Panuçi dje në Shqipëri, në FSHF për agjendën e miqësoreve, ndjek Teuta-Kukësi

544
Nga Agron KAJA
KOMBËTARJA/ Trajneri italian zhvilloi biseda me homologët në Kombëtaret e moshave, përgatiti programin për ndeshjet e radhës
Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, dje ka mbërritur në Shqipëri dhe menjëherë ka shkuar në FSHF, ku ka vendosur për agjendën. Në një deklaratë për mediat e interesuara, ai tregoi për agjendën e tij, por edhe pse ka zgjedhur Kasetin si ndihmës të tij. “Këtu në FSHF jam për të bërë një program për dy ndeshjet e radhës, si dhe për grumbullimin që do bëj për ndeshjet miqësore që kemi në fundin e këtij muaji. Kombëtarja do të grumbullohet për një periudhe stërvitore 10 ditore në Zvicër në fund të këtij muaji, aty ku do të zhvillohet edhe miqësorja me Ukrainën. Unë jam i kënaqur për punën që po bëhet për organizimin e dy ndeshjeve miqësore edhe pse njëra ende nuk është zyrtare. Janë dy ndeshje ku do të shoh për formacionin që do përdor në ndeshjet zyrtare të Ligës së Kombeve. Fizikisht lojtarët nuk do të vijnë në maksimumin e mundshëm, megjithatë Kombëtarja është Kombëtare dhe nuk ka shumë takime miqësore, kështu që në 10 ditët e grumbullimit duhet të punojmë me seriozitet për të vijuar me përgatitjet në kuadër të Ligës së Kombeve dhe eliminatoreve të Evropianit”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij tekniku kuqezi, i cili ka folur edhe për disa nga futbollistët që luajnë në Kategorinë Superiore, të cilët tregoi se po i monitoron. “Guri po bën një punë të mirë te Kukësi, dhe është normale që atë po e monitorojmë. Ai ia ka bërë vetë vendin vetes në Kombëtare nëpërmjet paraqitjeve dhe golave që po shënon, por duhet të vazhdojë të punojë, dhe shpresojmë që te jetë pjesë e grupit, gjithçka varet nga ai. Unë ftoj gjithnjë më të mirët, kur të zbardhet lista për dy miqësoret, atëherë do të shohim nëse do të jetë i grumbulluar apo jo. Ndërsa jam i kënaqur me kalimin e Abazaj te Anderlehti, pasi do të thotë se ka bërë një punë të mirë dhe eksperienca e tij evropiane do të jetë diçka e mirë për Kombëtaren”. Ndërkohë, Panuçi foli edhe për ndryshimin e zëvendësit të tij, ku theksoi se eksperienca që ai ka, do ta ndihmojë Kombëtaren shqiptare. “Kam zgjedhur Marko Kasetin si zëvendëstrajner, sepse ai ka luajtur me mua e ka 300 ndeshje në Seria A. Kam një marrëdhënie mjaft të mirë me të, mund të më ndihmojë sidomos me mbrojtësit dhe puna e tij do të ketë shumë vlera në përmirësimin e repartit difensiv”, kështu u shpreh dje Panuçi, ndërkohë që në mbrëmje ishte i pranishëm në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ku objekt ka qenë sulmuesi i Kukësit, Sidrit Guri. 
I kuptoj futbollistët që kanë zhvilluar një sezon të lodhshëm, megjithatë duhet të japin edhe diçka për kombëtaren në mbyllje të sezonit, sepse me skuadrën përfaqësuese nuk bëhet shaka. Grupin po e formojnë, diçka duhet të ndryshojmë, por me fokusin kryesor tek mënyra e lojës
Sigal