Nevil Dede: “Tiranën e vërtetë do ta shihni me Partizanin”

524
Sigal

Trajneri i Tiranës u kënaqet tri pikëve me Lushnjën: “Edhe fitoret e shëmtuara janë të bukura”

Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, iu gëzua tri pikëve në fitoren minimale 1-0 të 24 herë kampioneve ndaj Lushnjë në “Qemal Stafa”, duke theksuar për “Telegraf” se skuadra nuk është ende gati dhe se ajo e vërtetë do të shihet pas gjashtë-shtatë javëve, pra në derbin me Partizanin. Bardheblutë triumfuan me shumë mundim me Lushnjën, falë një penalltie të realizuar nga pika e bardhë në minutën e 29-të nga kapiteni Gentian Muça, gol që vendosi edhe fatin e ndeshjes. Dede tha se, skuadra e tij është e re dhe e pa konsoliduar dhe se ajo kërkon të paktën gjashtë javë të konsolidohet: “Tiranën e vërtetë do ta shihni me Partizanin”. Derbi i kryeqytetit do të luhet në javën e 7-të të Kategorisë Superiore.

 – Dede, një fitore me shumë djersë ndaj Lushnjës. Sa i kënaqur jeni?

– Natyrshëm, që jam i kënaqur, Vetë skuadra që kishim përballë na e vështirësonte shumë këtë ndeshje. Ajo që më gëzon më shumë është marrja e tre pikëve, pasi dhe kampionati sapo ka filluar. Ndonjëherë, vlejnë pikët edhe me një ndeshje të shëmtuar.

– Shënuat një gol me penallti që, vendosi edhe fatin e ndeshjes…

– Fakti që, realizuam një gol të shpejtë mendoj se, na krijoi mundësinë për të shënuar dhe të tjerë. Sipas meje, duhet ta kishim mbyllur takimin qysh në pjesën e parë.

– Lushnja u tregua shumë kompakte në lojë. Cili është vlerësimi juaj?

– Dëshiroj t’i bëj komplimente për atë që dha në fushë. Shprehu një futboll të bukur dhe me të vërtetë që na vuri në vështirësi shumë të mëdha. Lushnja pati dy momente shumë të mira.

– Shumë raste të humbura…

– Është e vërtetë, por vetëm Mirel Çotën kishim përpara. Hoxha bëri një paraqitje të mirë. Është një lojtar shumë i ri por, që ka nevojë të rritet, durim dhe kohë. Krijuam shumë volum dhe duhet të shënonim më shumë gola.

– Mbrotja çaloi disi, ishte në një ditë jo të mirë. Mendimi, juaj?

– Realisht, ne kemi shumë pak lojtarë në dispozicion në atë repart. Shpresoj t’i rikuperojmë në kohë lojtarët e dëmtuar.

– Ndeshja e radhës është të mërkurën, me Vllazninë në Shkodër. Rikthehet klasikja e futbollit shqiptar, për më tepër që shkodranët vijnë pas fitores në Kukës…

– Është një përballje e bukur, ashtu siç edhe ka qenë traditë. Nëse do të ketë tifozë të shumtë në “Loro Boriçi”, atëherë ju garantoj se do të jetë një ndeshje e bukur.

– Një Tiranë shumë e re…

– Me përjashtim të kapitenit Sina, mosha mesatare e skuadrës është diçka më shumë se 21 vjeç. Skuadra ka nevojë për rezultate. Kemi vërtet shumë prurje, por kemi pasur dhe probleme federimi dhe kartonësh.

– Kur do ta shohim Tiranën e vërtetë?

– Tirana është një klub që, nuk duron. Tifozët janë gjithmonë kërkues. Nuk mund të them që, qysh nesër ne do të bëjmë një ekip konkurrent. Realisht na duhet kohë. Besoj se, mbas javës së gjashtë apo të shtatë, kur ekipi të konfigurohet.

– Kjo do të thotë se do të jeni gati para ndeshjes me Partizanin?

– Sigurisht, para Partizanit do të jemi gati, të gjithë mezi e presim atë ndeshje. Ne dhe tifozët.

Tekniku i lushnjarëve: “Toleruam shumë, por faturën e humbjes sonë e mbajnë arbitrat”

 Bano akuzon gjyqtarëve: “Ndikuan në rezultat”

 Trajneri i Lushnjës, Artan Bano, ia faturoi edhe gjyqtarëve Sino, Tartari dhe Grabova, faturën e humbjes me Tiranën, duke deklaruar se “xhaketat e zeza” ndikuan jo pak. Lushnja zhvilloi në përgjithësi një ndeshje të mirë, aq sa rezultati më i drejtë do të ishte barazimi.

 – Bano, e konsideroni një humbje të pamerituar me Tiranën?

– Në futboll mund të ndodh gjithçka. Edhe kur ti luan mirë, mund të humbasësh, apo të përfitosh edhe nga momente të caktuara dhe ë fitosh. Na mungoi përqendrimi para portës së Tiranës, kjo dhe na ndëshkoi.

– A ishte e drejtë penalltia e Tiranës?

