Pesë vizitat e Platinisë në Shqipëri

615
Sigal

Nga e para, si trajneri i “gjelave” francezë dhe deri tek e fundit, ajo në 80-vjetorin e FSHF-së

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, njeriu më i rëndësishëm i futbollit europian si një nga personat më influencë në botën e futbollit botëror, do të vizitojë sot Shqipërinë, në vizitën e tij të tretë si President i UEFA-s dhe në të gjashtën e tij në vendin tonë, pasi atyre në vitet 1990, 2004, 2006, 2008 dhe 2010. Për herë të fundit në Shqipëri ai ka qenë, më 19 tetor 2010, kur mori pjesë në festimin e 80-vjetorit të themelimit të Federatës Shqiptare të Futbollit.

 VIZITA E PARË

17 nëntor 1990 – Legjenda franceze e futbollit mbërriti për herë të parë në vendin tonë me statusin e trajnerit të “gjelave”, në atë fitore të ngushtë 1-0 ndaj Kombëtares sonë, në takimin e vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian 1992. Golin e vetëm të takimit e shënoi mbrojtësi Bazil Boli në minutën e 23-të. Shqipëria drejtohej nga Bejkush Birçe, ndërsa disa nga lojtarët tanë ishin Demollari, Kushta, Majaci, Josa, etj. Tek ekipi francez ishin emra të tillë si Deshamps dhe Blank, të cilët më pas u bënë trajnerë të ekipit Kombëtar francez. Në takimin e kthimit, më 30 mars 1991, Shqipëria humbi 5-0 në Paris.

 VIZITA E DYTË

25 mars 2004 – 14 vjet pas ardhjes së tij në krye të Kombëtares franceze, Platini mbërriti për herë të dytë në vendin tonë, për Mishel Platininë kjo ishte vizita e parë me kostumin e zyrtarit, pasi ai erdhi me statusin e zëvendëspresidenti të FIFA-s. Tri herë fitues i “Topit të Artë” u prit në takim nga ish-Kryeministri Fatos Nano, me të cilin bashkërisht inauguruan kompleksin sportiv të Kombëtare në Kamëz, të ndërtuar me fondet e FIFA-s. Kryeministri Fatos Nano, gjatë kësaj ceremonie tha se: “Megjithëse, me përmasa modeste investimi ngrihet përtej limiteve sepse investime të tilla, forcojnë partneritetin e institucioneve vendase të këtij sporti popullor në Shqipëri me ato më prestigjioze të futbollit botëror me FIFA-n, UEFA-n. Nuk është e rastit që përmasat e këtij investimi të përbashkët do t’i ndajmë me një nga personalitetet më të shquar të futbollit botëror Mishel Platini, pa të cilin nuk do të ishim në këtë përurim sot”.

Nano dhe Platini shkëmbyen shumë batuta mes njëri-tjetrit. Në ceremoninë e përurimit të kësaj qendre moderne ishin të pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Blendi Klosi.

Më pas zoti Nano goditi topin e parë, ku me pas ka filluar stërvitja e një prej ekipeve përfaqësuese te Shqipërisë.

 VIZITA E TRETË

8 nëntor 2006 – Mishel Platni kishte vendosur kandidaturën e tij “fronin” e UEFA-s, dhe në axhendën e rivalit te Presidentit aktual, suedezit Lenart Johanson, ishte dhe inaugurimi i fushës së futbollit të shkollës “Hasan Vogli” në Tiranë. Në fakt, vizita kishte dhe një prapaskenë jo të vogël. Platini donte të bindte presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për t’i dhënë votën atij dhe jo Johansonit. I pranishëm ishte dhe ish-Kryetarit i Bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama. Tri herë fituesi i “Topit të artë”, i entuziazmuar nga pritja në kryeqytetin shqiptar (“Si askund tjetër”, – tha francezi) bëri dhe një shaka të vogël me mikun e tij në praninë edhe të medias shqiptare. “Nëse zoti Duka nuk më jep votën, unë nuk do të rikthehem më kurrë në Shqipëri”. Mishel Platini fitoi zgjedhjet presidenciale të UEFA-s, më 27 janar 2007, duke mundur me ndihmën e votave të vendeve të vogla Johansonin.

 VIZITA E KATËRT

12 nëntor 2008 – Dy vjet pas vizitës së tij të fundit në Shqipëri, dhe diçka më shumë se një vit e gjysmë pas zgjedhjes së tij si President i UEFA-s, njeriu i plotfuqishëm i futbollit europian realizoi vizitën e tij të katërt në Shqipëri dhe të parën pas zgjedhjes në postin më të lartë të qeverisë së futbollit evropian. Vizita e kreut të UEFA-s erdhi pesë muaj pas heqjes së pezullimit ndërkombëtar të vendit tonë nga FIFA e UEFA, për shkak të ndërhyrjes politike të shtetit (Qeverisë “Berisha”).

Platini zhvilloi takime me ish-ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pangon si dhe me bosët e klubeve shqiptare. Presidenti i UEFA-s Mishel Platini ka shpërthyer në një deklaratë tepër të fortë kundër ndërhyrjeve politike në punët e brendshme të futbollit. Duke folur në Asamblenë Vjetore të Federatës, Platini deklaroi se UEFA nuk do të pranojë asnjë lloj ndërhyrje që cenon pavarësinë e Federatave. Platini bëri edhe njëherë të qartë se nuk do të tolerohet për asnjë moment cenimi i pavarësisë së Federatave: “Unë e di që situata në Shqipëri nuk ka qenë e thjeshtë, por në takimin me Presidentin Topi kuptova se gjërat janë përmirësuar. Duhet ta dini se UEFA do të jenë gjithnjë në anën tuaj”.

