Kërkesa e Partisë Demokratike për të riparë edhe një herë ligjin e miratuar në vitin 2014 për ndarjen administrative, shihet në mënyra të ndryshme
Humbja e madhe që pësoi në zgjedhjet e 25 qershorit, detyroi Partinë Demokratike t’i rikthehet kërkesave të saj lidhur me rishikimin e ligjit për ndarjen administrative e cila sipas tyre ka ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin zgjedhor. E hedhur si ide vetëm pak ditë më parë, ajo ka marrë vëmendjen e opinionistëve si dhe një pjese të mirë të atyre që kanë qenë pjesë e hartimit të ligjit në vitin 2014. Analistët janë të ndarë. Një pjesë e mirë e tyre shprehen se kjo kërkesë është e vonuar dhe se duhej riparo më herët. Ndërsa të tjerë shprehen se PD është tepër vonë për të kërkuar një ndryshim të tillë, duke e argumentuar këtë me faktin se në vitin 2014, kjo parti nuk pranoi të ishte pjesë e konsultimeve dhe dhënies së mendimit. Ish-kryetari i SHISH, Fatos Klosi nuk sheh asgjë të keqe në rishikimin e këtij ligji. Madje ai thotë se vendi nga 12 rajone duhet të ndahet vetëm në 4. Ndarja administrative ndikon drejtpërdrejtë edhe në sistemin zgjedhor. Analistët shprehen se PD gabon kur mendon se me rishikimin e ndarjes administrative do të shtojë numrin e deputetëve në kuvend. Këtë mendim ka anëtarja e Kryesisë së PD-së, Endira Bushati. Kështu mendon edhe eksperti i reformës administrative, Gerti Shella dhe Kryeredaktori i Gazetës Shekulli, Arben Rrozhani.
Fatos Klosi (Ish-kryetar i SHISH)
Opozita ka kërkuar rishikimin e ligjit për ndarjen administrative. Mendon se duhet parë ky ligj?
Pse jo, le të shikohet. Unë jam në dijeni se një gjë të tillë e ka kërkuar edhe Partia Socialiste. Aktualisht Shqipëria është e ndarë në 12 rajone. Unë mendoj që vendi ynë të jetë i ndarë në 4 rajone. Ne kemi një disporporcion të madh ndërmjet qarqeve, gjë që ndikon edhe në vota. Kështu vlera e votës në Kukës është shumë herë më e vogël se sa vlera e votës në kryeqytet. Unë jam që ndarja administrative të rishikohet dhe ndoshta është mirë që numri i rajoneve të zvogëlohet.
Adriatik Alimadhi (Kryetar i Partisë Balli Kombëtar)
Balli Kombëtar e ka dhënë qëndrimin e tij, sistem të pastër kombëtar dhe pa prag, të gjitha partitë që futen në zgjedhje të mos financohen nga taksat e shqiptarëve por fushatën ta bëjnë me financat e buxhetit të subjekteve tyre, pa prekur buxhetin e shtetit dhe të shohim se sa vota marrin këto parti të “mëdha”. Kam dhënë mendimin tim mbi ndarjen administrative e cila ishte shumë e thellë, nga 380 e ca bashki dhe komuna që kishim të paktën kjo politike duhej të kishte gjetur gjuhën për t’ju ardhur në shërbim sa më të mirë qytetarëve të saj të paktën të shkonte deri në 150 bashki apo komuna, por këtu në shqipëri bëhen eksperimente, bëhet politika e të fortit dhe jo e logjikës dhe e pjekurisë , që kur ta bëjmë një ligj të jetë plotësisht në shërbim të qytetarëve, po ka ndodhur krejtësisht ndryshe mbi interesa partiake. Situata politike është shumë e vështirë dhe për të ardhur keq që e them, por me këtë mendësi, prish dhe shkatërro, arresto, të folurit në mënyrë frike një qeveri pa program por vetëm me çitjane, një Shqipëri e kapur totalisht nga një bandë për interesa personale duke filluar nga koncesionet e deri investimet sipas interesave elektorale, punët do të jenë shumë edhe më keq. Jemi mbytur në drogë , burgjet e mbushura plotë, një frikë e madhe ndaj biznesit askush nuk vjen për të investuar, sigurisht do të kemi krize ekonomike.
Gert Shella ( Ekspert i Reformës Administrative)
Reforma Administrative e cila u përmbyll në vitin 2014 është ndoshta e vetmja reformë e cila meriton emrin që ka dhe suksesin që i atribuohet. Në të u përfshinë të gjitha forcat kryesore parlamentare me përjashtim të PD. Kjo e fundit nuk mori pjesë as në diskutimet në Komisionin e Posaçëm të Reformës të drejtuar nga Z. Fino dhe as nuk e votoi atë në seancë plenare, duke humbur një shans historik dhe politik. PD u apelua jo njëherë, por dhjetëra herë në atë kohë, jo vetëm nga Parlamenti dhe kryeministri Rama, por edhe komuniteti ndërkombëtar që mbështeti këtë proces shumë të rëndësishëm. Rihapja e këtij argumenti, në gjykimin tim është e vonuar dhe madje kundër-produktive për vetë PD. Pretendimi se PS e bëri hartën e vet territoriale për të maksimizuar votat në sistemin zgjedhor proporcional rajonal nuk qëndron. Në versionin që PS paraqiti parashikoheshin rreth 20% më pak bashki se sa janë sot aktualisht. Së dyti, versioni me 61 bashki u adoptua nga Komisioni i Reformës si një vetë-limitim, duke pasur parasysh se deri në atë kohë ekzistonin 59 bashki të mëdha, të mesme dhe të vogla. Janë praktikisht vetëm dy bashki të reja të cilat i janë shtuar hartës së re administrativo- territoriale (si psh Konispoli, i cili ishte komunë dhe u kualifikua në hartë si bashki e re). Në atë kohë, komision administroi pozitivisht kërkesën e PDIU dhe ky fakt më shtyn të mendoj se nëse PD do kishte marrë pjesë në këtë proces kaq të rëndësishëm, me siguri ajo do të kishte arritur atë që ajo mendonte se mund të ishte më e mira për të dhe gjithë votuesit që ajo përfaqëson. Nëse sot PD është duke kërkuar ribërjen e hartës, atëherë ajo po pranon indirekt se lidershipi i saj në atë kohë nuk ishte i vëmendshëm për të kuptuar impaktin që harta e re territoriale do të kishte mbi sistemin zgjedhor. Të kërkosh ribërjen e hartës është tautologji për të pranuar se në kohën kur harta e re po dizenjohej, lidershipi po flinte dhe se kjo tashmë është kuptuar si një shans i humbur opozitar.
