Xhemal Mustedanagiç: “Shqipëria ka potenciale të mëdha”

543
Sigal

 Trajneri boshnjak i Komëtares U-17 flet për “Telegraf” pas hedhjes së shortit të Kampionati Europian

Trajneri boshnjak i Kombëtares U-17, Xhemal Mustedanagiç, ishte shumë i kënaqur me shortin e Kampionatit Europian 2013-2014, ku Shqipëria do të jetë në një grup me Bjellorusinë, Rumaninë dhe Finlandën. Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen në vendin tonë, nga datat 18-23 tetor 2014. “Është një grup aspak i lehtë, – tha ish-ndihmësi i Josip Kuzhesë. – Por, fakti që, ndeshjet kualifikuese do të luhen në Shqipëri, jam i bindur se do t’i motivojë më shumë djemtë”. Para dy sezonesh eliminatore, Shqipëria U-17 u kualifikuar për herë të tretë në historinë e saj, në fazën e “Elite Round”, pra midis 28 ekipeve më të mira të Europës, duke bërë një paraqitje shumë të mirë. “Kam një grup të mirë lojtarësh. E them me bindje të plotë se, Shqipëria ka lojtarë të talentuar tek ekipet e moshave dhe se ajo, në më pak se katër-pesë vjet do të jetë patjetër në finalet e një Botërori apo Europiani”, – tha për gazetën “Telegraf’, Xhemal Mustedanagiç. Me “Xhemon” në bankinë, Shqipëria arriti të kualifikohej për herë të tretë në “Elite Round”, pas atyre në vitet 1994 dhe 2003.

 – Zoti Mustedanagiç, shorti i Kampionatit Europian të futbollit për moshën U-17 e vendosi Shqipërinë përballë Bjellorusisë, Rumanisë dhe Finlandës. Cila është komenti juaj?

– Po, u njoha me kundërshtarët. Dua të theksoj se, tani në Europë nuk ka ekipe të lehta, dhe unë besoj se dhe kundërshtarët tanë, na vlerësojnë po kështu ne. Bjellorusia po bën një punë të mirë me moshat dhe po ecën mjaft mirë në rezultatet e saj. Finlanda është një ekip i konsoliduar, ndërkohë që Rumania i ka pasur shpesh skuadrën e saj të U-17 në finalet e Europianëve.

 – Si do ta vlerësonit Shqipërinë në raport me to?

 – Shqipëria është duke bërë një punë të mirë. Presidenti i FSHF-së, zoti Duka, ka qëndruar vazhdimisht pranë ekipit dhe e ka mbështetur fort strategjinë e zhvillimit të moshave. Është tepër i interesuar. Prej një viti ka filluar një punë shumë e madhe dhe rezultatet janë po shihen. E kam thënë shpesh, edhe me gazetarët, se Shqipëria ka një perspektivë shumë të madhe, sidomos në futbollin e moshave. Jam i bindur se në harkun e pesë viteve Shqiëpria do të jetë në elitën e futbollit europian. Po punohet me shumë seriozitet. Shqipëria ka potenciale.  Ka shumë talente.

 – Në eliminatoret e kaluara (tetor 2012), Shqipëria luajti me Italinë, Hungarinë dhe Lihteshtejnin. Humbëm me nga një gol me italianët dhe hungarezët dhe fituam thellësisht me lihteshtejnasit. Si i kujtoni ato ndeshje?

 – Dua të theksoj se, në fillim të eliminatoreve ne patëm disa probleme, pasi na u dëmtuan të dy qendërmbrojtësit, vetëm dy ditë para fillimit të ndeshjeve, ndërkohë që një nga lojtarët tanë kryesorë, për shkak të dëmtimit nuk u bashkua me grupin. Me gjithë problemet që patëm, ne bëmë lojëra shumë të mira. Mendoj se ishte fati, ai që vendosi se cili nga ekipet do të kualifikohej për në raundin tjetër. Me Italinë e pësuam golin e vetëm të ndeshjes e pësuam në minutën e 82-të. Në ndeshjen me Hungarinë, portieri ynë, Elezaj, priti një penallti, e cila për mua nuk ishte. Nëse do të barazonim me to, ne do të kishim kaluar në turin tjetër. Me Lihteshtejnin ishte një festival golash. Ajo që është e rëndisshme është fakti se, ne treguam një futboll të mirë dhe ne ishim në nivelin më të lartë, përsa u përket disiplinës sportive. Kjo nuk bën të jemi optimistë. Dua të them se, në ndeshjen me Italinë ne nuk patëm fat, por të gjithë specialistët e huaj thanë se në ekipin shqiptar kishte më shumë lojtarë të talentuar se në atë italian.

