Nga nëntori në qershor, ja ndryshimet e Kombëtares

500
Nga Agron KAJA
SHQIPËRI-IZRAEL/ Të dielën luhet ndeshja e dytë, kundër skuadrës që veç ndëshkimit me 3 gola, na penalizoi portierin Berisha
Arbitër në Izrael, bjellorusi 37 vjeçar, Aleksei Kulbakov
Tashmë edhe bilbili i sfidës me Izraelin është bërë zyrtar, ai do të jetë 37 vjeçari bjellorus, Aleksei Kulbakov, i cili në arenën ndërkombëtare drejton rregullisht në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, apo edhe të Ligës së Evropës. Duke llogaritur gafat e arbitrit gjerman Deniz Ajtekin, në ndeshjen e parë Shqipëri-Izrael 0-3, kureshtja për emrin e gjyqtarit që do të drejtojë duelin e dytë, ishte e madhe. Sepse aty pritet një sfidë po aq e ndezur sa edhe në nëntor këtu në Shqipëri, e cila mund të përcaktojë fatin e dy skuadrave që luftojnë për vendin e tretë në grup. Kulbakov nuk e jep shpejt kartonin e kuq, përkundrazi, rezulton se në të gjitha ndeshjet e kombëtareve që ka drejtuar, nuk ka dhënë asnjëherë një të tillë. Lidhjet e tij me Shqipërinë janë: një ndeshje të përfaqësueses U-19 ndaj Irlandës, dhe dy ndeshje të Tiranës në Ligën e Evropës në vitin 2012.
Trajneri Elisha Levi: I druhem Shqipërisë
Izraeli ka barazuar të martën 1-1 ndaj Moldavisë, në provën e fundit para ndeshjes kundër Shqipërisë. Nga ana e saj, Moldavia ka udhëhequr deri në minutën e 90-të, kur Ben Sahar vendosi baraspeshën. Ndërsa trajneri i Kombëtares izraelite, Elisha Levi, në një konferencë për shtyp ditën e djeshme, i vlerësoi kuqezinjtë për ndeshjen e së dielës. “Nuk mendoj se do të ketë ndikim humbja e Shqipërisë me Luksemburgun, pasi ishte vetëm një miqësore, ndërsa në ndeshje zyrtare ne e dimë sesi luajnë. Ndeshja me Shqipërinë, sidomos pas faktit që i mundëm në shtëpinë e tyre, është një betejë e drejtpërdrejtë për vendin e tretë. Në terma rezultatesh, i kemi kapur pritshmëritë tona, edhe pse humbëm me Spanjën e Italinë, që gjithsesi, janë forca më të mëdha. Kemi një bazë të qëndrueshme të kombëtares, dhe besoj shumë tek ekipi im edhe në këtë përballje”, deklaroi trajneri i Izraelit.
Ditët e zhvillimit të ndeshjes Izrael-Shqipëri janë afruar, ndërkohë që orët deri ditën e diel do të jenë edhe më të gjata. Sepse Kombëtarja jonë ka shumë dritëhije që në një situatë gri e zhvendosin atë në rënie të lirë, kryesisht duke ju referuar rezultateve negative në pesë ndeshjet e fundit. Nga humbja në “Elbasan Arena” më 12 nëntor 2016, ndeshje e cila tronditi edicionin e kuqezinjve, dhe deri te ndeshja e ditës së diel në Haifa më 11 qershor 2017, ku do të vendoset kryesisht për vendin e tretë në Grupin G eliminator, por jo vetëm, Kombëtarja shqiptare është në regres total. Dhe pikërisht, ky regres ka nisur që nga ndeshja me Izraelin në vitin e kaluar, teksa humbëm në fushën me shifrat 0-3, në një ndeshje ku kuqezinjtë një pjesë të mirë të dështimit ia faturuan arbitrit gjerman, Deniz Ajtekin. Nga ajo ndeshje, kanë kaluar gjashtë muaj, dhe tashmë të dielën më 11 qershor, në stadiumin “Sammy Ofer Stadium”, vjen momenti i së vërtetës për Shqipërinë e post-Evropianit. Një skuadër që ka zhgënjyer jo pak, jo thjesht me rezultate, por më së shumti me lojën që ka zhvilluar këtë edicion. Edhe pse ishte thjesht një miqësore, humbja e fundit ndaj Luksemburgut, ja ka shtuar edhe më shumë hallet në shtëpinë kuqezi. Në pesë humbjet që ka regjistruar, në 450 minuta lojë zyrtare, skuadra nuk ka funksionuar si më si parë, situatë kjo e konfirmuar edhe nga vetë trajneri, njëherësh edhe lojtarët. Nëse për harmoninë në grup, kuqezinjtë janë gati të përgënjeshtrojnë, e kundërta ndodh për atë që luhet në fushë. Një skuadër pa ide, dhe me një skemë të dështuar 3-5-2, duke hasur vështirësi edhe ndaj modestëve të Luksemburgut, qoftë në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese. Në pesë ndeshjet e fundit, Kombëtarja shqiptare ka një bilanc shumë negativ: Ka luajtur 3 ndeshje eliminatore ne Grupin G, me 3 humbje dhe me golavarazhin negativ 0:7. Më pas, ka luajtur edhe 2 ndeshje miqësore me dy humbje, me golavarazhin negativ 2:4. Natyrisht që kjo është një situatë, e cila preket nga të gjithë, në ekrane dhe në media, por si vjen Shqipëria në ndeshjen e radhës me Izraelin? Së pari, ka ndryshime në përbërje, sepse në këtë “finale” për vendin e tretë do të luajmë pa portierin Berisha, pa kapitenin Agolli, pa mesfushorin Xhaka dhe sulmuesin Balaj, të katërt titullarë në pjesën e parë të edicionit. Prova në miqësore ishte e dështuar dhe nuk vlejti për asgjë, ndaj dhe De Biazi po mendon të rikthejë skemën që i ka dhënë suksesin më të madh Shqipërisë: 1-4-5-1. Kjo skemë përshtatet me vlerat e futbollistëve tanë, sepse kthehet në modulin 1-4-3-3 në fazën sulmuese, dhe kështu trajneri De Biazi do të kërkojë të “hakmerret” ndaj Izraelit. Nga ndeshja e parë në Elbasan, deri te kjo e së dielës në Haifa, edhe risitë do të jenë të dukshme, nga Strakosha në portë, Aliji në mbrojtje, Kaçe në mesfushë dhe Cikalleshi në sulm, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e njëjtë, dhe pritet të konfirmohet.
