Paratë apo lojtarët luajnë në futboll?

510
Sigal

 P residenti i Vllaznisë jep premio pas fitores, ai i Luftëtarit u bën shantazh lojtarëve para humbjes

Futbolli shqiptar tej ritualit të 90-minutave në fushë (ku dhuron pak spektakël), ka dhe anën e tjetër të medaljes, atë që luhet në zonën “VIP”. Në jo pak raste, presidentët e klubeve, qofshin këta kryebashkiakë (me të drejtën e të qenit pronar të aksioneve të shoqërisë), apo dhe biznesmenë privatë, që financojnë shuma jo të vogla, kanë një qasje të ndryshme rreth parave të administrojnë. Java e parë e fazës së dytë ofroi dy pamje krejt të kundërta: te Vllaznia e Shkodrës dhe Luftëtari i Gjirokastrës. Vendosja e premiove është konsideruar gjithmonë si një faktor nxitës për lojtarët, madje shpesh herë janë vendosur dhe premtuar edhe shuma të pabesueshme, siç ishte rasti i kryebashkiakut Basha kur vendosi 100 mijë euro premio, me qëllim që Tirana të fitonte me Teutën në “Niko Dovana” (në sezonin 2011-2012).

 SHPËRBLIMI – Pas fitores së bujshme me Skënderbeun (me eurgolin e Hajdarit), suksesi ndaj kampionëve dhe liderit të kampionatit u shpërblye me një “zarf”. Kështu, presidenti i Vllaznisë, Agron Çela, u shpërndau lojtarëve premion e premtuar për fitoren në transfertën e vështirë të Korçës (të luajtur madje nën temperatura nën zero). Zarfi kishte brenda 5 milionë lekë të vjetër, prej të cilit përfituan stafi teknik me në krye trajnerin Artan Bushati, si dhe lojtarët, autorët e fitores ndaj skuadrës më të mirë shqiptare të tre viteve të fundit. Shuma e dhënë lojtarëve ka dhe një synim të dytë: arritjen e fitores me Kukësin, që po bën një sezon të mirë në debutimin e tij historik dhe për momentin ka katër pikë më shumë se shkodranët dhe ndodhen tri vende më lart.

 PARALAJMËRIMI – Skuadra gjirokastrite, e cila u rikthye në Superligë si kampione e Kategorisë së Parë mund të rikthehet sërish andej nga erdhi. Gjirokastritët kanë pësuar 9 humbje në 14 ndeshje dhe ndodhen të tretët nga fundi, kur nga Kategoria Superiore zbresin direkt katër ekipe. Pikërisht, ky është dhe problemi që ka presidenti Flamur Bime, njëherësh dhe kryebashkiaku i Gjirokastrës (bashkia financon thuajse plotësisht skuadrën). Nisur nga një qëllim i mirë, kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, i paralajmëroi lojtarët para ndeshjes së humbur 3-1 me Kukësin, me synimin për t’i nxitur ata dhe për ta justifikuar me rezultate. “Duhet patjetër fitorja ndaj Kukësit. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë asnjë nga ju të mos më flasë më për lekët. Fitoni me Kukësin dhe meritojini, në të kundërt nuk ka më parà!”, citohet ai nga mediat sportive. Mirëpo, edhe ky paralajmërim nuk ka bërë efekt, pasi lojtarët jo vetëm që nuk reflektuan pozitivisht, por me lojën e tyre bënë që Luftëtari të pësonte humbjen e nëntë në kampionat dhe të pestën në shtatë ndeshje në shtëpi (vetëm dy fitore).