 – Xhemo, ju keni hyrë në historinë e futbollit shqiptar të moshave, si trajneri i tretë që keni kualifikuar Kombëtaren U-17 për në “Elite Round”, më parë kjo ka ndodhur në vitin 1994 dhe 2003. Çdo të thotë kjo për ju?

 – Mbetet një nga kënaqësitë e mia më të mëdha me Shqipërinë. Më vjen keq që, nuk u kualifikuam për më tej, pasi në “Elite Round” ne kishim kundërshtarë shumë të fortë si Holanda dhe Serbia, teksa fituam me Irlandën. Me ndeshjet që ne bëmë edhe trajnerët e tjerë shprehën keqardhjen, që ne nuk kaluam turin.

 – Ju keni qenë ndihmësi i ish-trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhesë, dhe punoni prej disa vitesh në Shqipëri. Si do ta vlerësonit futbollin tonë?

 – Unë jam këtu në Shqipëri, për të ndihmuar futbollin shqiptar. Të bëjmë një futboll të mirë dhe të suksesshëm. Jam optimist. Kemi shumë lojtarë të talentuar. Ju garantoj për këtë. Atmosfera futbollistike është shumë e mirë. Nuk mund të them se, mund të jemi ndërmjet ekipeve të mëdha, por që do të kemi një skuadër të fortë po. Ju garantoj se, brenda katër-pesë vitesh do të ndihet me të vërtetë shumë.

 – Ju jeni boshnjak, a mund të na bëni një krahasim të nivelit të futbollit boshnjak të moshave në raport me atë të Shqipërisë?

 – Futbolli boshnjak ka një nivel të mirë për momentin, por dhe ata kanë qenë në nivelin e Shqipërisë para pak kohësh. Ka shumë talente. Dëshira ime është që, si Bosnja dhe Shqipëria të jenë në nivelin e lartë europian.

– Te Akademia e Moshave të Dinamos së Zagrebit, ju keni stërvitur emra të mëdhenj të futbollit kroat dhe atij europian, si Luka Modriç, që tani luan te Reali i Madridit. Çfarë kënaqësie ndjeni?

 – Po, është e vërtetë. Kam stërvitur disa nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit kroat, si Luka Modriç, Dario Sërna, Niko Kranjçar, etj. Kjo më ka dhënë shumë kënaqësi.

  

EURO U-17 2014

SHORTI I RAUNDIT TË PARË KUALIFIKUES

 Grupi 1 (18-23 tetor 2013):

Bjellorusia, Rumania, Finlanda, Shqipëria*

 Grupi 2 (19-24 tetor 2013):

Italia, Suedia, Ukraina, Lituania*

 Grupi 3 (22-27 tetor 2013):

Çekia, Franca, Izrael*, Lihtenshtein

 Grupi 4 (23-28 shtator 2013):

Skocia, Hungaria, Sllovenia*, Uellsi

 Grupi 5 (8-13 tetor 2013):

Kroacia, Portugalia, Mali i Zi, Bosnja

 Grupi 6 (1-6 tetor 2013):

Greqi, Serbia*, Estonia, Andorra

 Grupi 7 (24-29 tetor 2013):

Irlanda, Anglia, Gjibraltar*, Armenia

 Grupi 8 (25-30 shtator):

Norvegji, Spanja, Qiproja*, Moldavia

 Grupi 9 (14-19 nëntor 2013):

Irlanda e Veriut*, Turqia, Letonia, Luksemburgu

 Grupi 10 (21-26 shtator 2013):

Rusia*, Islanda, Sllovakia, Azerbajxhani

 Grupi 11 (17-22 tetor 2013):

Gjeorgjia*, Holanda, San Marino, Ishujt Faroe

 Grupi 12 (26 shtator-1 tetor 2013):

Danimarka*, Zvicra, Kazakistani, Austria

 Grupi 13 (17-22 tetor 2013):

Belgjika, Polonia, Bullgaria, Maqedonia

 “Europianët” e Shqipërisë

 Kjo do të jetë hera e tretë që, në vendin tonë do të zhvillohen eliminatoret e Kampionateve Europiane të moshave. Në shtator të vitit 2007, u zhvilluan në Tiranë dhe Durrës, kualifikueset e U-17, ku morën pjesën përveç Shqipërisë, edhe Franca, Holanda dhe Lituaninë. Në tetor të këtij viti, në Vlorë dhe në Fier, u zhvilluan kualifikueset e U19, ku përveç kuqezinjve të Foto Strakoshës ishin dhe Belgjika, Italia dhe Bjellorusia.

 Tre kualifikimet e Kombëtares U-17 në Elite Round

 Shqipëria është kualifikuar vetëm tri herë në fazën e dytë eliminatore të një Kampionati Europian. Kjo ka ndodhur në vitin 1994, 2003 dhe 2012.

