Moisi Dalipi: Francë-Shqipëri dhe historia e ”Gjelave” me “Shqiponjat”

1035
Sigal

Francë – Shqipëri dhe historia e “gjelave” me “shqiponjat”

 Moisi DALIPI

Nesër, në ora 20.45 në “Stad de France “ ne praninë e më shumë se 70 mijë sportdashësve do zbresin në fushën e blertë për ndeshjet e tyre të pesta të grupit H për Euro-2020: Franca dhe Shqipëria. Edhe pse do të përballen dy skuadra që në klasifikimin e këtij grupi, Franca mban vendin e parë me 9 pikë, ku regjistron tre fitore dhe vetëm një humbje dhe Shqipëria me 6 pikë që mban vendin e katërt me dy fitore dhe dy humbje, përsëri përballja e Parisit ka ngjallur interesim të madh . Dhe ndodh kështu, sepse në këto vitet e fundit ndeshjet midis “gjelave “ të Francës dhe “shqiponjave” të Shqipërisë kanë pasur garë, cilësi dhe mbi të gjitha në dy-tre raste kanë ruajtur surpriza në rezultat. Dhe më mirë këtë gjë e vërteton historia e përballjeve në fushën e blertë. Bilanci ndeshjeve të zhvilluara deri tani, që përmblidhet në harkun e viteve 1990-2019 flet për francezët ku në shtatë ndeshjet e zhvilluara kanë regjistruar pesë fitore, një humbje dhe një barazim, me golaverazhin 14-3. E pra, kjo është ndeshja e tetë që regjistrohet në kornizën 29 vjeçare të historisë të përballjeve futbollistike midis Shqipërisë dhe Francës. Dhe gjithçka ka nisur, aty në stadiumin “Qemal Stafa “ në 17 Nëntor 1990 në atë ndeshje kualifikuese në grup për Euro -1992. Kësisoj, kjo ka qenë piketa e parë e asaj historie afër për tre dekada në ndeshjet midis dy skuadrave tejet të skajshme në histori e tyre të topkëmbës. Franca që ndeshjen e saj të parë ndërkombëtare e regjistronte më 1.5.1904 përballë Belgjikës, në Bruksel, ku barazimi 3-3 i ka kënaqur të dyja palët dhe Shqipëria me historinë 60 vjeçare (në 1930 kampionati parë) të futbollit saj dhe vetëm 44 vjet që kishte në kujtesë nga ndeshjet e para të saj ndërkombëtare vetëm ato tre të zhvilluara brenda pesë muajve të vitit 1946. Kështu më 1 Maj 1946 Shqipëri 2-1 Spartak–Moska, më 22 Gusht 1946 në Shkodër është zhvilluar ndeshja e parë ndërkombëtare jo zyrtare Shqipëri 5-0 Mali Zi dhe ndeshja e parë zyrtare në kuadër të Kupës Ballkanike të zhvilluar në Tiranë më 7 Tetor 1946 , ku Shqipëri 2-3 Jugosllavi. Duke u rikthyer tek ndeshja e parë me Francën në atë 17 Nëntor të 1990 ku “gjelat” e trajnerit Mishell Platini kanë arritur të fitojnë me rezultatin 0-1 me gol të shënuar me kokë nga mbrojtësi shquar Bolin në 25`. Një ndeshje për t’u harruar për nga vlerat e paraqitura në fushën e lojës, ku Sokol Kushta si sulmues dhe Hysen Zmijani si mbrojtës të vendosur skajshëm në fushën e lojës janë shumë pak për t’u përballur me portierin Martini dhe me Francën e uritur për sukses dhe me sytë drejtë kualifikimit për finalet e Suedisë në Euro -1992. Trajneri Platini pas ndeshjes do fliste shumë pak për këtë fitore, “jam i kënaqur me rezultatin”. Në këtë ndeshje debutonin për herë të parë në kombëtare tonë dy mbrojtës; Leskaj dhe Ibro. Formacioni Shqipërisë ishte ky: Arapi, Leskaj(46` Ferko), Hodja, Ibro, Lekbello, Stafa, Josa, Demollari, Zmijani, Kushta, Majaci ( Kaçaçi 62`) Tr: A Sulaj. Dhe “vizitën” sportive Francës do t’ia kthenim, në 30 mars 1991, në stadiumin mrekulli të botës “Park de Paris”. Në krye të skuadrës ishte trajneri Bejkush