Së dyti, ka një konfuzion në logjikën e ri-dizenjimit të hartës Administrativo-Territoriale nga njëra anë dhe kërkesës së bërë publike nga PD për të kaluar në një sistem me prirje maxhoritare, ose ndoshta dhe proporcional të pastër…harta në këtë rast është irrelevante.
Së treti, pavarësisht së me Reformën Administrativo-Territoriale të 2014 u krijuan 61 bashki të mëdha (diku rreth 312 komuna u shkrinë brenda këtyre juridiksioneve të reja) niveli i dytë i qeverisjes vendore, pra ndarja në Qarqe, nuk u prek. Sistemi ynë aktual zgjedhor ka si njësi bazë të përllogaritjes së votave (apo shpërndarjes së mandateve) pikërisht qarkun dhe jo bashkinë. Në këtë kuptim, kërkesa e PD është thuajse e pakuptimtë dhe do të duhet që dikush prej specialistëve të saj, të komunikojë dhe të zbardhë pikërisht motivet politike se përse kërkohet kjo ndërhyrje, pasi motive teknike apo zgjedhore duket sikur janë të ezauruara dhe irrelevante, ose thjesht nuk kuptohen lehtë përmes logjikës normale.
Arben Rrozhani ( Kryeredaktor gazeta “Shekulli”)
Partia Demokratike duhet të gjejë shkaqe të tjera pse është rrudhur vetëm në disa zona të vogla të hartës administrative të Shqipërisë. Nuk ka qenë e largët koha kur kjo hartë bëhej blu edhe në veri, por edhe zona të caktuara në jug, kurse në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, duhet të shikosh mirë hartën elektorale për të gjetur zonat ku ka fituar PD-ja. Unë parashikoj se këtë hartë, për fat të keq, Shqipëria do ta ketë edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore, nëse flamurin e opozitës do ta mbajë, pa të drejtë, PD-ja e shpartalluar dhe pa asnjë kauzë, bindje dhe shpresë për fitore. Ajo nuk mund dhe nuk duhet ta kërkojë kurrsesi çelësin e fitores te rishikimi i reformës territorial. Ajo ishte ndër punët e vetme që ka bërë qeverisja PS-LSI gjatë katër viteve të shkuara. Madje ajo mund të ishte bërë më e thellë, sepse edhe 61 bashki janë shumë për një Shqipëri, që është me një popullatë, sa një kryeqytet normal në botë. Sa më e cekët të ishte kjo reformë, aq më shumë do të paguanin taksapaguesit dhe e kundërta. Bashkimi i disa zonave sipas ndarjes së re territoriale nuk ndikoi aspak te humbja e PD-së dhe anasjelltas te fitorja e PS-së. PD-ja ka humbur votën reale, ka humbur njerëzit, nuk ka humbur ngastra toke. Drejtuesit e PD-së nuk duhet të mendojnë si spahinj që shpërblehen me ngastra toke nga Porta e Lartë. Ata duhet të fitojnë shpirtin e njerëzve me programe dhe premtime që bëhen realitet. Harta e re e ndarjes territoriale, me aq dijeni sa kam unë, nuk ndikon aspak te reforma zgjedhore. Nëse PD-ja do të udhëheqë një reformë transparente dhe të ndershme elektorale për zgjedhjet vendore 2019, me votim elektronik, me komisione jopolitike dhe jo me komisionerë që vjedhin dhe trafikojnë votat e shqiptarëve, ajo do të korrë frytet duke kthyer ngjyrën blu në shumicën e hartës së vendit. Ndryshe e vetmja ngjyrë blu, do të jetë SHQUP-i.
Endira Bushati (Ish-kryetare e AMA-s)
Unë mendoj se një sistem mazhoritar i pastër nuk do të ishte i drejtë për t’u aplikuar. Një sistem i tillë nuk reflekton votën e popullit. Duket hapur gjithashtu se një kërkesë e tillë, pra për të riparo sistemin zgjedhor dhe reformën administrative, është një Pazar i pastër i Edi Ramës me Lulzim Bashën. Basha dhe Rama kanë si qëllim të zhdukin partitë e tjera më të vogla. Jam e mendimit se nëse PD do të propozojë aplikimin e mazhoritarit të pastër, kjo automatikisht shkon kundër interesave të saj. Me këtë sistem, Partia Demokratike, fiton në zgjedhje vetëm 10-15 deputet. Ndërkohë që partitë e vogla nuk kanë asnjë përfitim.




