 1994

Në turin eliminator të Kampionatit Europian 1994 të moshës U-16, Shqipëria bënte pjesë në grupin 5, së bashku edhe Lihteshtejnin dhe Maltën, në këtë të fundit u zhvilluan edhe ndeshjet (28 shkurt-4 mars 1994). Kombëtarja jonë i fitoi të dyja takimet: 1-0 me Lihteshtejnin dhe 2-0 me Maltën, duke zënë vendin e parë në grup dhe kualifikuar për finalet e turneut, i cili u zhvillua në Irlandën e Veriut (26-30 prill 1994). Kombëtarja jonë bënte pjesë në grupin A, së bashku edhe me Bjellorusinë, Austrinë dhe Spanjën. Në ndeshjen e parë humbi 1-0 me Austrinë, barazoi 1-1 em Bjellorusinë dhe humbi 4-0 me Spanjën, por fitues të grupit dolën Bjellorusia dhe Austria.

 2003

Në turin e parë eliminator të Euro 2003, ndeshjet e të cilit u luajtën në Lituani, 21-25 tetor 2002, Shqipëria U-17 bënte pjesë në grupin 10, së bashku edhe me Holandën, San Marinon dhe Lituaninë. Kuqezinjtë barazuan 1-1 me “tulipanët” si dhe fituan 3-1 me Lituaninë vendase dhe 1-0 me San Marinon. Ekipi ynë zuri vendi e dytë, me 7 pikë, po aq sa Holanda dhe u kualifikua për turin pasardhës. Në turin e dytë kualifikues (24-28 mars 2003, takimet u luajtën në Kastoria të Greqisë), ekipi ynë bënte pjesë në grupin e 5-të, së bashku edhe me Hungarinë (fituese të grupit), Zvicrën dhe Greqinë. Shqipëria humbi ndeshjen e parë 1-0 me Greqinë, po 1-0 humbi me Zvicrën dhe barazoi 3-3 me Hungarinë, duke zënë vendin e fundit (1 pikë).

 2012

Kualifikim për herë të tretë i një turi të parë eliminator: Shqipëri-Sllovaki 2-1, Gjermani-Shqipëri 1-0 dhe Estoni-Shqipëri 1-1. Vendi i dytë në grup dhe automatikisht në Elite Round. Meritë e trajnerit boshnjak, Xhemal Mustedanagiç, autorëve të golave, Franca Ymeraliaj dhe Amri Jonuzi, dhe, sigurisht gjithë skuadrës. Kështu, Gjermania (vendi i parë) dhe Shqipëria (vendi i dytë) u kualifikuan për raundin tjetër. Në shortin e hedhur, më 29 nëntor 2012, Shqipëria ra në një grup me Holandën, Serbinë dhe Irlandën. Kombëtarja jonë humbi 4-0 me Holandën, 3-0 me Serbinë dhe fitoi 2-1 me Irlandën.

 HISTORIA

Një vështrim statistikor i Kombëtares U-17

Edhe pse Kampionati i parë Europian për moshën U-16 (sot është zëvendësuar me U-17) është zhvilluar në edicionin 1980-1982, për herë të parë, me një Kombëtare U-16, Shqipëria ka marrë pjesë në Kampionatin Europian të vitit 1992. Atëherë, vendi ynë bënte pjesë në grupin e 5-të dhe kundërshtar kishte Bullgarinë, me sistem vajtje-ardhje dhe eliminim direkt. Humbëm ndeshjen e parë të zhvilluar në Vlorë me rezultatin 2-1 (6 mars 1991) dhe të dytën në Kustendil, 1-0 (20 mars 1991). Në vitin 1993, shorti na vendosi përballë Portugalisë: humbëm takimin e parë në Oeiras me rezultatin 2-1 (27 janar 1993), por fituam 1-0 në Tiranë (3 mars 1993), duke mos vazhduar më tej. Në turin eliminator të Kampionatit Europian 1994 të moshës U-16, Shqipëria bënte pjesë në grupin 5, së bashku edhe Lihteshtejnin dhe Maltën, në këtë të fundit u zhvilluan edhe ndeshjet (28 shkurt-4 mars 1994). Kombëtarja jonë i fitoi të dyja takimet: 1-0 me Lihteshtejnin dhe 2-0 me Maltën, duke zënë vendin e parë në grup dhe kualifikuar për finalet e turneut, i cili u zhvillua në Irlandën e Veriut (26-30 prill 1994). Euro 1995 na vendosi përballë Moldavisë dhe Austrisë, dy humbje të thella: 0-3 dhe 0-4. Në 1996-n kemi tre humbje në eliminatoret e Moskës: Kroaci-Shqipëri 3-0, Bejllorusi-Shqipëri 1-0 dhe Rusi-Shqipëri 2-0. Në Euro 1997, edhe pse u eliminuam (si zakonisht) në turin e parë, kemi një fitore patriotike në ndeshjet e zhvilluara në Izrael (4-8 mars 1997): fitojmë 2-1 me Jugosllavinë dhe e lëmë në vendin e fundit. Izraeli fiton 1-0 me ne, dhe na le në vend të dytë. Për shkak të post-situatës politike në Shqipëri (pas trazirave të vitit të mbrapshtë 1997), Shqipëria nuk mori pjesë në Euro 1998.

