Po “luhet” me tifozët jashtë fushe, biletat me Danimarkën tregtohen në hije

497
Sigal

Në ndeshjen me Serbinë nuk do ketë tifozë nga Shqipëria, por shqiptarë po

Kryefjala e futbollit duhet të jetë “loja”, por fatkeqësisht në vendin tonë është “bileta”. Kjo po ndodh (ashtu siç ka ndodhur gjithmonë) edhe në ndeshjen ndaj Danimarkës, ku kërkesat janë, biletat nuk janë. Situatë e çuditshme në fakt pasi të mërkurën, siç e kemi cekur më përpara, filluan “zyrtarisht” shitjet e biletave. Por mesa duket para datës së vendosur paraprakisht, ka pasur edhe “shpërndarje” të tjera që pa të keq do i quajmë nën dorë. Ditën e mërkurë, sidomos në Elbasan situata ishte shumë shqetësuese, ku jo vetëm nuk u shiten biletat, por as nuk u hapen sportelet, vetëm ndryshohej orari i paraqitjes sa në 08:00, 11:00, 13:00 deri në- s’ka bileta për sot. Po ta marrim çështjen nga fillimi për çështjen e biletave me Danimarkën, në fakt do vëmë re se pikë së pari pati reagime të ashpra, dhe sigurisht që të drejta, nga tifozët për çmimin e lartë të biletave dhe së dyti janë po këto bileta që nuk vihen në duart e tifozëve që pavarësisht çdo gjëje, domethënë pavarësisht kushteve ekonomike, vendosen që ta ndiqnin ndeshjen nga stadiumi. Na ndajnë edhe dy ditë nga ndeshja, por pajisja me bileta është një temë që nuk është cekur siç duhet nga qeveria e futbollit shqiptar. Kemi të bëjmë me shkelje flagrante, ku biletat ose shumica e tyre shiten, jepen falas, me gjysmë çmimi ose në ndonjë formë tjetër tek të afërmit e kësaj “qeverie” sportive shumë kohë para se të nxirren zyrtarisht në treg dhe pjesa që mbetet për tifozët e thjeshtë, ata tifozë që e ndjekin me zemër Kombëtaren, është thjeshtë qesharake. Por më qesharak është fakti ose më saktë qëndrimi indiferent i FSHF që duhet të reagojë për të vendosur rendin e munguar në këtë pjesë. Në fakt ky është një problem i madh që tregon edhe një herë mangësitë organizative në raste të tilla. Dukej se çdo gjë po shkonte mirë në ndeshjen ndaj Danimarkës, stadiumi po, skuadra po, miqësorja po, stërvitja po e në fund të fundit një “Jo” e madhe është për tifozët dhe praninë e tyre në stadium. As nuk e vë në dyshim që stadiumi do jetë plot me tifozë, ajo që vë në dyshim është se ku i morën biletat në qoftë se sportelet nuk u hapen deri dy ditë para ndeshjes?

Serbia vazhdon të këndojë të njëjtën këngë për biletat

Biletat gjithmonë problematike për këto dy ndeshje të Kombëtares në çdo këndvështrim. Ndeshja me Serbinë kalon kufijtë e etikës se drejtuesve serb, vendimet jepen njëherë e tërhiqen dy herë. Kështu edhe në këtë rast, mendohet se përsëri nuk do të lejohen tifozët shqiptarë të udhëtojnë në Serbi për të mbështetur Kombëtaren. Ky vendim do merret në qoftë se Federata jonë nuk plotëson kushtet e vendosura nga homologët serb, e mesa duket nuk do të plotësohen pasi afati përfundimtar i vendosur është data e sotme. Aktualisht për këtë çështje ka folur për herë të parë edhe Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Karaxhiç, i cili tha se do të merren masa të mëdha sigurie në rast të pranisë së dy tifozerive, por në qoftë se FSHF nuk pranon kushtet e vendosura më parë nga ata, nuk do të lejohet as edhe një tifoz shqiptar të kalojë kufirin. Nisur nga kjo mesa duket tifozët shqiptarë nuk do të jenë të pranishëm. Por çdo rregull e ka një përjashtim dhe në këtë rast përjashtimi janë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të Bujanovcit, ku llogaritet se do të jenë mbi 500 të pranishëm që kanë arritur të sigurojnë bileta me çmime edhe deri në 50% më shtrenjtë. Kjo krahinë e populluar nga shqiptarët por e përfshirë në territorin serb do të jenë përfaqësuesit e tifozerisë shqiptare me 14 tetor dhe nuk mund të ndalohen të jenë të pranishëm në stadium si në rastin e të gjithë shqiptarëve të tjerë. Ndërsa përsa i përket tifozëve shqiptar jashtë territorit të Serbisë, aktualisht nuk bëhet e ditur të ketë ardhur një shkresë zyrtare për FSHF-në që ta lajmërojë zyrtarisht për këtë çështje. Aktualisht FSHF disponon 1125 biletat e dhëna nga Federata Serbe dhe në qoftë se tifozët tanë nuk do të shkojnë, pala serbe ka shprehur dëshirën që FSHF të bashkëpunojë në kthimin e biletave pas duke qenë se nuk do të përdoren. Mbeten edhe vetëm 4 ditë nga ndeshja por përsëri edhe këtu asgjë nuk është zgjidhur për praninë e tifozerisë kuq e zi në stadium.

