Partizani në “sulm” për portier, të kuqtë duan talentin 21-vjeçar

483
Sigal

Partizani nuk e ka mbyllur merkaton. Rrjedhjet e fundit kushtëzojnë klubin që të mendojnë për të tjera afrime. Dhe duke qenë se kanë në plan të mbrojnë titullin kampion, nuk do të kursehen në kompletimin e skuadrës për sezonin 2019-2020. Momentalisht, vëmendja është e gjitha te porta.

Pasi shpallën pas 5 vitesh “divorcin” me Dashamir Xhikën, ka mbetur një vend bosh. Drejtuesit po bëjnë çmos që të gjejnë një tjetër lojtar për këtë sektor dhe nuk duan thjesht një rezervë, por një portier cilësor, që të llogaritet si e ardhmja e ekipit.

I preferuari mbetet Alen Sherri. Nuk është e para herë që shkodrani lakohet, gjithsesi duket se të kuqtë nuk do të heqin dorë derisa ta bindin.

Arritja e një marrëveshjeje nuk do të jetë assesi e lehtë, por nuk është vetëm lojtari që të duhet të thotë “po”. E gjithë çështja është te Vllaznia.

Kujtojmë se 21-vjeçari ka kontratë me kuqeblutë, ndaj që të realizohet një kalim i tillë, duhet që të pranojë edhe klubi që zotëron kartonin. Edhe në janar lojtari ishte në orbitën e “demave”, madje këta të fundit i bënë ofertë. Por, pakt nuk kishte dhe portieri vijoi karrierën te Vllaznia, duke dhënë kontributin e tij për ngjitjen në Kategorinë Superiore.

Bisedimet kanë nisur tashmë dhe shpresohet që në ditët e ardhshme ta mbyllin me sukses këtë operacion. Të njëjta burime saktësojnë se vetë lojtari është i joshur për një transferim të mundshëm te kampionët në fuqi të vendit, e megjithatë që të bindet ndoshta Vllaznia, duhet që të paguajnë.

Partizani ka gati Alban Hoxhën dhe Livio Malajn për katërkëndorin, ndaj është domosdoshmëri afrimi i një tjetër portieri.

Dhe nëse arrijnë Alen Sherrin, atëherë do të ishin më shumë se të lumtur. I riu ka luajtur gjithnjë në Shkodër, ndaj ndoshta i ka ardhur koha që të hedhë një tjetër hap në karrierë