Në Euro 1999, kuqezinjtë tanë bëjnë pjesë në grupin 1. Ndeshjet u zhvilluan në Ohër (2-6 mars 1999). Tri humbje: Shqipëri-Itali 1-5, Shqipëri-Maqedoni 0-1 dhe Portugali-Shqipëri 4-1, me Shqipërinë që e mbylli pjesën e parë në fitore 1-0. Euro 2000 dhe Kuqezinjtë U-16, së bashku dhe me Rumaninë (vend organizator) dhe Maqedoninë bëjnë pjesë në grupin 4: dy humbje, Maqedoni-Shqipëri 2-1 dhe Shqipëri-Rumani 0-2. Euro 2001: ndodhemi në grupin 8, së bashku me Rumaninë dhe Gjeorgjinë dhe sërish dy humbje: Shqipëri-Rumani 0-4 dhe Gjeorgji-Shqipëri 1-0. Duke u nisur nga viti 2002. kompeticioni quhet Kampionati Europian U-17 dhe jo më U-16. Jemi pjesë e grupit 6. Eliminatoret u luajtën në Hungari (24-29 shtator 2001): Kroaci-Shqipëri 5-2, Azerbajxhan-Shqipëri 3-2 dhe Hungari-Shqipëri 3-0. Vendi i fundit: 0 pikë, 11 gola të pësuar. Në Euro 2004, Shqipëria bën pjesë në grupin 10. Eliminatoret u zhvilluan në Lituani (24-28 shtator 2003): Islandë-Shqipëri 3-1, Rusi-Shqipëri 4-0 dhe Lituani-Shqipëri 3-2. Euro 2005 (grupi 7): Kroaci-Shqipëri 3-2, Shqipëri-Serbi dhe Mali i Zi 1-4 dhe Shqipëri-Andorra 5-0 (në vend të tretë). Euro 2006 (grupi 10, 26-30 shtator): Shqipëri-Hungari 1-5, Shqipëri-Skoci 0-3 dhe Qipro-Shqipëri 2-0. Euro 2007 (grupi 9, 15-20 tetor 2007): Finlandë-Shqipëri 4-1, Izrael-Shqipëri 1-1 dhe Shqipëri-Poloni 0-2. Eliminatoret e Euro 2008-s për grupin 10 u zhvilluan në Shqipëri (Tiranë dhe Durrës), e ku bënin pjesë përveç Kombëtares sonë, edhe Franca me Holandën: Holandë-Shqipëri 3-0, Francë-Shqipëri 6-0 dhe Shqipëri-Letoni 1-1 (vendi i fundit, me golaverazh më të dobët). Eliminatoret e Euro 2009-s e çojnë Shqipërinë në Finlandë. Humbje me rezultate të thella: Finlandë-Shqipëri 4-0, Bjellorusi-Shqipëri 7-0 dhe Maqedoni-Shqipëri 3-3. 14 gola të pësuar në 3 ndeshje! Euro 2010 (grupi 11, në Hungari): Hungari-Shqipëri 5-0, Shqipëri-Sllovaki 0-3. Por ka dhe më keq: Luksemburg-Shqipëri 3-2! Euro 2011 (grupi 4, në Maltë): Norvegji-Shqipëri 2-0, Shqipëri-Irlandë 0-2 dhe Maltë-Shqipëri 1-1. Dhe tani, Euro 2012. Kualifikim për herë të tretë i një turi të parë eliminator, kishte ndodhur më parë në Euro 1994 dhe Euro 2003. Shqipëri-Sllovaki 2-1, Gjermani-Shqipëri 1-0 dhe Estoni-Shqipëri 1-1. Në “Elite Round”, Shqipëria ra në një grup me Holandën, Serbinë dhe Irlandën. Kombëtarja jonë humbi 4-0 me Holandën, 3-0 me Serbinë dhe fitoi 2-1 me Irlandën. Në eliminatoret e Euro 2012-2013, Kombëtarja U-17 luajti kundër Italisë (humbi 1-0), Hungarisë (humbi po 1-0) dhe fitoi me Lihteshtejnin (6-0), duke u renditur e treta në grupin 8.