Trafik dhe korrupsion me biletat e ndeshjeve

Elbasani  mbushet me sekserë me logon  e “FSHF”

 Tefik  OSMANI

 Kur akoma  nuk ka nisur zyrtarisht funksionimi i “Elbasan Arena”  stadiumit që kushtoi mbi 5.5 milion euro plus aksesorët e tjerë infrastrukturorë, në Elbasan ka nisur trafiku dhe korrupsioni me shitjen e biletave. Sekserë dhe njerëz anonimë, me logon e  “FSHF”, me makina luksi, dhe çanta të mbushura me bileta për ndeshjen me Danimarkën, janë dukur në Elbasan, në qendër dhe lagjet e tij. Ata njoftonin dhe shisnin bileta me logon e “FSHF”, me çmimin e reklamuar, madje kishte raste kur çmim i arsyeshëm është  ofruar edhe për  tribunën   qendrore, gjë e cila ngjallte dyshime. Trafiku dhe korrupsioni me biletat e stadiumit “Elbasan Arena”  po ndodh në ditët e fundit të mbetura për ndeshjen me ekipin e Danimarkës, ndërkohë që në takimin e të mërkurës, kur  U-19 u ndesh me ekipin tonë të Kombëtares, sekserët e ardhur nga Tirana, kanë ndarë bileta falas, në qendër, dhe në lagjet e qytetit. Sipas një qytetari nga Elbasani “mua më dhanë bileta me 5 mijë leke te vjetra dhe ishte madje në tribunën  qendrore, fare pranë elitës së politikanëve të  ardhur nga Tirana”. Trafiku dhe korrupsioni me biletat e ndeshjeve  ndërkombëtare në Elbasan, mbetet një shenjë e keqe  dhe  një  fillim i vështirë për  një funksionim  normal dhe ligjor të këtij investimi , ku pretendohet se do të zhvillohen ndeshjet ndërkombëtare dhe veprimtaritë e tjera sportive, duke nisur nga kampionatet e atletikës e deri tek evenimentet e tjera  të rëndësishme rajonale dhe  europiane sportive. Gazeta “Telegraf” ka informacione për trafikun dhe korrupsionin me biletat e ndeshjeve  nga persona të panjohur, por që deklaronin se ishin të FSHF. Kjo gjë mund të prishë shumë shpejt  imazhin  e këtij institucioni tek tifozët dhe sportdashësit elbasanas dhe më gjerë, pasi  edhe në ndeshjen miqësore të së mërkurës, i vetmi sportel legal  në qendër, ku janë mbledhur mbi 2500 persona, nuk ka shitur më shumë se 1 mijë bileta, ndërkohë  që stadium  ishte mbushur  plot. Ashtu si çdo gjë e re e cila vjen me risi, edhe stadium i ri “Elbasan -Arena”  duhej të kishte të veçantat e veta, ndërkohë që e nisi me “këmbën e keqe”.  Kjo urojmë të mos ndikojë në rezultatet e ekipit tonë Kombëtar të futbollit, për ndeshjen me Danimarkën e më pas  me Serbinë. Trafiku dhe korrupsioni me biletat  duhet  të  vërë në lëvizje strukturat e shtetit, për të zbuluar dhe goditur  rrjetin i cili nisi aktivitetin e tij qysh në ndeshjen miqësore, akoma  pa u kryer inaugurimi  zyrtar i stadiumit, që nga pardje ka marrë përmasat e atij kombëtar. Shitja e biletave duhet të bëhet nga  agjenci dhe agjentë legalë të FSHF, madje të kenë edhe godinën me logon e tyre, për  ti mbyllur  shtegun  abuzimit, korrupsionit, trafikut  dhe akuzave nga tifozët dhe sportdashësit  për  strukturën më të lartë të futbollit shqiptar.