Presidentja e Federatës Kombëtare të Motoçiklizmit, Julinda Dhame: Rally Albania 2024 promovoi Tiranën dhe Shqipërinë e pa shkelur 

U zhvillua edicioni i 20-të i eventit automobilistik, Presidentja e Federatës Kombëtare të Motoçiklizmit, Julinda Dhame tregon detaje, itinerarin dhe fituesit 

Agron KAJA

Rally Albania 2024 ishte një ngjarje që përmblodhi frymën e garave motorrike dhe bukurinë e peizazheve shqiptare, duke sjellë bashkë garues dhe tifozë nga e gjithë bota në një festë të madhe të sportit dhe aventurës. Ky edicion jubilar mbeti në zemrat e pjesëmarrësve dhe spektatorëve, duke vendosur standarde të reja për të ardhmen e këtij eventi të mrekullueshëm

Rally Albania 2024, një nga eventet më të mëdha të garave në rajon, përmbylli edicionin e tij të 20-të me një spektakël të jashtzakonshëm. Nisur më 8 qershori dhe për të përfunduar më 15 qershor, kjo garë magjepsëse filloi dhe mbaroi në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, duke kaluar përmes destinacioneve të mrekullueshme, si Qeparo, Korçë dhe Shëngjin. Rally Albania solli një përzierje të pazakontë të emocioneve, garave të ashpra, aksidenteve dramatike dhe triumfeve prekëse.

NOA

Me mbi 300 garues nga 25 vende të botës, Rally Albania 2024 ishte një arenë ndërkombëtare ku përballeshin 19 kampionët e edicioneve të mëparshme, më të mirët e sportit motorrik. Gara u karakterizua nga një ndjenjë e lartë konkurruese, me garuesit, që sfiduan terrenet e vështira të Shqipërisë dhe demonstruan aftësitë e tyre në kushte ekstreme. Emocionet dhe adrenalina ishin të pranishme në çdo kilometër të rrugës, ndërsa nuk munguan dhe problemet me makinat, apo mungesën e parkimeve në hotele veçanërisht në veri të Shqipërisë. Në kategorinë e motorrëve, italiani Filippo Pietri u kurorëzua kampion, duke treguar një performancë të shkëlqyer përgjatë gjithë garës. Pas tij renditej një tjetër bashkëkombas i tij Christian Pastori dhe çeku Vojtech Sekanina, të cilët gjithashtu shfaqën një nivel të lartë të aftësive dhe qëndrueshmërisë. Në kategorinë e kuadëve, belgu William Wilkin arriti të marrë vendin e parë, ndërsa një gjerman si Stefan Schürzinger mori vendin e dytë ndërsa slloveni Joze Zalar plotësuan podiumin me paraqitje të jashtzakonshme. Kategoria e makinave u dominua nga duo-ja kosovare Denis Hyseni dhe Alban Hyseni, të cilët mbizotëruan garën me strategjinë dhe shpejtësinë e tyre. Nga Hungaria erdhën për të rrëmbyer vendin e dytë Mihaly Eigner dhe Pál GrünWald, ndërsa holandezët Maurice Ubachs dhe Maurice Van Weersch mbyllën podiumin. Në kategorinë SSV, belgët ditën të jenë triumfues duke rrëmbyer vendin e parë me Nicolas Hoogsteyns dhe Johan Ëiertz, me bashkëkombësit Simon Piedboeuf dhe Marc Borget në vend të dytë ndërsa francezët do të mund të merrnin vendin e tretë me Philippe Pinchedez dhe Paul Durame që plotësuan podiumin. Tashmë mbetet gara e sezonit të ardhshëm, në të cilën kampionët e pjesëmarrësit, si promovues të vlerave dhe të natyrës shqiptare, do të sjellin më tepër garues,

Edhe pse ka përfunduar gara e Rrally Albania 2024, është e rëndësishme të dimë angazhimin e Bashkisë Tiranë në këtë event, dhe të bashkive të tjera?

Po, ishin disa bashki që morën pjesë organizimin si Tirana, Korça, Himara dhe Lezha. Por në Tiranë u dha starti nga kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj, i cili i përshëndeti të gjithë garuesit, njëherësh edhe si një ish-garues në edicionet e kaluar.

Mes spektaklit dhe garimit, ju si e përshkruani garën e Rrally Albania 2024?

Rrally Albania 2024 ka qënë një nga garat më të vështira, për faktin se kaloi në 265 fshtara të Shqipërisë, duke bërë njëherësh promovimin e ambienteve dhe të natyrës, që nuk shihen nga kalues të zakonshëm, me male, kodra e lumenj.

