Orges Shehi: Atmosfera nuk na prish punë, s’do të dalim pa pikë nga Beogradi

488
Nga Agron KAJA
EVROPA LIGË/ Dje, pasi mbërriti në kryeqytetin serb, për gazetën “Telegraf” foli kapiteni dhe portieri i Skënderbeut
Si ishte pritja dhe akomodimi juaj dje në Beograd?
Masat janë shumë të mira, dhe deri tani nuk ka ndonjë problem. Ne nuk e shohim ndryshe këtë udhëtim për të luajtur këtë ndeshje në Beograd, pasi si qëllimin e vetëm kemi futbollin. Ndaj jemi të orientuar vetëm tek fusha e lojës, dhe jo tek emocionet.

Kjo atmosferë ekziston në gjithë skuadrën e Skënderbeut?
Kur flas me ju, unë deklaratën e bëj edhe si kapiten i skuadrës, ndaj edhe atmosfera në skuadër është e tillë, pa emocione jashtë lojës së futbollit. Futbolli ka kaluar situata të ndryshme me tifozët, por kjo është në plan të dytë për ne, nuk na bën përshtypje. Mirë do të ishte, dhe kështu e presim nesër (sot), që në stadium të ketë atmosferë sportive.

Do të ndikojë në lojën tuaj mungesa e tifozerisë korçare?
Nuk besoj, sepse ne e kemi të qartë situatën se nuk do të jenë tifozët tanë në stadium, sikundër edhe Partizani nuk i kishte në ndeshjen që luajtëm në Elbasan. Por, ne do të jemi të përqendruar 100% te fusha, dhe jo te shkallët e stadiumit. Tifozët kanë punën e tyre, ne tonën.

Po ju, jeni në emocion, duke qenë se ktheheni në stadiumin e Beogradit tre vite pas incidentit të 14 tetorit 2014 me Kombëtaren?
Absolutisht jo, sepse ky është një takim tjetër nga ai i Kombëtares tre vite më parë. Ajo nuk ishte një ndeshje futbolli, dhe sot në këtë situatë nuk vlen të kujtohet. Personalisht, sot jam tërësisht i zhveshur nga emocionet e asaj ndeshjeje.

Sipas jush, situata që mund të krijojë tifozeria vendase, nuk do të ketë ndikim te ndeshja?
Për ne nuk ka asnjë arsye të ketë ndikim, e kështu besojmë edhe tek lojtarët e Partizanit. Jemi profesionistë dhe futbollin e luajmë në fushë, jo në shkallët e stadiumit. Besojmë shumë se kështu do të veprojnë edhe lojtarët e Partizanit.

Janë mundësitë që Skënderbeu të dalë pozitiv nga kjo sfidë në Beograd?
Ne do të bëjmë më të mirën tonë, me synimin që të mos dalim pa pikë nga kjo ndeshje në Beograd. Natyrisht që e kemi të qartë shkallën e vështirësisë që ka kjo sfidë, por ne i kemi mundësit që të përballemi me dinjitet, pa komplekset që sjell stadiumi dhe emri i kundërshtarit.

E keni të qartë situatën, ku pas kësaj ndeshjeje përcaktohet vazhdimësia për vendin e dytë në Grupin ?
Patjetër që po, por ne së pari duam të kalojmë me sukses këtë ndeshje, pastaj të mendojmë për dy ndeshjet e tjera. E përmenda, që kjo ka vështirësi të lartë si ndeshje, dhe vetëm pas saj mund të flasim për dy ndeshjet e tjera, pse jo dhe mundësitë tona deri në fund.
Ne do të bëjmë më të mirën tonë, me synimin që të mos dalim pa pikë nga kjo ndeshje në Beograd. Natyrisht që e kemi të qartë shkallën e vështirësisë që ka kjo sfidë, por ne i kemi mundësit që të përballemi me dinjitet, pa komplekset që sjell stadiumi dhe emri i kundërshtarit
Masa të shumta sigurie, me Skënderbeun edhe policë privatë shqiptarë
Në mëngjesin e djeshëm, Skënderbeu ka mbërritur në Beograd, ku sot do të luajë përballë Partizanit të Beogradit në Evropa Ligë. Masat e sigurisë ishin të forta, edhe pse mungonin forcat e ushtrisë, sikundër tre vite më parë në ndeshjen Serbi- Shqipëri, sinjal ky që tregon për një situatë më të qetë. Në delegacionin prej 50 vetash kanë udhëtuar dje në Beograd edhe 7 policë privatë dhe 2 efektivë të policisë së shtetit, për të bërë më të sigurt qëndrimin e skuadrës në Beograd. Po dje në mëngjes, Skënderbeu është akomoduar në hotelin, “Croune Plaza”, i cili është i rrethuar me forca të shumta policie, ndërkohë që në stadium janë instaluar 90 kamera sigurie dhe janë angazhuar 700 policë që do të ruajnë rendin dhe do të ofrojnë sigurinë, para-gjatë e pas ndeshjes. Klubi i Partizanit u ka bërë thirrje tifozerisë së tij, që të evitojë koret raciste dhe të respektojë kundërshtarin, ashtu siç bënë ata në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”.
Sigal