Peskara nuk iu ndahet shqiptarëve, pas talentit të Atalantës firmos edhe me atë të Sasuolos

313
Sigal

Klubi i Peskarës kërkon që të kthehet sa më shpejt në Serinë B dhe për ta bërë një gjë të tillë, u beson shqiptarëve. Klubi, tek i cili nuk aktivizohet më Ledian Memushaj, i cili tashmë është trajner i ekipit të të rinjve, po afron futbollistë të talentuar shqiptarë që kanë bërë mirë në kategoritë e ulëta e mund të jenë gati për hapin cilësor.

Pasi firmosi pak ditë më parë me mesfushorin e U21 të Shqipërisë, Erdis Kraja, duke e marrë nga radhët e Atalantës, klubi i Peskarës ka gjetur akordin dhe ka firmosur sot me një tjetër futbollist të spikatur në vitet e fundit me fanellën e përfaqësuesve kuqezi. Bëhet fjalë për Aristidi Kolajn, djaloshin i cili ka dalë nga akademia e Sasuolos dhe me eksperiencë të gjerë në Serinë C dhe Serinë B ku është huazuar në vitet e fundit.

Kolaj pritet të zyrtarizohet sot, duke nënshkruar një kontratë trevjeçare me të drejtën e zgjatjes për një sezon të katërt në rast ngjitje në Serinë B të Peskarës. Kështu, pas eksperiencave në huazim te Pro Patria në Serinë C dhe Alesandria në Serinë B, Kolaj largohet përfundimisht nga Sasuolo për të provuar tashmë një aventurë që mund ta bëjë një emër të rëndësishëm në futbollin italian, në një klub në radhët e të cilit janë aktivizuar në kategoritë e ulëta edhe lojtarë si Verrati, Imobile e Insinje në fillimet e tyre.