Si e mundësuat që në këtë garë të merrnin pjesë mbi 300 garues nga 25 vënde të Botës?

Ky ishte edicioni i 20-të dhe garuesit bashkëpunojnë mes tyre në këto 20 vite. Kjo është gara më e njohur në Europë, pas asaj të Rrally Dakar, e cila është ndërkombëtarizuar. Në vitet e kaluara kanë qënë vetëm fitues shqiptarë, tani janë vetëm të huaj, çka tregon se gara është bërë më e fortë dhe më konkurruese.

Po nga Shqipëria si foli kjo garë, veç pjesëmarrjes kishte edhe fitues?

Nga Shqipëria nuk kishte asnjë fitues, sepse ata që garojnë nga vëndet e tjera janë më shumë konkurrues dhe me më shumë eksperiencë në këtë garë. Gjithsesi, kjo nuk i zbehu vlerat e garuesve shqiptarë, të cilët ishin konkurrues.

Kishit përzgjedhur një destinacion shumë të veçantë (Tiranë, Qeparo, Korçë dhe Shëngjin), pse me kaq hapësirë?

Sepse janë 1700 kilometra në të gjithë territorin shqiptar. Kemi kaluar gati 40 bashki dhe fati i madh që gjatë garës në nëntë ditët e saj nuk patëm aksidente të rënda, vetëm gjëra të riparueshme. Edhe ky tregues është një sukses më vete.

Në ecurinë e saj prej një jave gara, kishit momente delikate që sjellin vështirësitë e terrenit apo të garimit?

Momentet delikate erdhën më shumë për shkak të garuesve, sepse ata duhet të jenë më shumë të vëmëndshëm sipas itinerarit të përcaktuar. Kjo ishte kryesore, ndoshta edhe njohja e pakët e terrenit prej tyre ishte një shkak.

Cila ishte sipas jush gara më e veçantë, që solli më shumë adrenalinë dhe rivalitet mes garuesve?

Gara më e bukur ka qënë Korçë-Gramsh-Korçë. Jo vetëm për terrenin, por edhe për bukuritë natyrore që ka në këto zona të Shqipërisë. Do veçoja edhe spektaklin në zonën e Tiranës, në Martanesh-Bizë-Baldushk-Vaqarr, etj.

Ju si Presidente e Garës Rrally Albania 2024, me çfarë përfundimi dolët për zhvillimin e kësaj gare?

Kjo garë është e bukur, sepse Shqipëria është e bukur. Pa ndihmë e Policisë Rrurgore dhe atyre Bashkiake, të njerëzve që e shohin dhe e shijojnë, kjo garë nuk do ta kishte hijeshinë e plotë të saj. Tashmë ajo e promovon Shqipërinë në 25 vënde të botës. Sepse garuesit nuk janë vetëm sportistë, por edhe biznesmenë nga fusha të ndryshme.

Kur do të organizohet gara e ardhshme, dhe do na ftoni në “sofrën” e saj?

Kjo tashmë është një traditë e programuar, një calendar, që shtrihet vit pas viti, ndërsa përcaktimi i saktë bëhet me fillimin e vitit të ardhshëm. Por ne ende jemi në “ëndrrën” e garës që mbyllëm, sepse e meriton të kujtohet gjatë në kujtesën tonë që e shijuam.

Kjo garë është e bukur, sepse Shqipëria është e bukur. Pa ndihmën e Policisë Rrurgore dhe atyre Bashkiake të njerëzve që e shohin dhe e shijojnë, kjo garë nuk do ta kishte hijeshinë e plotë të saj. Tashmë ajo e promovon Shqipërinë në 25 vënde të botës.

default

PROGRAMI I GARËS

Ceremonia e Hapjes

Sheshi “Nënë Tereza”

Datë 8 Qershor 2024

Prologu i garës në Tiranë

Datë 9 Qershor 2024

Etapa 1: Tirana – Qeparo

Datë 10 Qershor 2024

Etapa 2: Qeparo – Qeparo

Datë 11 Qershor 2024

Etapa 3: Saranda – Korça

Datë 12 Qershor 2024

Etapa 4: Korça – Korça

Datë 13 Qershor 2024

Etapa 5: Korça – Shëngjin

Datë 14 Qershor 2024

Etapa 6: Shëngjin – Tirana

Datë 15 Qershor 2024

Epilogu: Tirana – Tirana

Ceremonia e mbylljes

Sheshi “Nënë Tereza”