KATEGORIA E PARË/ Flet për “Telegraf” ish-mbrojtës i Flamurtarit dhe Kombëtares, Mjeshtri i Madh, Rrapo Taho
Agron KAJA

Dje u mbyllën ndeshjet e javës së katërt në Kategorinë e Parë dhe ka qënë skuadra e Flamurtarit që morri tri pikë të vlefshme në transfertën e Kukësit. Një javë me 13 gola të shënuar që sipas Mjeshtrit të Madh vlonjat Rrapo Taho, është një shifër që tregon dy anët e medaljes. “Që janë shënuar 13 gola në javën e katërt të Kategorisë së Parë, kjo tregon nga njëra anë se ata që e kanë pësuar kanë qënë të dobët në lojë, ndërsa ata që kanë shënuar kanë treguar superioritet e saktësi. Me nivelin që ka Kategoria e Parë, nuk mund të themi se është nivel i lartë, por janë disa skuadra që bëjnë diferencën dhe i kanë dhënë më shumë bukuri sfidave të luajtura. Unë i kam parë të gjitha ndeshjet e Flamurtarit, të tjerat në ekranet e televizionit e do thoja se jemi më lart në këtë kategori. Skuadrat e tjera veç Besës që po kryeson, do jenë shumë afër njëra-tjetrës pa diferenca”, ishte ky mendimi i Rrapo Tahos dje për gazetën “Telegraf”, duke u shprehur më pas në katër javë nuk është treguar niveli që mund të pritet në Kategorinë e Parë. “Unë e përmënda më sipër, por do shtoja se në katër javë, Flamurtari edhe pse e nisi me humbje, po vazhdon me fitore dhe kjo është kjo skuadra e pretenduar në fillimin e sezonit. Për skuadrat e tjera them se ka diferenca, madje me ato në fundin e tabelës së renditjes shikoj se do të thellohehen edhe më shumë gjatë javëve në vazhdim. Fitorja në Kukës tregon se skuadra vlonjate është në rrugën e duhur të synimeve të saj, sepse bindi në lojë dhe me rezultat. Tashmë po tregon pretendime serioze dhe po të vazhdojë kështu, do jetë në rrugë të mbarë drejt Superiores. Besoj shumë se në dy javët e ardhshme që Flamurtari luan dy ndeshje në Vlorë, me Apoloninë dhe Valbonën, jo se e favorizon kalendari, port ë tregojë se kreu duhet të jetë objektivi primar”. Një parashikim për ecurinë e këtij sezoni, Mjeshtri i Madh Rrapo Taho dy skuadra i mendon si pretendente për kampione, ndërsa në Play-off dhe rënie nga kategoria ende nuk ka një parashikim të përafërt. “Patjetër që Flamurtari dhe Besa po tregojnë se do jenë ato skuadrat që do hyjnë direkt në Abissnet Superiore. Do jetë luftë e fortë deri në fund, sidomos në fazën e tretë të kampionatit ku realizimi i synimeve për çdo skuadër bëhet edhe më i ashpër. Do uroja që gjatë stinës së dimrit që duket sikur po troket me këtë vjeshtë të ftohtë, kur terrenet rëndohen, të kemi lojra të mira nga çdo skuadër në luftën sportive për synimet e tyre”, ishte kjo biseda me mjeshtrin e futbollit vlonjat dhe atij kombëtar, Rrapo Taho.
LEGJIONARËT
Jasir Asani shënon tripletë në Champions-in e Azisë

Edhe pse ka qënë në fokusin e merkatos së verës, Jasir Asani ka qëndruar përsëri te skuadra e Gunagju në Korenë e Jugut. Ky rikthim ka qënë i suksesshëm, ku pas disa golave në kampionat, sulmuesi kuqezi bëhet protagonist edhe në Ligën e Kampioneve të Azisë. Në përballjen e ditës së martë që skuadra e tij e fitoi thellë 7-3 ndaj Jakohama Marinos të Japonisë, Asani shënoi tre gola, por dha edhe një pasim goli. Vetëm 2 minuta i kanë mjaftuar atij për të zhbllokuar shifrat e kësaj sfide, njëherësh ky ka qënë edhe goli i parë për të në këtë kompeticion. Asani nuk është ndalur me kaq, ku në minutën e 55-të realizoi dygolëshin dhe në minutën e 69-të dha pasimin e golit të shënuar nga Mikeltadze. Në fundin e ndeshjes shënoi edhe golin e tretë të tij në këtë sfidë, duke e vulosur rezultatin në shifrat 7-3.
Lajm i mirë, Kristian Asllani deri në 2028 zikaltër

Pas një paraqitje të mirë që bëri të dielën në sfidën Monza-Inter 1-1, mesfushori kuqezi Kristian Asllani bëhet protagonist i merkatos. Ai do të vazhdojë rrugëtimin e tij te Interi, e kështu ka vendosur t’u japë fund zërave për transferim e tij, duke i rinovuar kontratën me skuadrën zikaltër. FC Inter bëri të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale se ka zgjatur deri në verën e vitit 2028 marrëveshjen me mesfushorin shqiptar, i cili tashmë duket se është kthyer në një alternativë e rëndësishme për trajnerin Inzagi. Në tre sezone me Interin, Asllani ka fituar 4 trofe: Superkupën e Italisë në 2022 dhe 2023, Kupën e Italisë në vitin 2023 dhe titullin kampion në sezonin 2023-2024. Ky është një lajm i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare në prag të ndeshjeve në Ligën e Kombeve, pasi Asllani është titullar i mesfushës.
E VEÇANTA E JAVËS 4
Mazrekaj, tripletë dhe topi i parë në karrierë
Me golat e tij, Mentor Mazrekaj po e merr Besën përdore drejt rikthimit në Superiore. Sikurse është traditë, ai që realizon 3 gola në një takim të vetëm merr dhuratë topin me të cilin u luajt në ndeshjen Besa-Kastrioti 3-0. Por kapiteni nuk pranoi topin e lojës pa marrë firmat e gjithë shokëve të ekipit, që me radhë nënshkruan në dhomat e zhveshjes.

KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java 4
Datë 15 shtator 2024
Burreli-Pogradeci 1-0
Erzeni-Korabi 0-2
Apolonia-Lushnja 0-1
Datë 16 shtator 2024
Besa-Kastrioti 3-0
AF Vora-Valbona 2-1
Datë 17 shtator 2024
Kukësi-Flamurtari
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Besa 4 12
5.Flamurtari 4 9
3.Vora 4 9
4.Burreli 4 8
5.Lushnja 4 7
6.Korabi 4 5
7.Apolonia 4 4
8.Valbona 4 4
9.Kastrioti 4 4
10.Pogradec 4 3
11.Kukësi 4 3
12.Erzeni 4 0






















