Moisi Dalipi: Roland Iljadhi, mbrojtësi që prishi “planet” e Partizan –Beogradit

317
Sigal

Gjuajtja e rrallë e mbrojtësit Iljadhi, troditi tifozët jugosllav

Moisi Dalipi “Mjeshtër i Madh”

Pjesëmarrja e skuadrës të Flamurtarit në tre turet e Kupës UEFA në sezonin 1987-1998 , është pa as më voglin dyshim nga më të sukseshmit në historinë e këtij klubi futbolli, por jo vetëm. Në atë sezon të futbollit evropian për herë të parë një skuadër shqiptare shkon deri tek turi i tretë i këtij trofeu. Dhe kur flitet që ai Flamurtar ka eleminuar në turin e parë “Partizani” i Beogradit me rezultatet 2-0 dhe 2-1, në të dytin gjermano –lindorët e Vismut –Aue 1-0 dhe 2-0 dhe është ndalur në të tretin nga Barcelona e madhe me rezultatet 4-1 dhe 1-0. Shumë natyrshëm krenaria merr përmasa edhe më të mëdha. Parpara kam skedat e të tre këtyre ndeshjeve ku Flamurtari shkruajti bukur atë histori, që vlonjatët krenohen edhe sot më atë Flamurtar të madh. Duke hyrë në detaje dhe analiza rezulton se në këto 6 ndeshje Flamurtari ka fituar në tre në fushën e tij dhe ka humbur po kaq në ndeshjet në transfert.

Po kështu ka shënuar 7 gola dhe ka pësuar po 7 gola. E veçanta tek golat e shënuar qëndron tek fakti se nga 2 gola kanë shënuar V.Ruci dhe Sokol Kushta, një është autogol dhe po nga një gol ka për autor mbrojtësit elegant Rapo Taho dhe Roland Iljadhi. I tillë ishte ky Flamurtar në ato vite, ndaj shtypi sportiv evropian do ta vlerësonte Flamurtarin e atij sezoni si:’” një skuadër e një vendi të vogël, që shkruajti një histori të madhe”. Dhe gjithçka në atë sezon nisi me atë fitore të bukur me rezulatin 2-0, të madhe dhe me shumë vlera të Flamurtarit në ndeshjen e turintë  parë kundër Partizanit – të Beogradit në Vlorë më 16.9.1987. Nga blloku i shënimeve të asaj ndeshje shfletoj këto fakte:-Goli i parë është shënuar në minutën e 31 nga një autogol klasik në portën e tij e mesfushorit Xhorxhevic, që ka devijuar atë gjuajtje vrastare me kokë të sulmuesit vlonjat Agim Bubeqi. Goli i dytë për Flamurtarin është shënuar nga mbrojtësi Iljadhi me atë gjuajtje manual nga distanca e 35 metrave në gjysëm lartësi duke mos i dhënë mundësi portierit Omerovic të reagojë. Flamurtari 2-0 Partizan -Beogradi. Etusiazëm dhe vetëm entuziazëm madhështor. Lojtarë të përqafuar në fushë, tifoza që fluturojnë në tribuna. Komentatori serbo -kroat Marko Markoviç në fjalët e tij dëshpëruese shprehej :“Me këtë gol të pësuar shtohen retë e zeza mbi Beograd për ndeshjen e kthimit. Vladimir Grillo që komentonte për R.T.SH  në delir e sipër përsërit plot pesë herë emrin e autorit të golit Roland Iljadhit, kurse kometatori Radio-Tiranës Ismet Bellova do shprehej me togfjalshin:“Goli Iljadhit na ka bërë të gjithëve krenar! Kjo është sinfonia e bukur labe e këtij Flamurtari“. Por gjithçka nuk mbaron këtu, sepse në ndeshjen e kthimit të 30 shtatorit 1987 Flamurtari edhe pse do të humbiste me rezultatin 2-1 ai gol historik i shënuar nga Kushta në minutën e 76` do ta eleminonte skuadrën jugosllave që në turin e parë të Kupës UEFA.

Trajneri Partizanit Beogradit boshnjaku Farudin Jusuf, në intervistën e dhënë një ditë më pas më 1 tetor 1987 në gazetën sportive beogradase „Sportske Novosti „, ndër të tjera do të thoshte:-“ Goli Kushtës ishte ai që na eleminoi, por duhet ta pranojmë se goli i dytë që pësuam në Vlorë, pas asaj gjuatje të rrallë të mbrojtësit Iljadhi, na ka prishuar të gjitha planet e Partizanit të Beogradit në këtë sezon të Kupës UEFA“.Për atë ndeshje të madhe të Flamurtarit mbrojtësi Roland Iljadhi kujton:-„Sapo mbritëm në stadium përpara ndeshjes grupi i gazetarëve vendas ka „ rrethuar“ skuadrën tonë duke pyetur për gjithçka. Jashtë vëmendjes tyre nuk mbeta as unë. Pyetjet ishin si mendonim për kualfikimin? A do të përsëritej ndeshja e Vlorës, ku unë kisha shënuar golin e dytë, e tjera. Kemi ardhur për t’u kualifikuar dhe unë po u krijua rasti do kërkoj të shënoj përsëri gol“- jam përgjigjur,- sjell në vëmendje Iljadhi. Por me vlerësime shumë pozitive mbrojtësi i majtë i Flamurtarit të atyre viteve do të paraqitej në të 12 ndeshjet që ka në karrierën e tij në pjesëmarrjet me fanellën kuqezi në Kupat e Evropës në vitet 1986-1991.

