Ronaldo për rivalitetin me Mesin: Mesit i djeg kur unë fitoj trofe, ashtu si edhe mua kur fiton ai

558
Sigal

Në intervistën e fundit të dhënë për një televizion portugez, ndër shumë tema të tjera, Kristiano Ronaldo nuk mund të anashkalonte pa përmendur edhe duelin tij me Leo Mesin. Një sfidë e cila i ka shoqëruar futbollistët për gjatë gjithë viteve të karrierës teksa të dy kanë dominuar në 10 vitet e fundit. Sulmuesi portugez është shprehur se rivaliteti i ka përmirësuar të dy, ndërsa shton se Mesit i djeg kur ai fiton trofe ashtu si edhe atij kur trofetë i merr argjentinasi.

“Nuk kam dyshime se Mesi më ka bërë një futbollist më të mirë dhe e kundërta. Kur unë fitoj trofe atij duhet t’i dhembë, ashtu si edhe mua kur ai fiton trofe. Realisht e admiroj karrierën që ka pasur dhe ai ka treguar se i ka ardhur keq kur jam larguar nga Spanja sepse ai e vlerëson rivalitetin. Është një duel, rivalitet i bukur por nuk është i vetmi.

Majkëll Xhordan kishte në basketboll, Sena dhe Prost në Formula 1. Ajo që kishin të përbashkët është se kishin një rivalitet të shëndetshëm. Kam një marrëdhënie profesionale të shkëlqyer me Mesin sepse kemi ndarë shumë momente për 15 vite. Nuk kemi pasur rastin të darkojmë asnjëherë së bashku deri më tani, por nuk shikoj asnjë arsye pse të mos e bëjmë në të ardhmen”, u shpreh Ronaldo.