Perlat Musta: Partizani është në rrugën e duhur, për “Final 4” e për titullin

INTERVISTA/ Legjenda e Partizanit dhe Kombëtares, Mjeshtri i Madh Perlat Musta tregon “sekretin” 

Agron KAJA

NOA

Si e përcollët ju fitoren e Partizanit në ndeshjen “derbi” me Dinamon?

Ishte një fitore vendimtare për Partizanit. Në drejtimin e Kërnajës, ekipi është mbledhur dhe nga ana psikologjike është rritur. Tashmë e them se është pretendent, pavarsisht nga eliminimi në Kupë. Partizani është në rrugën e duhur për “Final 4”.

Në javën e 26-të u bashkuan me pikë Dinamo me Partizanin, në javën e 27-të e kaloi Partizani, si e përshkruani “dyluftimin” mes tyre?

Kjo ndeshje “derbi” me Dinamon ishte një fitore me një rival direkt për zonën “Final 4”. Dinamo është një nga ekipet pretendentë, edhe pse humbi “derbi”-in, dhe kjo për Partizanin vlen shumë. Janë edhe 9 ndeshje me 27 pikë në lojë.

Partizani hyri në zonën “Final 4” pas fitores së “derbi”-it me Dinamon, është kjo një trokitje për titullin kampion?

Kjo lloj formule e Superiores, nuk ta heq të drejtën që të kërkosh maksimalen. Tashmë edhe Partizani ka hyrë në rrugën e duhur për “Final 4”, por do ti kërkohet vazhdimësia me lojë e rezultate, sikundër me Dinamon edhe në 9 javët e tjera.

Në analizën tuaj, ku mendoni se Partizani ishte më superior, dhe pse Dinamo mbeti tek rastet e humbura?

Në lojë luhet për golin, dhe për ta arritur atë, skuadra vendoset në fushë sipas kundërshtarit që ka përballë, për të arritur synimin. Them se trajneri Kërnaja e bëri mirë këtë punë, ndërkohë që Dinamo nuk ishte në ditën e saj më të mirë.

Janë mbyllur 27 javë të Superiores, cili është përshkrimi juaj për garën në 162 ndeshjet e luajtura?

Mendoj se kjo formulë e Superiores nuk vlerësohet se çfarë ke bërë, por si do sillesh deri në fund që të hysh në zonën “Final 4”. Prandaj e përmënda më sipër, se Partizani më ngroh se po e ruan vazhdimësinë. Ka frymë dhe ka grup kompakt.

Vllaznia vazhdon kryesimin edhe pas disfatës në Vlorë, AF Elbasani vazhdon presionin, do jenë këto në luftë për vëndin e parë?

Të gjitha ekipet e bëjnë edhe një hap fals, është e pranueshme. Por që hynë në lojë pesë skuadra për “Final 4”, kjo do ta bëjë edhe më të fortë këtë luftë. Janë skuadra që në sezonin e kaluar ishin në këtë zonë, por këtë herë do e zbukurojë Partizani.

Në Tiranë u krijuan trazira pas ndeshjes Tirana-AF Elbasani 0-1, mos janë sirena të dështimit bardheblu? 

Të tilla protesta nuk duhet të ndodhin, por edhe priten në këto situata ku ndodhet Tirana në renditje. Është një gjëndje që kërkon qetësi e reflektim, sepse është e goditur nga ana psikologjike, Rikuperimi do jetë i vështirë, por jo i pa mundur.

Këtë fundjavë nisin ndeshjet e fazës së katërt, çfarë mendoni se do të shohim ndryshe?

Tashmë çdo gjë sa vjen e vështirësohet. Sepse jemi afër finishit të kampionatit dhe do rritet më shumë agresiviteti i skuadrave për të kapur synimet. Është renditja ajo që të imponon këtë situatë, ndaj do shohim rivalitet në çdo ndeshje.

Nëse mund të formatoni një renditje të javës së 36-të, cila do ishte sipas jush?

Unë do kisha dëshirë që në javën e 36-të të jetë kjo renditje siç është pas javës së 27-të. Deri atëhere çdo gjë mund të ndodhë, nga kreu, në mes e në fundin e renditjes, por që aktualiteti sikur e imponon një parashikim të tillë.

 

 

“Tensioni” mes trajnerëve në “derbi” edhe në vëzhgimin e Dorivas

Të hënën në mbrëmje, Partizani arriti një fitore të rëndësishme në “Derbi”-in e kryeqytetit ndaj Dinamos. Një tre pikësh që i morri bluve edhe vendin e katërt në renditje. Sfida kishte raste të shumta me një lojë ritmike, por kishte edhe momente të veçanta brënda dhe jashtë fushe. Veç tyre, në pjesën e parë kishte tension mes Ilir Dajës dhe Oltjon Kërnajës, ku shkak u bë një karton i verdhë në fushë. Të gjitha këto u vëzhguan edhe nga zëvendëstrajneri i Kombëtares, Dorival Guindoni Junior.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026      

Ndeshjet-Java 28

E premte, 13 mars 2026

Egnatia-Vllaznia                     19:00

E shtunë, 14 mars 2026

Tirana-Bylis                             15:00

Flamurtari-AF Elbasani          18:00

E dielë, 15 mars 2026

Vora-Partizani                         15:00

Dinamo City-Teuta                 18:00

(Luhet në “Air Albania”)

RENDITJA       

Skuadrat                    Nd       P

1.Vllaznia                    27        51

2.AF Elbasani              27        49

3.Egnatia                     27        49

4.Partizani                   27        42

5.Dinamo City             27        39

6.Teuta                        27        34

7.Bylis                         27        27

8.Vora                         27        26

9.Flamurtari                 27        24

10.Tirana                     27        21

 

TË FUNDIT NGA BANKINAT

Morriero u largua, Flamurtari me trajner “rezervë”

Nga dita e hënë, Andi Ribaj ka marrë drejtimin e bankinës së skuadrës të Flamurtarit. Nën drejtimin e tij në stol, Flamurtari humbi me Partizanin, barazoi me Teutën dhe fitoi ndaj Vllaznisë. Ndërsa vetë Ribaj si ndihmëstrajner i parë, e ka lënë të hapur. Kështu nuk përjashtohet mundësia që Flamurtari të vendosë për një trajner të ri. “Për të qënë i sinqertë, do thoja se nuk e di nëse do të jem trajner i Flamurtarit deri në fund. Në klub ka drejtues që mund të pyeten, ndërsa unë po e përgatit ekipin. Këtë di dhe asgjë tjetër”, kështu është shprehur dje Ribaj, duke qëndruar në “ethet” e ndeshjes të javës së 28-të, pasi pret në Vlorë AF Elbasanin.

Rreziku i rënies për Tiranën, Shehi kryqëzon gishtat

Me humbje në javën e kaluar ndaj  AF Elbasanit, Tirana e thelloi më tej krizën e rënies nga Superiorja. Realisht, skuadra bardheblu po përballet me një tjetër sezon të vështirë, sidomos në dy fazat e fundit të këtij kampionati. Brënda kësaj krize, ata janë përpjekur të gjejnë zgjidhje për të shpëtuar nga një tjetër katastrofë si rënia një kategori më poshtë, sikundër edhe ishte afrimi në bankinë i Orges Shehit. Nga java e 23-të e deri në të 27-ën, Tirana ka pësuar humbje vetëm, ndaj makthi i rënies duket si më pranë. Mesi i tabelës duket akoma më larg, ndërsa faza e fundit pritet të jenë vendimtare për fatin e klubit që ka fituar 27 tituj kampion në Shqipëri.