Birçe ose “gjenerali i futbollit” që kishte zëvendësuar vlonjatin Agron Sulaj pas asaj humbjeje shkatërruese të Seviljes 9-0 përballë Spanjës më 19 Dhjetor 1990. Franca vinte në këtë ndeshje pas 14 fitoreve radhazi, kurse Shqipëria fitonte për herë të fundit 6 vjet më parë, më 22 Dhjetor 1984, në Tiranë përballë Belgjikës me rezultatin 2-0. Plot 30 mijë sportdashës në stadium, por janë pak shqiptarë. Përpara ndeshjes skuadra dhe delegacioni sportiv shqiptar i duhet të votojë në ambasadën shqiptare në Paris për zgjedhjet e para pluraliste. Ndërkohë në ekipin tonë kombëtar janë tre futbollistë debutues; Gjergji, Dume dhe Canaj dhe formacioni bazë ka qenë ky: Nallbani, Zmijani, Vata , Lekbello, Gjergji, Ocelli, Dume, Demollari, Canaj, Tahiri, Kepa. Trajner B. Birçe. Kronika e ndeshjes nis me gol që në minutën e parë Sauze me gjuajte standarde nga 25 metra shënon golin e parë. Po ky futbollist më 20` shënon përsëri golin e dytë, që ishte një fotokopje e golit të parë. Por fati është i pamëshirshëm me Shqipërinë. Gjyqtari norvegjez Halle në 35` jep një 11 metërsh të diskutueshëm, që Papen e kthen në gol. Dhe rezultati 3-0. Por në 43`, po Papën shënon me kokë dhe golin e katërt. E pra, në pjesën e parë është regjistruar humbje thellë 4-0. Në pjesën e dytë Franca nuk e njeh mëshirën, kurse mbrojtësi Vata mobilizon skuadrën deri në sakrificë për të ndalur francezët të përsëritet katastrofa e Seviljes së 19 dhjetorit 1990, me atë 9-0 përballë Spanjës. Por në 83` do vijë dhe goli pestë që nuk bind fort as vetë francezët që pasi shtyjnë dhe portierin Nallbani përtej vijës fatale ia faturojnë këtë tip autogoli mbrojtësit tonë Zmijani. Kjo 5-0 është dhe fitorja më e thellë që regjistron Franca në përballjet me Shqipërinë, të cilën shtypi vendas do ta vlerësonte se “Gjelat e Platinisë lëshojë pesë vezë në folenë e shqiponjave shqiptare”. Dhe pas ndeshjes katër futbollistë tanë Kepa, Gjergji, Vata dhe Suka preferojnë të mos kthehen me skuadrën, por qëndrojnë në Francë . Dhe do kalonin pak më shumë se 20 vjet që Shqipëria të ishte përsëri përballë Francës, përsëri o për kualifikueset evropiane, ose e thënë ndryshe për Euro 2012 . Ndeshja e parë në Tiranë më 3 Shtator 2011, ku trajneri Blank ka në përbërje të skuadrës dhe Riberi, Benzema, Remi, Malouda e të tjerë futbollistë cilësorë. Franca vinte në këtë ndeshje me autoritetin e skuadrës që kishte fituar një herë titullin kampion bote më 1998, dy herë kampione Evrope në 1984-n dhe në vitin 2000 dhe po dy herë kampione Kupës të Konfederatave më 2001 dhe 2003. Shqipëria me Bogdanin, Canaj, Agolli, Lila, Bulku, Skela, Duro, Lala, Dallku, e të tjerë kërkonin të gjenin vetveten me futbollin e luajtur. Plot 19.500 tifozë në stadiumin “Qemal Stafa” ku grupimet e tifozerive mbarë shqiptare i japin këtij impianti një pamje tejet festive. Por rezultati kësaj ndeshjeje nuk ka prodhuar më shumë se një humbje 1-2 ku golat e Bogdanit në 46` për skuadrën tonë dhe ato të Benzema në 11` dhe M` Vila në 18` për francezët kanë mbyllur shpejt kronikën e kësaj ndeshjeje. Gjithsesi Erion Bogdani me golin e tij të shënuar ka regjistruar golin e parë shënuar nga ekipi ynë në portën e Francës. Pak më shumë se një muaj më vonë, në 7 Tetor 2011 në ndeshjen e kthimit “gjelat” fitojnë pastër me rezultatin 