 FENOMENI

Boshatisja e stadiumeve

 Të dielën, në “Qemal Stafa” luajti skuadra me më shumë tituj në Shqipëri, Tirana (24 kampionate të fituara) ndaj Tomorit të Beratit, një ekip jo me pak histori në vendin tonë. Por, ndeshja fatkeqësisht u ndoq nga jo më shumë se 300 veta. Në karshi numëroheshin jo më shumë se 20 shikues, tifozë besnikë të bardhebluve që sfiduan të ftohtin dhe shiun. Por, në Durrës, në Teuta-Shkumbini kishte shumë pak tifozë, ndërkohë që në Besa-Laçi, të luajtur në Peqin, ata mungonin. Në ndeshjen hapëse të fazës së dytë, atë Skënderbeu-Vllaznia, ishin të pranishëm mbi 300 mijë shikues, madje dhe të ardhur nga Shkodra. Këta të fundit i hoqën bluzat dhe mbetën nga trupi lakuriq, kur Hajdari shënoi golin e fitores, duke dhuruar spektakël, pavarësisht se pista e stadiumit ishte e mbuluar nga dëbora. Nëse në Gjermani, stadiumet janë të prenotuar dhe të mbushur në kapacitetin e tyre maksimal, në Shqipëri po ndodh e kundërta, ka gjithmonë dhe më pak shikues. Arsyet mund të jenë të shumta, por ajo më kryesore është se në futbollin tonë ka pak futboll dhe aspak cilësi.

  MIQËSORJA

Partizani humbet me Shkëndijën e Tetovës

 Pas barazimit të papritur me Adën e Velipojës (1-1), në javën e parë të fazës së dytë të Kategorisë së Parë, Partizani humbi 1-0 edhe miqësoren “patriotike” me Shkëndijën e Tetovës, skuadrën shqiptare nga Maqedonia. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Gjelbërim Taipi. Lojtari kosovar i Kombëtares U-21 realizoi nga pika e bardhë, në minutën e 37-të. Ndeshja e zhvillua dje në stadiumin “Besa” të Kavajës (në orën 11:00). Skuadra shqiptare nga Tetova është duke zhvilluar në vendin tonë, fazën përgatitore.

  Armend Dallku “kopjon” Lorik Canën

  Armend Dallku në gjurmët Lorik Canës. Mbrojtësi i djathtë kosovar i Vorskla Poltavës pritet të spostohet në qendër të mbrojtjes të skuadrës ukrainase, ashtu siç po luanë së fundi Lorik Cana te Lacio. Lajmi është dhënë nga vetë trajneri i Vorsklës, Sergei Vutcin dhe është publikuar në faqen zyrtare të klubit. Sapaj rikthehet nga dëmtimi dhe trajneri i Vorsklës, Sergei Svitcun, ka menduar që të hedhë në qendër të mbrojtjes kosovarin 28-vjeçar, për të formuar dyshen qendrore se bashku me Kurilovin, ndërkohë që në Sapaj do të luajë në të djathtë, dhe Lagos në të majtë. E gjithë kjo lëvizje bëhet që, t’i jepet mundësi mbrojtësit tjetër, Çesnakovit, që të luajë përpara mbrojtjes. Mbrojtësi prishtinas luan prej vitit 2005 te Vorskla dhe numëron mbi 130 ndeshje. Po te Vorskla luan edhe sulmuesi Ahmed Januzi (3 gola këtë sezon), ndërsa kontratë lojtari profesionist ka nënshkruar dhe vëllai i Armendit, Ardini, 17-vjeç. Në fakt, Vorskla nuk është duke bërë një sezon të mira, pasi në përfundim të fazës së parë, ajo renditet në vendin e 13-të (nga 16 skuadra), duke grumbulluar 20 pikë në 18 ndeshje. Në Ukrainë luajnë dhe dy futbollistë të tjerë të Kombëtares shqiptare, mesfushori Elis Bakaj dhe mbrojtësi i majtë, Kristi Vangjeli, që të dy me Çernomerets Odesa.

  Sot, Sëlltik-Juventus dhe Valencia-Paris Sën Zhermen

 Rikthehet spektakli i Ligës së Kampioneve

  Liga e Kampioneve do të rikthehet sot në aksion, me dy ndeshjet hapëse të fazës së 1/16-ve, ose të quajtur “raundi i parë i vdekjes”, pasi skema është me eliminim të drejtpërdrejtë. Sëlltik do të presë Juventusin në Gllazgou, ndërkohë që në Valencia mysafir do të jetë Paris Sën Zhermeni i Zlatan Ibrahimoviçit. Të mërkurën do të luhet supersfida Real Madrid-Mançester Junaitid dhe Shahktar Dontesk-Borusia Dortmund.

