Pejiç, i pari goleador i huaj i dyfishtë në Superiore

238
Nuk kishte ndodhur në asnjë nga kampionatet e tjerë të futbollit në Shqipëri që kreun e golashënuesit ta merrte një futbollist i huaj. Madje në këtë Kampionat që të premten uli siparin e tij të 76-të, kroati Pero Pejiç ka shënuar 31 gola në 35 ndeshjet që ai është aktivizuar me skuadrën e Kukësit. Kështu, Pejiç jo vetëm që është lojtari i parë i huaj që e fiton statusin e golashënuesit në elitën e futbollit shqiptar, por njëherësh ai ka shënuuar dopietën e tij si goleador i kësaj kategorie për të dytën herë radhazi. Një futbollist tipik “gjahtar” goli, Pejiç nuk është i panjohur për skuadrat e futbollit shqiptar me të cilat ka më shumë se gjashtë kampionate që njihet. Nga Dinamo në 2009-2010, Pejiç ka provuar Tiranën, Skënderbeun e Kukësin, duke qenë në dy raste edhe pjesëtar në ekipe Kampion në Shqipëri. Dhe duke e parë këtë si një dukuri që bën të veçantën në futbollin tonë, duhet thënë se veç Pejiçit, në listën e golashënuesve të Superiores shqiptare ishin edhe 30 futbollistë të tjerë të huaj, të cilët vunë emrin e tyre në 117 futbollistët që shënuan 391golat në 36 javët e Kategorisë Superiore 2014-2015 dhe që u bënë autorë të 158 golave. Po pse duhet veçuar ky fakt? Për një kuptim sa të thjeshtë në dukje, aq edhe të rëndë sa i përket shënimit të golave nga futbollistë shqiptarë. Kështu, nëse veçojmë 11 golashënuesit më të mirë të Kategorisë Superiore 2014-2015, prej tyre 9 janë futbollstë të huaj dhe vetëm 2 të tjerë janë futbollistë shqiptarë. Duke e parë këtë shifër në këndvështrimin etnik që lidhet me “prodhimin” vendas të golashënuesve në kampionatin elitar të futbollit tonë, ky është moment teknik prej të cilit sulmuesit shqiptarë dalin të zbuluar. Elis Bakaj i Tiranës me 14 gola dhe Agim Meto i Laçit me 7 gola (në total 21 gola, 1 me penallti), janë pak karshi 108 golave (11 me penallti) që kanë shënuar 9 futbollistët e huaj të listës “Top11” (nëse do ta quajmë kështu këtë listë). Në këto kushte, nëse do të risjellim në kujtesë historinë e golashënuesve shqiptarë të pas vitit 1997 kur filloi hyrja në futbollin tonë e lojtarëve me kombësi të huaj, asnjëherë nuk ka ndodhur që të jetë kjo diferencë kaq e madhe, e cila që në shikimin e parë të sjell mendimin e punës së dobët që bëhet nga trajningu shqiptar në aspektin e përgatitjes së goleadorëve. Ndërkohë, për t’i mbyllur këto radhë të rralla kushtuar goleadorëve në Superioren shqiptare, duhet thënë se numri I shënimit të tyre erdhi në rritje nga faza në fazë, duke veçuar fazën e katërt me 122 gola shënuar, më pak gola u shënuan në fazën e parë, 78 të tillë. Kjo është performanca e “tundjes së rrjetave” në Kategorinë Superiore për sezonin 2014-2015.
