Në biseda ndodh shpesh që sa herë përmendet fshati Nartë, të gjithë nënkuptojnë verën, peshkun dhe kripën e këtij fshati të banuar shumë shekuj më parë dhe që është vetëm pesë kilometra larg qytetit të Vlorës. Por faktet duan të thonë se Narta që në shekullin e kaluar nuk është mjaftuar vetëm me këto vlera të traditës të saj brez pas brezi. Ajo me të drejtë meriton mund të veçohet edhe për traditën e saj sportive në vite dhe dekada. Dokumentat duan të thonë se që në vitet 1932 dy djem nga ky fshat Jorgji Diamanti dhe Grigor Daiu pasi kanë kryer studimet në ato vite në Athinë ,më vonë janë aktivizuar me ekipet sportive të Korfuzit. Pak vite përpara çlirimit të vendit ata kanë ardhur dhe janë aktivizuar në lloje të ndryshme sporti në shoqërinë sportive “Vlora”.

Por pas çlirimit të vendit shumë djem nartiotë që e dashuronin dhe ushtronin fort sportin, kanë qënë pjesë e ekipive të Flamurtarit, madje të suksesshëm . Kështu mund të themi dhe përmendim për Aleko Qirkon, Minella Dupin, Vangjel Monen, Aleko Berberin dhe Jorgaq Diamantin në futboll , vëllezërit Pavllo e Lefter Diamanti si dhe Aleko Thanasko në atletikë, Odise Papën në vaterbol dhe kanatozh, vëllezërit Spiro dhe Nani Seva në boks dhe peshëngritje, apo mundësi i njohur Roland Karavogjiri. Të gjithë kanë qënë pjesë e sportit në klubin Flamurtari, por dhe me tej deri me Partizanin, Apolloninë dhe Bylisin , duke nënshkruar dhe sukseset dhe rezultatat e larta. Dhe pse është kështu askush nuk është kujtuar të thotë qoftë dhe një fjalë për këta njerëz fisnik dhe të nderuar që i kanë falur sportit vitet më të mira të rinisë dhe jetës tyre. Gjithsesi Narta ka traditën dhe skuadrat e saj në sport që me drejtë krenohet. Pak kush në Shqipëri dhe më gjerë , është si ky fshat, i cili që në vitet 1970 ka ngritur ekipin e tij të futbollit me emërin “Adriatiku”, ku pak muaj më vonë ndërtoi dhe stadiumin e vet. Por jo vetëm kaq, sepse paralel me futbollin u ngrit një ekip shumë simpatik për djem dhe vajza në atletikë.

Në fakt futbolli ka nisur të luhet shpejt në fshatin Nartë, sa ajo fusha sportive, që ka qënë diku pranë kishës në qëndër të fshatit, ka qënë vendi i preferuar i rinisë nartiote në shumë ndeshje dhe gara sportive. Pas çlirimit tek ajo fushë që sot nuk egziston ka luajtur futboll kundër skuadrës të këtij fshati dhe Flamurtari i viteve 1950 i Cecen Sharrës, Xhakomino Pozzelit, Myqerem Ferrës, Nan Dumanit,Vasillaq Ndinit, Jani Papës, Aleko Pallës dhe Leko Labovitit. Dhe aty në atë fushë të vjetër ku djemtë nartiotë luanin futbollin e tyre kanë zhvilluar dhe ndeshje zyrtare të kampionatit tyre dhe ekipet e futbollit të rinjve të Flamurtarit të viteve 1955- 1960. Por në vitet 1970 lindi dhe ekipi futbollit i Nartës. Dhe fillesat janë në atë Spartakiadë sportive të ish kooperativave bujqësore, ku Narta me ekipin e saj të futbollit, që drejtohej si trajner nga ish gjyqtari i njohur vlonjat Faik Bajrami , pasi ka fituar në ndeshjen finale ndaj ekipit të Vrakë –Shkodër, ka siguruar pjesmarrjen në Kategorinë e Dytë të futbollit shqiptar. Kaq është dashur që misioni të quhej i kryer, sepse realizohej kështu një ëndërr e kahershme e rinisë pasionante të këtij fshati.


