vitit 1989 në Lushnje, në Kupën e Republikës. Unë garova me Edmond Memën në garën 200 m Katërnotim, ku për 2 minuta rivalizuan dhe në në finish Mondi e morri vëndin e parë. E quaj garë më të bukur, ku edhe tifozeria e Lushnjës ka qënë e madhe në atë garë. Ndërsa pishina e tejmbushur ishte në garën që zhvilluam me kinezët.
KONSIDERATA E VLERËSIME
SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH
Sadiku ka qënë një notar shumë i fortë dhe me karakter
Mjeshtri i Madh Sadik Mema, ka disa arsye që Mjeshtrin e Sportit Sadik Troka, e veçon në gjithë hapësirën e tij si notar i elitës. “Sadik Trokën e njoh mirë, sepse konkurronte me vëllëin tim, Edmondin, në stilin Katërnotim. Ka qënë një notar shumë i fortë dhe me karakter, që ka zënë shumë vënde të para në 200 m dhe 400 m Katërnotim. Mbi të gjitha, ishte një njeri i mirë që vinte nga një ekip pa tradita në not, nga Lushnja, ku nëpërmjet punës u krijua një grup shumë i mirë notarësh konkurrentë dhe kampionë në të gjitha garat ku kanë marrë pjesë. Por veç Sadik Trokës, kanë qënë edhe Avni Karadaku e Astrit Çela, të cilët garonin në garat e gjata të Stilit të Lirë, 400 m e 800 m dhe dilnik kampionë. Të gjithë kanë zënë vënde të para kur kanë garuar, dhe kujtoj se ky ekip që u drejtua nga Engjëll Shehu, ish-sportist në Lushnje, i cili e ngriti nga hiçi notin në këtë qytet, ku kanë qënë më shumë se tre kampionë, midis tyre ishte edhe Sadik Troka. Ndërkohë që Sadiku dhe Astriti, e kanë ndjekur edhe Shoqatën e Veteranëve të Notit, sepse kanë ende pasion për notin”.
EMIN LISHI, MJESHTËR I MADH
Notari katërnorues më i mirë shqiptar është Sadik Troka
Që një notar nga qyteti i Lushnjes të thirrej te Partizani, emri i madh në sportin shqiptar, natyrisht që këtë e kishe merituar. Kështu mendon edhe Mjeshtri i Madh Emin Lishi, kur pyetet për notarin lushnjar Sadik Troka, të cilin edhe e trajnoi te ekipi i Partizanit. “Sadik Troka ka qënë një notar i katërstileve, por shumë kërkues në gara. Ka qënë një kampion dhe rekordmen për t’u admiruar, një ndër notarët më të mirë të Lushnjes para vitit 1990. Te Partizani ka qënë shembullur së bashku me Astrit Karadakun dhe Astrit Çelën, një treshe notarësh kjo që jo vetëm Lushnjen, por gjithë notin shqiptar e përfaqësuan me dinjitet kampionësh. Por duhet thënë edhe fakti, se në Lushnje ata janë stërvitor nga Ëngjëll Shehu, një ish-futbollist që si trajner noti punoi shumë mirë me këtë notarë. Unë e them me siguri të plotë, se Sadiku është një nga notarët më të mirë të katërnotimit në notin shqiptar. E mendoj si një shembull që sot nuk është arritur në asnjë tregues të mirë të tij”.
CV sportive
Sadik Troka
Datëlindja: 1 mars 1967
Vendlindja: Në Lushnje
Vendbanimi: Napoli-Itali
Arsimi: Të Mesme të Përgjithshme
Profesioni: Teknik frigoriferash-Biznes privat
Sporti që ka ushtruar: Notin
Karriera si sportist: Në periudhën 1976-1987 me Lushnjën; në periudhën 1987-1989 me Partizanin, në periudhën 1989-1991 me Lushnjën, notar-trajner
Gara e parë në karrierë: Në vitin 1976 në Lushnje, 50 m delfin në vëndin e tretë
Rekordi i parë kombëtar në karrierë: Në vitin 1984 në Kupën e Shqipërisë në 4X100 Katërnotim
Sukseset si notar: Në garat e 100 m dhe 400 m Katërnotim, kampion dhe rekordmen
Ekipet ku ka garuar në elitë: Lushnja 1984-1987, me Partizanin 1987-1989, me Lushnjen 1989-1991
Tituj e trofe në karrierë: Fitues i Medaljes së Artë në Spartakiadën e 4 Kombëtare; Në Spartakiadën e 5-të Kombëtare merr 2 Medalje Ari dhe thyen 2 rekorde kombëtare në garat 400 m Katërnotim dhe 200 me Delfin
Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1991 në Kupën e Republikës në Lushnje, në 4X100 m Katërnotim
Rekordi i fundit në karrierë: Në vitin 1989 me Partizanin, në Spartakiadën e 5-të Kombëtare
Karriera si trajner: Në vitet 1990-1991 me Lushnjen
Aktualisht: Rezident në Napoli-Itali, Transport publik
Kampion dhe rekordmen, jo vetëm nga pasioni
Në punën si gazetar sportiv, kam folur e shkruar për sportin në qytetin e Lushnjës, por kur mësova për arritjet e kampionit Sadik Troka, u binda se kampion e rekordmen bëhesh nga pasioni, si dhe nga kushtet përgatitore. Por që një notar të stërvitej në rezervuare dhe të dilte kampion në pishinë, kështu ka ndodhur vetëm me Sadik Trokën. Ndaj edhe ky Profil mbetet i veçantë për këtë notar, sepse vinte nga një qytet pa traditë në këtë sport. Së bashku me kampionë të tjerë, Sadiku e krijoi traditën, madje shumë të pasur me rezultatet e titujt kampion, por që kjo u ndërpre në vitet e vështira të tranzicionit në vëndin tonë. Teksa i lexon fjalët me konsiderata për Sadik Trokën si notar dhe si një qytetar i mirë, bindesh se pasioni ka qënë një nga elementët bazë të rezultateve të tyre në Lushnje. Por nuk ndjehesh mirë kur mëson se pishina në këtë qytet është e braktisur!