Prof. As. Dr. Xhevdet ZEKAJ/ Lamtumirë e vonuar për Pandeli Panon!

945
Sigal

Edukoi me përkushtim, nga breza të tërë mësuesish e drejtuesish. Pano ishte një zë kurajoz, i guximshëm e vizionar. Ikona e Arsimit të Vlorës

 Në kësi rastesh është vështirë të shkruash, sepse Pandeliu u nda prej nesh pa zhurmë, pa ankesa, pa lodhur kurrkënd, pa kërkuar asgjë, edhe pse ka dhënë shumë. Pandeliu ishte inkurajues që nuk e njihte dëshpërimin, gjente shpresë edhe kur dukej se ajo ishte arratisur, të krijonte mundësi e të shpaloste hapësira, ku të mund të evidentoje vlerat, të cilat ai mendonte se i kishe dhe që,ndoshta, kurrë nuk do të shpërfaqeshin, po të mos hapte Mjeshtri ynë, me çelësin e tij mënçuror, portat e shpirtrave tanë, duke derdhur në to vlera nga vlerat e veta dhe të bënte të ndjeheshe i arrirë. Pandeli Pano do të mbetet i nderuar e i respektuar nga breza të tërë nxënësish që i mësoi dhe i edukoi me përkushtim, nga breza të tërë mësuesish e drejtuesish që, në formimin dhe kualifikimin si të tillë, ndjeshëm ka ndikuar përvoja e këtij metodisti të shkëlqyer, rrezatuar kjo, jo vetëm në shkollat dhe mësuesit e qytetit të Vlorës, por edhe në rang kombëtar, sidomos për problemet e riorganizimit të shkollës dhe forcimit cilësor të saj, qoftë nëpërmjet referimeve për strategjinë kombëtare të zhvillimit të arsimit, pjesëmarrjes në grupe pune për hartimin dhe miratimin e programeve dhe platformave të zhvillimit të arsimit tonë kombëtar, qoftë edhe nëpërmjet punës direkte me mësuesit e drejtuesit e shkollave dhe të arsimit, në të gjitha rrethet e Shqipërisë, në përbërje të grupeve të punës të Ministrisë së Arsimit. Është ky përkushtim e pasion për punën, që ka bërë të vlerësohet me medalje e Urdhra, si dhe me titullin e lartë “ Mësues i merituar”. Në kësi rastesh është vështirë të shkruash, sepse, duan apo nuk duan ata në Vlorë ( është fjala për Bashkinë, Drejtorinë Arsimore, gazetarët, etj.), ka mall, dhimbje e mirënjohje për ish- shefin elegant dhe vizionar të Kabinetit Pedagogjik të Vlorës, Pandeli Pano, padyshim, ikona e Arsimit të Vlorës, një personalitet shumëplanësh që, me profesionalizmin tij, dinte të ishte vital e vizionar për të dalë jashtë kornizave e që i dha frymëmarrje dhe liberalizëm arsimit vlonjat. Ai ishte enciklopedi ku përmblidheshin të gjitha filozofitë: e jetës, punës, e besimit, optimizmit, e shoqërisë, e detyrës, e mirëkuptimit dhe mirënjohjes. Të gjitha të ndërthurura në mënyrën më harmonioze në pamjen dhe në shpirtin e tij, të pleksura e përkëdhelëse këto si dallgët e harlisura bregut të detit që aq shumë e donte, ashtu i gurgullonte mirësia prej shpirtit dhe gjente kohë e vend të të përshëndeste nga çdo pjesë e qenies së tij: nga flokët, ku dukej se ishin ngatërruar gjithë erërat e kohës dhe ai i qetëson me ëmbëlsi; nga balli i tij, që nuk u zhubros qoftë edhe njëherë të vetme prej rrudhave të mërzisë e të hakërrimit; nga sytë e tij, ku si ujëvarë e pashtershme derdhej vetëm urtësi e butësi; nga goja e tij, ku fjalët rridhnin si kënga e bilbilit. Një burrë i ditur, i mirëarsimuar, një menaxher e administrator i madh, që fliste plot pasion për arsimin dhe jepte rrugëzgjidhje për problemet, në thelb të të cilave ishte vizioni për një arsimim të thelluar, të liruar nga burokracia dhe pak liberal, përse jo, nganjëherë edhe me risk për kohën që jetonim. Pandeliu ishte miku i të gjithëve, dhe nuk kishte aktorë arsimi që s’e kishte ndier korrektësinë dhe komunikimin njerëzor e plot kompetencë të tij, i cili kishte në karakter një kompozim interesant me cilësitë kryesore të bregdetasve