I fortë fizikisht, tepër vendimtar në çdo ndërhyrje dhe fitues në çdo dyluftin për topin e parë, ishin disa nga cilësitë që e bënin portretin e tij simpatik dhe të vlerësuar. Në përballjet me sulmuesit e huaj në këto edicione evropiane si ato me spanjollët Urbano e Hjuxh, serbin Djurovski, gjermano -lindorin Jakob, polakun Pachelski, grekët Kofidis dhe Mitropulos, mbrojtësi vlonjatë Iljadhi ka treguar një performancë tepër pozitive. I tillë është paraqitur dhe në 12 ndeshjet me ekipin kombëtar , ku edhe pse trajnerët i jepnin detyra të mbulonte nga afër sulmuesit më të shpejtë të skuadrave kundërshtare, mbrojtësi Iljadhi do të vlerësohej me nota pozitive për paraqitjen e tij. I vëmendshëm në lojën si mbrojtës dhe tepër motivues dhe mbështetës në organizimin e manovrës sulmuese në krahun e majtë, Iljadhi do të duartrokitej për lojën burrërore dhe plot karakter në fushën e lojës, përballë çdo kundërshtari, pamvarësisht nga emri dhe skuadra që përfaqësonte. Po kështu tepër e sukseshme është karriera në ndeshjet për kampionat dhe Kupat e Shqipërisë në vitet 1985 -1991, me fanellën e Flamurtarit , ku si mbrojtës i majtë në skuadër dhe partner në repartin e mbrojtjes me P.Rucin,Tahon ,Cipin, Lushaj , Dëmën e të tjerë, kanë pjesën e suksesit të tyre në fitimin e Kupës të Shqipërisë nga skuadra vlonjate në vitet 1985 , 1988, të titullit kampion në 1991 dhe 2 herë Superkupës në vitet 1990 dhe 1991. Në shumë ndeshje të kampionatit shqiptar të atyre viteve shumë sulmues të njohur të futbollit shqiptar, si durrsaku Hima, gjirokastriti Seiti, kosovari Skuro, shkodrani Luci, lushnjari Çobani, tiranasit Abazi dhe Mance , do të ishin në vëzhgimin e fortë të „ustait“ të mbrojtjes Roland Iljadhi. Dhe janë plot 178 ndeshje me fanellën e Flamurtarit ku është aktivizuar si futbollist titullar me 7 gola të realizuar. Në vjeshtën e vitit mbrojtësi Iljadhi do aktivizohet për pak muaj tek Aris i Selanikut. Në kornizën e viteve 1992-1999 do të jetë përsëri pjesë e futbollit grek me skuadrat e Panahiqi e Patras, Panatiolikos e Agrinjos dhe Korfuz.

Pas këtyre eksperiencave në futbollin grek rithehet për pak muaj tek Flamurtari në fillim të vitit 1999, por mosha 36 vjeçare e detyron që të mbylli karrierën me futbollin e luajtur, por jo dëshirën dhe pasionin për t’i shërbyer kësaj loje të magjishme të dashuruar fort që në vitet e fëmijërisë së tij aty tek ajo fushë e lagjes së vet, diku para ish fabrikës të orizit në Vlorë. Në vitet në vazhdim Roland Iljadhi do të ushtrojë detyrën e trajnerit me ekipet e futbollit të moshave në Vlorë. Ai ka disa vite që ka ngritur me shpenzimet e tij dhe ndihmesën e sponsorizimeve të ndryshme, që siguron  kipet e futbollit të femrave deri në moshën 17 vjeç.Ai ndihet mirë që po kontribon për të rritur futbollin e femrave në Vlorë, edhe ka filluar ta shijojë suksesin e punës tij , ku 5 vajza nga skuadra e tij janë pjesë e ekipit kombëtar të U-17. Por ajo që vet Rolandi e vlerëson si një sukses dhe krenari është dhe fakti tjetër që vajza e tij Agli, ka më shumë se 3 sezone që është pjesë e skuadrës të femrave të Apollonisë dhe ekipit tonë kombëtar U-19. Kështu në këtë familje ku tradita sportive trashëgohet nga babai tek vajza tregon qartë, jo vetëm për vazhdueshmërinë e vlerave sportive, por dhe për atë që sporti kur ushtrohet me pasion dhe dëshirë sukseset nuk do të mungojnë të jenë pranë, pamvarsisht se karrierës tyre ju mungojnë „stolit“ e të vlerësuarit që kanë për kontributin tyre, nga ata që e kanë për detyrë një gjë të tillë. Shembulli i Roland Iljadhit, ose ndryshe siç njihet në qarqet sportive, si mbrojtësi, që prishi planet e Partizanit të Beogradit flet dhe tregon më shumë se një medalje e munguar për jetën dhe vitet që është përkushtuar  futbollit.