SËLLTIK-JUVENTUS

Sëlltiku, vendi i dytë i grupit B, do të përballet me kampionët e Italisë, që u kualifikuan të parët në grupit E. Të dyja skuadrat do të ballafaqohen pas 11 vitesh, teksa skocezët fituan 4-3 në “Sëlltik Park”, ndërsa humbën 3-2 në Torino. Trajneri aktual i Sëlltikut, Neil Lenon dhe ndihmësi i tij, Johan Mjellbaj, luajtën në të dyja ndeshjet, ndërsa nga Juventusi i vetmi i mbijetuar nga ballafaqimet e vitit 2001 (18 shtator dhe 31 tetor) është portieri Xhanluixhi Bufon. Sëlltiku nuk ka humbur asnjë nga tetë ndeshjet e fundit kundër kundërshtarëve nga Seria A italiane në “Sëlltik Park”, përfshirë dhe një fitore ndaj Milanit, në mars të vitit 1969. Në 19 ndeshje në total kundër ekipeve italiane në Sëlltiku ka këtë bilanc: 5 fitore, 7 barazime dhe 7 humbje. Sëlltiku ka fituar Ligën e Kampioneve duke mundur në finale 2-1 Interin, në sezonin 1966-1967 (në Lizbonë). Juventusi, që nuk humbi asnjë nga ndeshjet në grup, është për herë të dhjetë në në raundin me eliminim direkt në formacion e Ligës së Kampioneve. Për herë të fundit ishin në këtë fazën në sezonin 2008-2009, kur ato humbën 1-0 me Çelsin përpara se ta barazonin 2-2 në Torino. Juventusi nuk humbet një ndeshje në transfertë në Europë, qysh nga 18 marsi i vitit 2010, kur humbi 4-1 me Fulhamin në Ligën e Europës. Në bilancin me skuadrat skoceze Juventusi ka në total dy fitore, një barazim dhe tri humbje.

VALENCIA-PSG

Valencia është përpara një misioni të vështirë përballë gjigantit francez, Paris Sën Zhermen, që përfundoi i pari në grupin A dhe ka një bilanc të respektuar në Francë. Dy skuadrat kanë vetëm një precedent midis tyre, që daton më 27 korrik të vitit 2007, një ndeshje e luajtur në stadiumin e Arsenalit në Londër dhe që i përket një turne përgatitore. Francezët fituan me rezultatin e pastër 3-0. Valencia nuk mundet prej 17 ndeshjesh nga ekipet franceze, teksa humbja e tyre e fundit daton në sezonin 1979-1980, kur Nantë fitoi 2-1 në gjysmëfinalet e Kupës së Kampioneve. Valencia ka fituar Kupën UEFA 2003-2004, ndërkohë që bilanci i “Blanquinegros” kundër vizitorëve francezë ka një rekord 100 për qind të pastër: tetë ndeshje, teë fitore, e fundit ajo kundër Lilës, më 2 tetor të vitit të kaluar. Valencia është e pamundur në nëntë ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, në Ligën e Kampioneve (6 fitore dhe 3 barazime). Paris Sën Zhermeni pati sulmin e katërt më të mirë në fazën e grupeve, 14 gola, teksa më mirë ishin Reali i Madridit, Bajerni dhe Çelsi. Ekipi francez ka një bilanc të mirë kundër ekipeve spanjolle: në 16 ndeshje, ka regjistruar 8 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje (3 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje në Spanjë). Skuadra e Karlo Ançelotit vlerësohet si favorite, kjo nisur edhe nga fakti se ka në gjirin e tij një supersulmues si Zlatan Ibrahimoviçi.

LIGA E KAMPIONEVE

Faza e 1/16-ve

12 shkurt 2013

Sëlltik-Juventus                20:45

Arbitër: Malljenko (Spanjë)

Valencia-PSG             20:45

Arbitër: Taljavento (Itali)

13 shkurt 2013

Shahktar D.-B.Dortmund     20:45

Arbitër: Ueb (Angli)

Real Mad.-Mançester Jun.   20:45

Arbitër: Bryh (Gjermani)

19 shkurt 2013

Porto-Malaga               20:45

Arsenal-Bajerni Munih      20:45

20 February 2013

Galatasaraj-Shalke         20:45

Milan -Barcelona           20:45