 VIZITA  E PESTË

19 tetor 2010  – Presidenti i UEFA-s  Mishel Platini mori pjesë në festimet për 80-vjetorin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në vizitën e tij numri 1 i futbollit europian shoqërohej nga 11 presidentë të tjerë federatash dhe shumë zyrtarë të tjerë të futbollit europian. Francezi pati dy misione në tokën shqiptare: i pari është ai i përshëndetjes së përvjetorit të FSHF-së dhe tjetri, arritja e një akordi me qeverinë shqiptare për ndërtimin e stadiumit të ri në vend. Mishel Platini pas takimit me kryeministrin Sali Berisha ku u diskutua mbi projektin e ndërtimit të një stadiumi modern në Tiranë, u shpreh: “Pasioni, qetësia, e përzier kjo me një frëngjishte shumë të bukur të zotit kryeministër më bën mua sot të lumtur edhe pas premtimit të kryeministrit se do të kemi një stadium modern këtu në Tiranë”, tha Platini, duke e quajtur si “një dhuratë shumë të bukur për Federatën Shqiptare të Futbollit”. Por, stadiumi nuk u ndërtua, edhe pse u premtua për 100-vjetorin e Pavarësisë.  Kreu i UEFA-s mori pjesë edhe në përurimin e fushave stërvitore në kompleksin “Skënder Halili”, atje ku stërvitet Tirana, të ndërtuar me fondet e programit “Hat-Trick” të UEFA-s. Në këtë inaugurim, përveç presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, ishte i pranishëm edhe ish-Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, i cili deklaroi: “Do të doja të kujtoja që disa vite më parë, së bashku me Platini ne inauguruam një fushë të vogël futbolli në oborrin e një shkolle. Sot inaugurojmë një fushë të madhe në oborrin e skuadrës më të madhe të Shqipërisë, Tiranës.

  “Urdhri Nënë Tereza”

 Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, është nderuar me “Urdhrin Nënë Tereza”, të akorduar nga ish-Presidenti shqiptar i asaj kohe, Bamir Topi. Vizita e kreut të UEFA-s në vendin tonë rastisi me Ditën Kombëtare kushtuar Nënë Tereza. Medalja e iu dorëzua gjatë një ceremonie të organizuar në Pallatin e Brigadave, më 19 tetor 2010.

 “Urdhri Olimpik”

 Mishel Platini është dekoruar edhe me Urdhrin Olimpik të akorduar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, të dorëzuar nga ish-Presidenti i KOKSHI-t, Hysen Domi. Medalja e iu dorëzua Presidentit të UEFA-s, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, më 12 tetor 2008.

 Kur trajneri Platini mundte 5-0 Kuqezinjtë

 Shqipëria dhe Franca kanë luajtur pesë takime zyrtare midis tyre, por në dy ndeshjet kualifikuese të Euro 1992, trajneri i Francës ka qenë pikërisht Mishel Platini. Në “Qemal Stafa”, francezët fituan 1-0 (nëntor 1990), ndërsa në “Stade de France” na mundën thellësisht 5-0 (maj 1991). Në stolin shqiptar ishte Bejkush Birçe, por duhet theksuar se gjatë rrugës për Francë, nga ekipi u “arratisën” jo pak, por pesë lojtarë titullarë, ndërsa pas ndeshjes edhe tre të tjerë. Shqipëria asaj kohe po përjetonte ndryshimet e mëdha të sistemit politik të saj.

  Kush është Platini

 Mishel Platini  (58 vjeç) është një nga legjendat e futbollit francez dhe një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror. Francezi ka marrë pjesë në Kupën e Botës së vitit 1978, 1982 dhe 1986 duke qenë gjysmëfinalist në dy të fundit me përfaqësuesen e vendit të tij. Platini është i njohur për goditjet e tij të lira, cilësi që e tregoi me Francën dhe Juventusin, ku luajti për 5 sezone. Platini ka fituar tri herë “Topin e Artë” në vitin 1983, 1984 dhe 1985. Me kombëtaren franceze Platini ka zhvilluar 72 ndeshje duke shënuar 41 gola. Platini ka qenë trajneri i Kombëtares së Francës. Aktualisht Platini është president i UEFA-s dhe zëvendëspresident i FIFA-s.

 Axhenda në Tiranë

 Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini do të takohet me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe Kryeministrin e vendit Edi Rama. Qëllimi i vizitës së numrit një të qeverisë europiane të futbollit është për të arritur marrëveshjen e futbollit në shkolla. Mbërritja e Platinisë në kryeqytetin shqiptar është parashikuar rreth orës 9-të. Në axhendën e tij parashikohet një takim në zyrat e FSHF-së, teksa më pas një takim me kryeministrin Rama, ku përveç projektit për futbollin në shkolla do të diskutohet edhe për projektin e stadiumit të ri, që shihet si një problem i rëndësishëm edhe nga ana e UEFA-s. Platini, së bashku me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.