11 golashënuesit më të mirë
Sezoni 2014-2015
31 gola: Pejiç (3p) (Kukësi);14 gola: Raçiç (Partizani), Elis Bakaj (Tirana);
11 gola: Xhejms (1p) (Laçi); 9 gola: Ndikumana (Tirana); 8 gola: Cetkoviç (3p) (Laçi), Mazrekaj (4p) (Partizani); 7 gola: Souza (Vllaznia), Martins (Skënderbeu), Meto (1p) (Laçi); 6 gola: Olyanika ,,, (Skënderbeu)…
Në total, në 180 ndeshje, në 16.200 minuta lojë u shënuan 391 gola nga 117 futbollistë, 30 të huaj 
Golat në Kampionat sipas fazave
Sezoni 2014-2015
Faza e Parë: 78 gola në 4050 minuta lojë
Faza e Dytë: 88 gola në 4050 minuta lojë
Faza e Tretë: 103 gola në 4050 minuta lojë
Faza e Katërt: 122 gola në 4050 minuta lojë
Gjithësej: 391 gola në 180 ndeshje me 16.200 minuta lojë
Dy kahjet e golave
Sezoni 2014-2015
Më shumë gola: Java e 33-të me 18 gola
Më pak gola: Java e 4-t me 4 gola
Më shumë gola në një ndeshje: 7 gola në takimin Skënderbeu-Partizani 5-2, java e 30-të
Më pak gola në një ndeshje: 11 herë me rezultatin 0-0
Trajnerët
Vazhdoi tregu “bllof” në pankina
Gjatë Kampionatit të 76-të Kombëtar të Kategorisë Superiore, me trajnerët vazhdoi loja e zakonshme, por në krahasim me kampionatet e kaluar, largimet e zëvendësimet e tyre nuk ndryshoi shumë në shifra. Nga 10 skuadra pjesëmarrëse, trajneri i Skënderbeut Mirel Josa, është më veterani në bankinë, pasi e kishte sezonin e tretë tek Skënderbeu. Më afatshkurtri si trajner ishte Emanuel Egbo, në ndeshjen e fundit në stolin e Tiranës. Në 17 trajnerët e aktivizuar në Superiore në këtë sezon, 5 ishin të huaj. Kjo është performance e bankinave: 1. Skënderbeu: Mirel Josa; 2. Kukësi: Artim Shaqiri, Miodrag Radanoviç; 3. Partizani: Shpëtim Duro; 4. Tirana: Gugash Magani, Emanuel Egbo 1 ndeshje; 5. Laçi: Armando Cungu; 6. Flamurtari: Anesti Gjoka, Ernestino Ramela; 7.Vllaznia: Baldo Raineri, Luan Zmijani; 8. Teuta: Hasan Lika, Gentjan Begeja; 9. Apolonia: Elidon Demiraj, Artan Mergjyshi; 10. Elbasani: Ilirjan File, Muharrem Dosti.
Në 10 skuadra drejtuan 17 trajnerë
DUKURIA
Presidentët, “karrotreca” për teknikët
Të dielën e 24 majit 2015, Kategoria Superiore e futbollit shqiptar uli siparin me ndeshjet e javës së 36-të. Në 180 ndeshjet zyrtare me 16.200 minuta lojë, u shënuan 391 gola nga 118 lojtarë të të gjitha skuadrave që morrën pjesë në këtë kategori elitare. Përpos elementëve të shumtë që e shoqëruan këtë topkëmbë në 9 muaj, ndoshta duhen veçuar edhe presidentët e skuadrave, jo vetëm për sakrificën ekonomike të tyre, por duke I parë ata si faktor të rëndësishëm në ecurinë e futbollit tonë. Në këtë tregues, ç’ka pamë javë pas jave në Kategorinë Superiore 2014-2015, e përforcojmë mendimin se futbolli shqiptar është i ngatërruar me bisnesin, të paktën në faktorin “trajner”. Në 36 javë Kampionat, në 6 skuadra u ndryshuan trajnerët dha ato në total u drejtuan nga 18 teknikë, një mestare kjo që presidentët e atyre skuadrave i shikon në këndvështrime të dyfishta. Në 5 skuadrat e para në rendtje ky fenomen ishte më i ulët, ndërkohë në 5 skuadrat e tjera trajnerët hynë në vorbullën e ardhjes dhe të ikjes nga drejtimi i skuadrave respektive. Duke i quajtur presidentët e skuadrave si “karrotreca” për trajnerët, ndoshta vetëm titulli jep një mesazh të qartë për dritëhijet e këtij faktori në futbollin tonë.