Projekti i ri i Gjermanisë, Hansi Flick do një kombëtare “Made in Bayern”

185
Sigal

Hansi Flik do të nisë nesër zyrtarisht aventurën e tij të re me kombëtaren gjermane. 56-vjeçari do të zërë vendin e Joakim Lëvit i cili u largua pas eliminimit nga Europiani. Për futbollin gjerman do të nisë kështu një epokë e re me një trajner që fitoi gjithçka me Bajernin e Mynihut në 18 muaj. Pikërisht nga këtu kërkon të riniset edhe vetë trajneri i cili mendohet të drejtojë Gjermaninë me të njëjtin model si te kampionët e Gjermanisë.

1.BOSHTI BAVAREZ

Që lojtarët e Bajernit kanë qenë dhe janë një aks i rëndësishëm në skuadrën gjermane kjo nuk është një gjë e re. Nojer-Zyle-Kimish-Gorecka-Myler-Gnabri dhe Sane do të jenë edhe me Flikun protagonistë në këto tri ndeshje kualifikuese që do të luhen në këto shtatë ditë. “Te Bajerni dinë se si të luajnë dhe të fitojnë ndeshje të mëdha”, shprehej Fliku për “Bild”. Gjithçka do të rrotullohet te ky bosht i cili do të shërbejë edhe si pikë orientimi për pjesën tjetër të skuadrës.

2.DISIPLINË DHE QEJF

“Marrëdhënia që ka Hansi me lojtarët është e njohur botërisht. Në 18 muaj që drejtoi Bajernin, asnjë lojtar i vetëm nuk foli keq për të. Përkundrazi, të gjithë vlerësonin sinqeritetin e tij dhe faktin që ai vlerësonte të gjithë lojtarët i tregonte atyre se çfarë shkonte dhe çfarë jo në lojën e tyre. Ky raport me futbollistët e ndihmoi atë për të formuar një grup të bashkuar i cili luante për skuadrën dhe nuk lakmonte suksese personale. Por, Hansi dinte dhe si të argëtohej. Seancat stërvitore te Bajerni ktheheshin shpesh në shfaqje komike me lojtarë që qeshnin dhe gëzonin me lojërat që aplikonte trajneri. Së pari, puna që bëjmë duhet shikuar dhe të bëhet me qejf, nëse kjo nuk ndodh është e kotë që punojmë”, shprehej Flik në kohën kur drejtonte kampionatet e Gjermanisë.

3.MENTALITETI FITUES

Gjermania është e uritur për të fituar, për t’u rikthyer edhe njëherë në majën e futbollit Botëror. Dhe kush mund ta bënte këtë më mirë se Fliku, një trajner që provoi shijet e të gjithë trofeve te Bajerni në vetëm një vit e gjysmë. Hansi kërkon të fitojë dhe kërkon ta bëjë sa më shpejt, në Gjermani puna nuk pret kur bëhet fjalë për sukses.