profesionistë, të urtë e punëtorë, me ashpërsinë, drejtësinë dhe besnikërinë e labëve, prakticitetin e çamëve etj, Ai ishte dhe është një personalitet në altarin e arsimit vlonjat, ai ishte dhe është atje, në nderin e Vlorës! Pandeliu nuk i donte lëvdatat, fletëlavdërimet, interesat, servilët etj. Po t’i ishim pranë, çasteve të fundit të jetës, me siguri do të na do të thoshte: Më lini të iki pa zhurmë, pa asnjë përkujdesje e aq më shumë me homazh militantësh partiakë dritëshkurtër, të përgojuar e turpëruar keqas, që as edhe deti nuk i lan dot mëkatet e tyre. Pandeliu ishte një shkollë e vërtetë komunikimi për shokët, miqtë e kolegët dhe kemi qenë me fat e të privilegjuar që punuam bashkë me të në proceset e reformave të arsimit, ku zëri i tij ishte i gjithëgjendshëm e plot autoritet në parashtrimin e platformave edhe në shkallë kombëtare. Një zë kurajoz, i guximshëm, vizionar, që s’e humbiste fillin edhe në rrethana pështjelluese, por që i shpërfillte ato. Aktivist shoqëror i palodhur, anëtar themelues i shoqatës “Këshilli rajonal i prindërve”, iniciator i themelimit të “Konfederatës kombëtare të prindërve të Shqipërisë”, në kuadër të së cilës ka referuar dhe në takime ndërkombëtare, si në Tiranë, Podgoricë, Athinë, Sofie dhe Pragë. Korrespondent i gazetës “Mësuesi” dhe “Sporti Popullor”, i angazhuar për zhvillimin e lëvizjes fizkulturore-sportive, si anëtar i sportklub “Flamurtari”, komentator sportiv i Radio Tiranës dhe Televizionit shqiptar! I tillë ishte Pandeli Pano, njeri me vlera intelektuale të spikatura, me kontribute të shquara në një sërë fushash të jetës; të gjitha këto të përpunuara brenda mençurisë e filozofisë popullore, duke iu përmbajtur parimit : “Në komunikim, gjëja më e rëndësishme është të dëgjosh atë që nuk thuhet”. Kjo ishte arsyeja që mësuesi ynë Pandeli Pano fliste pak, por njëkohësisht komunikonte shumë. Ai e çmonte kohën, sepse e donte jetën, sepse donte ta jetonte atë, ndaj nuk reshti së pohuari se “..jam mirë shëndetërisht dhe plot pasion, për të kontribuar në edukimin e brezave të rinj të qytetit tim”. Kjo është forcë, është këshillë, është mësim! Kultura e një kombi shfaqet në respektin ndaj figurave të tilla dhe na shtrëngon keqas neglizhenca, shurdhëria dhe dritshkurtësia për të mirin Pandeli Pano. I bashkohemi dhimbjes së familjarëve: Natashës, bashkëshortes së përkushtuar; Iridës dhe Altinit që u ndanë kaq papritur prej atit të tyre, si të donte të mos bezdiste njeri. Fisnikët kështu ikin, duke krijuar një boshllëk, por për ta mbushur atë me krenarinë që lënë pas. Në Vlorë nuk u bë asnjë ceremoni për humbjen e largimin e këtij personaliteti, ndërkohë që nuk kanë mbetur pa u vlerësuar injorantë dhe mediokër, të paafta dhe të paftë, por ata në emër të partive, kurse partia e Pandeliut ishte atdheu, profesioni, mësuesia, familja, ndershmëria, miqtë e përkushtimi serioz… Aq më keq, që në Shqipëri dhe në Vlorë, edhe gazetarët heshtën dhe nuk shkruan. Nuk shkruan për pedagogun e madh, intelektualin e shquar e gazetarin e talentuar, që shpesh thoshte: “Në këtë botë të gjithë luftojmë të fitojmë, edhe pse do vdesim!” E thoshte këtë lidhur me kontributin që duhet të lerë secili në këtë botë. Pandeli Pano u largua pa zhurmë dhe pa tamtame burokratësh partiakë, ashtu siç ai dëshironte. Por ne e donim atë të nderuar e të lëvduar, të bëhej ai homazh nderi për ne, të gjallët, për të thënë që, të paktën, në vdekjen të jemi bashkuar dhe të vlerësojmë vlerat. Dhe vlera si Pandeli Pano janë të pakta në Vlorë… Lamtumirë, i dashuri ynë, Pandeli! U prehtë në paqe e qetësi shpirti yt i lirë!