3-0 me gola të shënuar nga; Malouda 11`, Remy 38` dhe Reveillere 67`. Një ndeshje për t’u harruar kjo për skuadrën tonë, që më pas me trajnerin Italian De Biasi do të niste riformatimin e saj. Dhe pas tre viteve dhe, pikërisht në vjeshtën e 2014 nisin ndeshjet evropiane kualifikuese për Euro- 2016. Shqipëria është në grup me Portugalinë, Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë. Franca si vend organizator e Euro 2016 ishte jashtë grupeve dhe zhvillonte vetëm ndeshje miqësore për t’u përgatitur . Një nismë e bukur dhe shumë interesante e ekipit tonë në grupin e tij me dëshirën e madhe për të arritur një objektiv historik, pjesëmarrjen në finalet e një eventi të tillë evropian. Dhe gjithçka nis tepër bukur kur në ndeshjen e parë në grup, më 7 Shtator 2014, përballë Portugalisë vjen fitorja e parë në një ndeshje transfertë, pikërisht diku në veri të vendit luzitan Avers me rezultatin 0-1 me atë gol manual të shënuar nga shkodrani Bekim Balaj. Më pas më 11 Tetor 2014 në: Elbasan-Arena”, një barazim interesant 1-1 me Danimarkën. Dhe 14 Tetori 2014 ka ruajtur “dramën e Beogradit” ku ndeshja ndërpritet kur rezultati ishte 0-0. (e fituar më vonë në KAS nga Shqipëria 0-3 ). Dhe Franca e trajnerit Deshamp e kishte programuar një miqësore me Shqipërinë më 14 Nëntor 2014 në stadiumin “Stade de la Route –Lorinet “ me kapacitet 40 mije vendesh të qytetin Rennes. Ndeshje e hapur, ndeshje e bukur dhe interesante. Shqipëria e ripërtërirë në përbërje zhvillon lojë të bukur. Mbi 5 mijë tifozë shqiptarë në stadium që lëkundin fortë qytetin francez me entuziazmin dhe dekorin që kanë krijuar në stadium. Në minutën e 40` goli shënuar nga mbrojtësi ynë Mavraj ka shtangur në heshtje të plotë të 26.500 tifozët francezë, kurse pjesa e tribunave me tifozët shqiptarë është në momentet e entuziazmit të saj fluturues. Në pjesën e dytë trajneri Deschamps hedh në fushë dhe Griezman, Gigac dhe Payet. Goli barazimit për francezët do vijë në 73` nga Griezman. Por vetëm kaq, sepse barazimi 1-1 ishte dhe rezultati më i mirë për këtë ndeshje, që do të shënonte me barazimin e parë në përballjen Francë –Shqipëri. Në këtë ndeshje Shqipëria luajti me këtë formacion: Berisha, Mavraj, Lila, (Vila 85`), Hysaj, Cana, Agolli, Kukeli (Bulku 92`) Abrashi (Ajeti 69`), Lenjani, (Shala 76`), Memushaj, Cikalleshi (Balaj 93`). Trajner De Biasi. Shqipëria. Ndërkohë që Shqipëria vazhdonte aventurën e saj evropiane në përballjet me Portugalinë, Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë për të siguruar pjesëmarrjen në finalet e Euro -2016, skuadra e Francës kolaudohej me ndeshjet përgatitore. Dhe më 13 Qershor 2015, “gjelat trikolorësh” kthejnë vizitën e ndeshjes miqësore të Rennes kuqezinjëve në “Elbasan-Arena. Interesim i jashtëzakonshëm. Të gjitha rrugët kishin si destinacion vetëm këtë stadium të qytetit të Elbasanit, sepse stadiumi “Qemal Stafa” që nga Nëntori 2013 nuk afronte kushte për ndeshje të tilla. Një koreografi e jashtëzakonshme në stadium. Skuadrat kanë dalë në fushë dhe zhvilluan ndeshjen me formacionet e tyre më të mira. Shqipëria: Berisha, Cana, A. Lila, (18`Memushaj), Hysaj, Ajeti, Aliji , Roshi, (64` Sadiku), Basha (72` S. Lilaj), Lenjani (56`V. Rama), Kaçe (80` Balaj), Cikalleshi (87` Fejzullahu). Trajner .Xh. De Biasii.