Bilanci në 
pesë ndeshjet e fundit
Kualifikuese-Grupi G
Botërori 2018
Datë 9 tetor 2016
Shqipëri-Spanjë 0-2
Datë 12 nëntor 2016
Shqipëri-Izrael 0-3
Datë 24 mars 2017 
Itali-Shqipëri 2-0
Bilanci
Nd 3, F 0, B 0, H 3, G 0:7
Ndeshje miqësore
Datë 28 mars 2017
Shqipëri-Bosnje H 1-2
Datë 4 qershor 2017 
Luksemburg-Shqipëri 2-1
Bilanci
Nd 2, F 0, B 0, H 2, G 2:4
Bilanci në total
Nd 5, F 0, B 0, H 5, G 2:11
Kupa e Botës Rusi 2018 
Grupi G-Shqipëria
Ndeshja e luajtura
Datë 5 shtator 2016
Shqipëri-Maqedoni 2-1
Datë 6 tetor 2016 
Lihteshtein-Shqipëri 0-2
Datë 9 tetor 2016
Shqipëri-Spanjë 0-2
Datë 12 nëntor 2016
Shqipëri-Izrael 0-3
Datë 24 mars 2017
Itali-Shqipëri 2-0
RENDITJA
Nr. Skuadra N P 
1.Spanjë 5 13
2.Itali 5 13
3.Izrael 5 9
4.Shqipëri 5 6
5.Maqedoni 5 3
6.Lihtenshtein 5 0
Ndeshje që do të luhen
Datë 11 qershor 2017
Izrael-Shqipëri 20:45
Datë 2 shtator 2017
Shqipëri-Lihtenstein 18:00
Datë 5 shtator 2017
Maqedoni-Shqipëri 20:45
Datë 6 tetor 2017
Spanjë-Shqipëri 20:45
Datë 9 tetor 2017
Shqipëri-Itali 20:45 
DEKLARATA NË KOMBËTARE
Mbrojtësi Gjimshiti: Me Izraelin, shansi për t’u korrigjuar
Si zakonisht, edhe dje në mesditë kanë dalë në konferencën për shtyp, dy nga futbollistët e Kombëtares sonë. Ka qenë radha edhe e mbrojtësit Berat Gjimshiti, i cili kujton faktin se në futboll të jepet gjithnjë shansi i dytë për të korrigjuar gabimet e së shkuarës, ndaj është besimplotë se ndaj Izraelit se do të arrijnë një rezultat pozitiv. Më pas, ai nuk e cilësoi skemën me tre mbrojtës si ngërçin e Shqipërisë, ndërsa pranoi se nuk e di çfarë do të ndodhë me të ardhmen personale sa i përket klubit ku aktivizohet. “Aktualisht ne jemi në gjendje të vështirë, por duhet ta tejkalojmë të gjithë bashkë si skuadër, sepse duhet të dimë çfarë kemi arritur, të dimë forcat dhe kualitetin tonë, e më pas t’i vendosim ato në fushë. Çdo lojtar që është në kombëtare nuk është kot, jemi të gjithë që kemi cilësi dhe secili duhet që të tregojë vetëbesim në stërvitje dhe në këto ndeshje. Kështu do të shkojmë në Izrael, me tre mbrojtës, sepse është një skemë që na përshtatet. Nuk mendoj se është problem i taktikës, por çështje individuale, sepse na ka munguar përqendrimi”, ka deklaruar mbrojtësi Berat Gjimshiti.
Mesfushori Memushaj: Me Izraelin, sfidë e rëndësishme
Për mesfushorin e Kombëtares sonë, Ledian Memushajn, humbja e pësuar me Luksemburgun, ishte më mirë që ndodhi në atë miqësore, se sa të ndodhë në ndeshjen e radhës ndaj Izraelit. Në daljen e djeshme në konferencën për shtyp, Memushaj hodhi poshtë zërat për të ardhmen e trajnerit De Biazi, njëherësh ai tha se nuk e di çdo të ndodhë në të ardhmen e tij personale.
“Tashmë ne duhet të mendojmë për ndeshjen me Izraelin, edhe pse jemi ende të mërzitur për atë humbje në Luksemburg. Në humbje ndaj tyre është tragjike, por unë jam i kënaqur që ajo ndodhi në atë miqësore, dhe jo me Izraelin”, deklaroi mesfushori i Kombëtares sonë, i cili më pas foli për trajnerin dhe përqendrimin në dielën. “Ka një vit që flitet se do largohet trajneri, por ai është akoma këtu. Këto fjalë nuk na interesojnë, sepse trajneri s’na ka thënë kurrë që do të largohet, dhe tani për tani, e rëndësishme është ndeshja me Izraelin, për të tjerat do mendojmë më vonë. Kjo ndeshje e mbyll sezonin, dhe një fitore me Izraelin dhe askush s’flet më për krizë”, ka përfunduar mesfushori Ledian Memushaj.
Sigal