Real Madrid-Man.City/ Guardiola i qartë: Duhet t’u shënojmë, Ancelotti: Kemi cilësi

14
Sigal

Real Madrid dhe Man.City do të përballen mbrëmjen e sotme, ora 21:00 në kuadër të çerekfinaleve të Champions League.

Kjo sfidë është maksimumi që mund të ofronte ky kompeticion madhështor në këtë fazë, një duel që premton emocione.

Është e vështirë të flasësh për favoritë në një përballje të tillë, ku diferenca mes dy ekipeve është e vogël, për Ancelottin, diferencën do ta bëjë gjendja mentale:

Aspekti mental është i rëndësishëm. Duhet të kemi guxim dhe personalitet në fushë. Kam shumë besim se do të japim maksimumin, kemi mjaftueshëm cilësi për të konkurruar. Çfarë kam mësuar nga një vit më parë? Që luajtëm pa personalitet dhe guxim, sigurisht mungoi edhe goli”, u shpreh Ancelotti duke u ndalur më pas te disa individë si Vinicius Jr:

Në këtë sfidë do të jenë përcaktues lojtarët me më shumë cilësi. Janë shumë lojtarë nga të dy ekipet që kanë cilësi të lartë. Bellingham? Është një lojtar fantastik, ndodhet gjithnjë në vendin e duhur, edhe në zonë. Fizikisht është shumë i fortë, është shumë i pjekur edhe pse 20 vjeç. Është shumë profesionist, më befason, por jo si lojtar, por si person”, theksoi ndër të tjera Ancelotti i cili nuk preferoi të zbulojë asgjë në lidhje me formacionin që do të sfidojë Man.City.

 Me emocion e pret edhe Pep Guardiola këtë përballje: “Kemi një avantazh të lehtë, ndeshja e kthimit do të luhet në fushën tonë, aty ku e dimë që jemi shumë të fortë. Të thyesh Real Madrid është e vështirë, ta bësh diçka të tillë si një vit më parë është thuajse e pamundur. Objektivi ynë nuk është të vijmë këtu dhe të kontrollojmë ndeshjen, duhet të përpiqemi të ndëshkojmë Realin, t’i shënojmë gol. Këtu te Man.City nuk mjafton që të fitosh vetëm një herë Champions League”, u shpreh ndër të tjera Pep Guardiola në konferencë për shtyp.