Franca: Loris, Jallet,(72` Sanja), Evra, Sakho, Varane, Gonalons, Kondogbia, Payet (46` Pogba) Giroud ( 46` Fakir), Lacazette, Griezman (59` Ntep).Trajner . D, Deschamps

Kronika kërkon të thotë se kjo ndeshje ishte e hapur dhe që kishte brenda deri në fund të saj enigmën e skuadrës fituese. Dyluftime dhe garë e fortë sportive. Publiku i gjithë në mbështetje të skuadrës të zemrës. Dhe do ishte minuta e 43’ e pjesës parë kur mesfushori Ergys Kaçe me atë gjuajtje të një fantazie të hollë nga distanca do ulte në gjunjë portierin e njohur francez Lloris. Gooooollll …. Shqipëri 1-0 Franca! Një entuziazëm marramendës në stadium dhe në të gjithë Shqipërinë. Pjesa e dytë dhe më fortë, por gol nuk ka në portat respektive. Nis festa kudo në trojet shqiptare. Ngjyra kuqezi mbizotëron gjithkund Shqipëria fiton me kampionen e shumëfishtë Francën me rezultatin 1-0! Autori golit Kaçe atë mbrëmje qershori është heroi kryesor. Bashkë me atë dhe e gjithë skuadra dhe tifozët. Fitorja e parë ndaj Francës në gjashtë ndeshjet e zhvilluara, .Gazetarët francezë raportojnë dhe mundohen të gjejnë titujt më të goditur editorialëve të tyre sportivë. “Shqiponjat kuqezi bëjnë pula gjelat francezë” – sugjeron dikush prej tyre titullin e vet. Gjithsesi, në atë mbrëmje dhe dritat e qyteteve shqiptare dukej qartë që prodhonin entuziazëm. Dhe viti 2016 do shënojë diçka të bukur, diçka historike dhe tepër të veçantë në historinë e futbollit shqiptar. Për herë të parë kishte mbërritur Shqipëria në ndeshjet finale të një Kampionati të Evropës. Ishte risia më e madhe e këtij Kampionati në gjithë historinë. Ishte Edicioni i 15-të jubilar i asaj që quhet Kupa e Kampionatit Evropian të Futbollit. Po ndodhte që për herë të parë në historinë e saj ë po e kalonte turin e kualifikues përmes 11 rezultateve të ngushta, me një baraspeshe unike me të gjithë të gjithë pjesëmarrësit e tjerë të grupit. Dhe ndeshja e parë më 11 Qershor 2016 “Shqipëria do përballet me Zvicrën e pesë shqiptarëve Behrami, Xhemaili, G. Xhaka, Shaqiri, Mehmedi në stadiumin “Stade Bollaert – Delelis” të Lensit, Do të ndodhte që Shqipëria të debutonte në finalet e para të saj për një Kampionat Evropian, duke u mposhtur çuditërisht me atë gol të minutës 5` të shënuar nga Scharf. Për rekord më vete, rasti kur për herë të parë në historinë e futbollit, dhe pse jo atij botëror dy skuadra shtetesh të ndryshme kishin dy vëllezër të ndarë siç ishte rasti me “shqiptarin” Taulant Xhaka dhe “zviceranin ” Granit Xhaka! Por në këtë ndeshje Shqipëria ka humbur dhe kapitenin Lorik Cana të ndëshkuar me karton të kuq. Dhe ndeshja e dytë në grup në Marseille me Francën, më 15 Qershor 2016, ora 21.00 në stadiumin “Stade Valedrome”. Më shumë se 20 mijë tifozë shqiptarë (nga 63 mijë në stadium) kanë pushtuar qytetin francez me gjithçka vetëm shqiptare Flamuri kombëtar me përmasat e 110 metra katrorëve i mbajtur nga 500 tifozë ka zbukuruar tribunat. Në të gjitha trojet të gjithë të përqendruar tek kjo ndeshje futbolli ku dukej se të fliste me zë të plotë Shqipëria. Dhe në përfundim kemi Francë 2-0 Shqipëri. Për 90 minuta 0-0, por në 7 minuta shtesë 2-0 për Francën: Griezmann në të ’90 dhe Payet në të 97′! Më shumë se Franca fitimtare, do të duartrokitej Shqipëria. Skuadrat luajtën me këto formacione:

Franca: Lioris, Sagna, Rami, Koscielny, Evra, Kante, Matudi, Koman ( 68` Griezman), Payet, Martial (46`Pogba), Girud (77` Gignac) Trajnet : D. Deschamps

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ajeti,(85`Veseli) Mavraj, Agolli, Kukeli ( 74` T. Xhaka), Abrashi, Memushaj, Lila,(71 Roshi), Lenjani, Sadiku.Trajner G. De Biasi.

Katër ditë më vonë në “Park Stadion Lyonais ) me ndeshjen Shqipëri 1-0 Rumani, me atë gol evropian të shënuar nga Sadiku në 43` mbyllet në mënyrën më të mirë bukur pjesëmarrja e Shqipërisë në finalet e Euro -2016. Nga 24 skuadrat pjesëmarrëse Shqipëria rreshtohet në vendin e 18-të duke lënë pas Rumaninë, Suedinë. Rep Çeke, Austrinë, Rusinë dhe Ukrainën. Emrat e aktorëve të atij suksesi evropian, ishin këta 20 djem të tri ndeshjeve të paharrueshme të Euro -2016: Etrit Berisha, Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Lorik Cana, Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Frederik Veseli, Amir Abrashi, Migjen Basha, Ergys Kaçe, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Andi Lila, Ledian Memushaj, Odise Roshi, Taulant Xhaka, Bekim Bala, Sokol Cikalleshi, Shkëlzen Gashi, Armando Sadiku. Në krye të tyre qëndron trajneri Gianni De Biasi. E sollëm këtë panoramë disi të gjatë, jo vetëm për të mësuar diçka më shumë për përballjet Francë-Shqipëri, as për të thënë se me trajnerin De Biasi Shqipëria arriti gjithçka, por as për kujtuar atë zhgënjim që kemi lënë pas me trajnerin Panuçi, por për të thënë, se Shqipëria e drejtuar nga trajneri Reja duhet ta lexojë mirë moralin që i duhet edhe në disa prej këtyre ndeshjeve që Shqipëria ka zhvilluar me Francën, edhe pse “gjelat trikolor” janë dy herë kampion bote 1998, 2018, dy herë kampion e Evrope më 1984 dhe 2000 dhe dy herë fitues të Kupës të Konfederatave. 2001 dhe 2003…