– Nuk mund të gjykoj qartësisht në këtë moment, por nëse penalltia e Tiranës ishte e drejtë, po aq i tillë ishte dhe pretendimi ynë.

– Pikë të lëna në kryeqytet…

– Mendoj se, lojën e diktoi gjyqtari. Jam i bindur se, pikët Tiranës ia dha arbitri. Gjithsesi, nuk më intereson shumë ai, por e kam me skuadrën time. Toleroi shumë, mund të kishte shënuar një apo dhe dy gola. Kemi akoma shumë për të bërë, duhet të korrigjojmë të metat e asaj ndeshje.

– Golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë, Mikel Canka, ende nuk ka shënuar në dy ndeshjet e para, duke shpërdoruar shumë. A mendoni se është në krizë?

– Jo, nuk është në krizë. Thjesht, ka punuar më shumë për skuadrën në të dyja ndeshjet. Jam i bindur se, do të vijë shumë shpejt te goli. Ai është një futbollist i lindur për gol.  Jemi vetëm në ndeshjen e dytë të Superligës.

– Blerja e re, Fataki ende jo nga minuta e parë?

– Ka probleme fizike dhe nuk mund të përballojë 90 minuta. Edhe pse e aktivizova në pjesën e dytë për shkak të rezultatit të ndeshjes, mendoj se Fataki, në këtë moment mund të luajë për momentin jo më shumë se 15-20 minuta.

 Teuta arrin një barazim në minutën e 96-të. Dje dita e penalltive

“Baby” Flamurtari mund kampionët

  Flamurtari fitoi 2-1 me Skënderbeun, duke marrë kryesimin e Kategorisë Superioreve, me gjashtë pikë të plota pas dy ndeshjeve të para. Skuadra e “vogëlushëve” të Ernest Gjokës, në javën e parë fitoi 1-0 me Vllazninë. Goli fitues mban firmën e Halim Begajt, i realizuar një minutë para përfundimit të kohës së rregullt. Ardit Shehaj shënoi i pari për Flamurtarin në minutën e 19-të, ndërkohë që për kampionët në fuqi barazoi Gjergji Muzaka në të 39’. Skënderbeu nuk fiton në Vlorë nga 11 tetori i vitit 1978 (1-2). Ndeshja u shoqërua edhe me një incident, kur presidenti i Skënderbeut, Artan Takaj, u godit në tribunën qendrore nga disa ultras. Ndeshja u ndërpre për disa minuta, por më pas ajo u zhvillua normalisht.

BESA-TEUTA 2-2

Falë një penalltie të realizuar në minutën e 96-të nga ana e Tefik Osmanit, Teuta mori një pikë tepër të mundimshme në barazimin 2-2 me Besën në Kavajë. Një ndeshje dramatike dhe me shumë emocione në “Besa”. Kavajasit realizuar shumë shpejt me anë të Ditës në minutën e 12-të, ndërkohë që Sefa i çoi shifrat në 2-0 në të 56’. Teuta u impenjua më shumë pas dizavantazhit, duke shkurtuar diferencën në 2-1 me Osmanin, nga pika e bardhë me mbrojtësin e Kombëtares që firmosi barazimin në limitin e ndeshjes.

TIRANA-LUSHNJA 1-0

Tirana nuk shkëlqeu në “Qemal Stafa” ndaj Lushnjës, por goli i realizuar me penallti nga kapiteni Gentian Muça në minutën e 29-të u mjaftoi rekordmenëve të marrin pikët e plota ndaj lushnjarëve që zhvilluar një lojë të kënaqshme në impiantin ndërkombëtar. Të shtunën, laçi fitoi 1-0 me Partizanin (gol i Tanushit); Bylisi fitoi 1-0 me Kastriotin (dy humbje) me një gol të nigerianit Izuçuku. Vllaznia shkëlqeu në Kukës, duke fituar 3-1 me dopjetën e Krujës dhe golin e Bushiçit.

 Kategoria Superiore

Java II

Të shtunën, 14 shtator

Laçi-Partizani             1-0

Shënues: Tanushi 73’

Bylis-Kastrioti            1-0

Shënues: Izuçuku 67’

Kukësi-Vllaznia            1-3

Shënues: Progni 58’ / Bushic 47’, Kruja 74’, 87’

Të dielën, 15 shtator

Tirana-Lushnja             1-0

Shënues: G. Muça 29’ (pen)

Besa-Teuta                 2-2

Shënues: Dita 12’, F.Sefa 56’ / T.Osmani 70’ (pen), 90+6’ (pen)

Flamurtari-Skënderbeu      1-1

Shënues: Shehaj 18’/ Muzaka 39’

RENDITJA

1    Flamurtari      2    +2   6

2    Teuta           2    +1   4

3    Laçi            2    +1   4

4    Tirana          2    +1   4

5    Vllaznia        2    +1   3

6    Partizani       2    +1   3

7    Bylis           2    +0   3

8    Skënderbeu      2    +0   3

9    Lushnja         2    +0   3

10   Besa            2    -1   1

11   Kukësi          2    -3   0

12   Kastrioti       2    -3   0