Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare legjenda e volejbollit shqiptar Vangjel Koja. Lidhur me këtë lajm të trishtë ka reaguar edhe Ilir Meta i cili është shprehur se kjo është një humbje e jashtëzakonshme për sportin dhe sidomos për volejbollin që dikur ishte krenari e të gjithëve. Ai ka shprehur ngushëllime për familjen Koja, bashkëpunëtorët dhe të gjithë sportdashësit.
“Me pikëllim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të “Nderit të Kombit”, trajnerit legjendar të volejbollit të “Dinamos” dhe Ekipit Kombëtar, Vangjel Koja.
Një humbje e jashtëzakonshme për sportin dhe sidomos për volejbollin që dikur ishte krenari e të gjithëve edhe falë Vangjel Kojës, që me mjeshtërinë e tij e çoi “Dinamon” në majat më të larta ndërkombëtare të kohës, ndër katër skuadrat më të mira të Europës.
Ngushëllimet më të ndjera për familjen Koja, bashkëpunëtorët dhe të gjithë komunitetin e sportdashësve!
I paharruar kujtimi!
Të prehet në paqen e merituar legjenda e volejbollit shqiptar!”