Dhe në krye të skuadrës të futbollit do vendosej si trajner një emër i njohur si Dhimitër Gjyli, që së bashku me Panajot Xhaxhon, por dhe kolegët Petrit Arapi dhe Pompeo Opingari do krijonte atë skuadër të bukur që me futbollin që luante ishte e barabartë me nivelin e Apollonisë ,Tomorrit ,Luftëtarit dhe Traktorit të atyre viteve. Plot gjashtë sezone të viteve 1970-1976, skuadra e futbollit të fshatit Nartë garoi fort dhe plot dinjitet në nivelin e dytë të futbollit shqiptar. Në ato vite diku në ambientet e Kavalonave, diku pranë bregdetit u ngrit dhe stadiumi me fushë futbolli, por që kishte dhe pistë atletike. Ish ekonomisti Fane Seva dhe punonjësi i ambienteve sportive Andrea Zoga, kanë përfituar nga momenti i masivizimit të sportit në ato vite, që të mundësonin që fshati i tyre të kishte dhe ai stadiumin e vet. Dhe në këtë stadium, ndryshe nga stadiumet e tjera të atyre viteve në Shqipëri, për çdo ndeshje do ishin të pranishëm shumë tifozë të ardhur dhe nga Vlora, por edhe gra dhe vajza nartiote. Dhe e veçanta është, se ato ishin dhe tifozet më të zjarrta, që duke valvitur shamitë e bardha motivonin skuadrën e tyre. Futbollistë të tillë; djem të këtij fshati si Aleko Berberi, Minella Dupi, Spiro Skarco, Pavllo Seva, Lefer Zoga, Theothoraq Seva, Jorgaq Papa, Llazar Seva, Theothoraq Xhaxho, Vasil Dupi, Telemak Micoi, Janaq Seva, Llazar Diamanti, Mihal Zoga, Filip Berberi, Sotiraq Konomi, Pandeli Boni, Klemend Vido janë pjesë e rinisë dhe djemve të këtij fshati që me përkushtim të fortë kanë shkruar historinë futbolldashëse të skuadrës të “Adriatikut” të Nartës.

Por bashkë me ata pjesë e suksesit sportiv të atyre viteve janë dhe një grup djemsh nga Vlora që kanë kontribuar në ato vite në futbollin e skuadrës Nartës si Gogo Llambro, Aristidh Duka, Sotiraq Saraçi, Mihal Prroi, Bardhyl Xhaferi, Malekov Zeka, Enver Ferhati, Aqif Rakipi , Engjëll Xhoxhaj e Nuri Bode. Dhe të gjithë ata i kujtojmë dhe sot me noslagjinë e moshës ato vite të futbollit të luajtur në Nartë, ashtu siç nuk harrojmë të tregojmë për mënyrën se si e larguan me plot skenare dhe intriga nga Kategoria e Dytë në vitin 1976 ekipin e futbollit të “Adriatikut” të Nartës. Dhe kanë qënë pikërisht dy ndeshje në sezon futbollistik ajo ndaj “Butrintit” në Sarandë me gol të shënuar me dorë nga vendasit, dhe ndeshja ndaj ish “10 Korrikut “ të Gramshit e zhvilluar në Lushnjë, edhe pse e fituar me rezultatin 2-1, që sollën eleminimin e kësaj skuadre futbolli. Ndoshta dikujt nga lart nuk i ka interesuar fort që futbolli të ecte dhe të përparonte edhe në këtë fshat me shumë tradita në të gjitha drejtimet. Kësisoj ëndërra sportive e futbollit për të patur skuadrën e futbollit të saj është shuar që në muajin qershor të vitit 1976 ku me një vendim të ish B.F.S.SH (Bashkimit Fiskulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë) shkrihej ekipi dhe klubi futbollit “Adriatiku” –Nartës. Por, ky fshat ashtu siç ka pasur ndër të parët në Shqipëri ekip futbolli, po kështu ka pasur që nga viti 1972 dhe ekip atletike për djem dhe vajza.

Dhe ka qënë ish atleti dhe djali i këtij fshati Lefter Diamanti që mori iniciativën në ato vite për të ngritur ekipin në atletikë. Dhe kanë qënë djem dhe vajza nga shkolla 8 vjeçare e fshatit që mbushën rradhët e ekipeve në moshat nga 10-18 vjeç, duke garuar në të gjitha disiplinat e vrapimeve si dhe në kërcim me shkop. Plot 30 djem dhe vajza, disa dhe kampion, por që kanë thyer dhe rekorde për moshat e tyre kanë arritur të marrin më shumë se 17 trofe dhe kupa. Edhe pse stërviteshin në kushte të vështira dhe hera -herës në mungesë të bazës materiale, përsëri të gjithë shquheshin për shpirtin e lartë të garës dhe sakrificës. Kështu Dhimitrulla Zoga, Marjeta Thanasi,Vasilika Dupi, Marjeta Ndoni, Adriana Thanasko. Natasha Xhani, Lefteri Koceli, Klemend Zarka dhe Vasillaq Shteto janë ”skuadrilja” e fshatit Nartë në sportin e atletikës që në kornizën e viteve 1972 -1991 në siglën e klubit Flamurtari, shkruan bukur dhe plot energji historinë e tyre sportive. Edhe pse dikush plot mëndjemadhësi ka kërkuar t’i paragjykojë këta njerëz të sportit duke vlerësuar thjesht “ si kooperativist të fshatit, që duan të sfidojnë sportin qytetar”. Faktet mbeten të tilla , ku e vërteta është tepër domethënëse dhe sa historike dhe aq po sportive, që fshati Nartë në Vlorë është nga të parët në Shqipëri që ka pasur skuadër në futboll dhe atletikë. Kjo është dhe arsyeja që kushdo që kërkon të shkruajë siç duhet historinë e sportit shqiptar pa asnjë druajtje dhe mëdyshje duhet ta thotë qartë dhe saktë se Narta ka traditën dhe suksesin dhe në sport.






















