Partizani i Moxhit për rekord historik, 20 mijë euro për asnjë gol!

471
Nga Agron KAJA
FOKUS/ Më shumë se sa ngjitja e Skënderbeut dhe e Kukësit, në këtë javë spikat rënia e lirë e skuadrës së kuqe
Pas humbjes me Skënderbeun, te Partizani nuk ka “Iuliano ik”, por emergjente është “Moxhi ik”! Kështu ndoshta i shkon më mirë kësaj situate te skuadra e kuqe, sidomos kur shikon bilancin: 1 pikë, 0 gola në 3 ndeshje! E kësisoj, pse jo, na duhet që të shkruajmë më shumë, të flasim më shumë, pse jo, të bërtasim më shumë. Dhe pse duhet ta bëjnë mediat këtë veprim? Sepse ka një alarm, skuadra 15 herë Kampione e Shqipërisë, me një staf italian në drejtim e bankinë, me futbollistë të mirëpaguar, na paskan marrë vetëm 1 pikë në tre javë kampionat. Madje, nuk kanë arritur të shënojnë asnjë gol në këto tre ndeshje, dhe kësisoj, java e tretë e Kategorisë Superiore duket sikur ja nxori “kallain” Partizanit të “italianizuar” në këtë sezon, nga një ish-i dënuar në Itali për trukime ndeshjesh, Luçiano Moxhi. Sikundër edhe në javën e parë, edhe në javën e tretë, Partizani pësoi 2 gola dhe nuk arriti të shënojë, duke thyer ndoshta edhe ndonjë rekord në historinë e tij në tre ndeshjet e para, pasi nuk ka arritur ende të shënojë në portat kundërshtare. Dhe, kur kujton se gjatë merkatos së verës Partizani bëri blerjen më të shtrenjtë në historinë e Kategorisë Superiore të futbollit shqiptar, sulmuesin Edgar Çani, me një pagë mujore 20 mijë euro, jo vetëm që ngre të tilla pyetje, por ato mundet që edhe ti pështjellosh me lehtësi. Në këtë fokus, absolutisht që nuk kemi asgjë me emrin e Partizanit, sepse ai nuk identifikohet me Moxhin dhe “shpurën” që ai ka sjellë nga CV anonime për bankina e në fushë. Po tifozët e Partizanit, çfarë kanë me trajnerin Iuliano?! Ndoshta këtë herë ata nuk po shohin shumë larg në pretendimin e tyre, sepse prapa Iulianos është ai, që në shqip thuhet: “Hedh gurin dhe fsheh dorën”. Teksa kam lexuar dje në shtypin sportiv një analizë të ish-futbollistit të Tiranës e Kombëtares, Shkëlqim Muça, se, Partizani u tregua pa karakter në humbjen me Skënderbeun, natyrisht që këtë karakter të dobët nuk mund t’ia faturosh vetëm skuadrës dhe trajnerit. Më parë, fatura nga të gjitha drejtimet i takon “arkitektit”të kësaj skuadre, i cili ka sjellë futbollistë që në emër duken të mëdhenj, por në vlera aktuale nuk po tregohen të denjë për emrin e Partizanit. Ta paguash një sulmues 20 mijë euro në muaj, aq sa nuk merr Lushnja si skuadër, që sot është me pikë të barabarta me Partizanin, kjo nuk është e denjë as për një skuadër të madhe. Ky është alarmi ku duhet të godasë situata e krizës te të kuqtë.
Ta paguash një sulmues 20 mijë euro në muaj, aq sa nuk merr Lushnja si skuadër, që sot është me pikë të barabarta me Partizanin, kjo nuk është e denjë as për një skuadër të madhe në vendet me futboll të zhvilluar
0 gola
Në tre ndeshjet e para të Kategorisë Superiore, Partizani nuk ka shënuar asnjë gol, ka pësuar 4 herë në portën e tij
Sigal