Mikel Janku: “Kampionat, me luftë sportive, por pa cilësi”

580
Sigal

Specialisti i njohur: “Partizani është rikthyer si pretedent. Tirana po vuan nga gabimet e saj”

Specialisti i njohur i futbollit, Mikel Janku, analizoi për “Telegraf” pjesën e parë të sezonit të Kategorisë Superiore, duke veçuar vazhdimësinë e Skënderbeut, rikthimin dinjitoz të Partizanit, por dhe situatën e pazakontë të Tiranës. “Mendoj se, kampionatin e kryeson ekipi që parashikohej nga të gjithë si favoriti kryesor, Skënderbeu. Gjithsesi, surpriza më e intriguese e këtyre 16 javëve, me Tiranën në vendin e fundit krijon një gjendje aspak të këndshme”, – tha Janku për gazetën. Ish-portieri i famshëm i Partizanit, kampion në sezonet 1962-1963 dhe 1963-1964, ka zhvilluar 6 ndeshje me ekipin Kombëtar në vitet 1964-1966, ato kundër Holandës, Irlandën së Veriut dhe Zvicrës.

 – Zoti Janku, pjesa e parë e sezonit të Kategorisë Superiore u mbyll me Skënderbeun në vendin e parë dhe Tiranën në atë të fundit. Duke iu bërë një analizë 16 javëve të luajtura, cili është opinioni juaj?

– Mendoj se, kampionatin e kryeson ekipi që parashikohej nga të gjithë si favoriti kryesor, Skënderbeu. Gjithsesi, surpriza më e intriguese e këtyre 16 javëve, me Tiranën në vendin e fundit krijon një gjendje aspak të këndshme.

– Tirana, skuadra me më shumë trofe në vend dhe e vetmja që nuk ka rënë një kategori më poshtë, është ankuar shpesh për padrejtësi ndaj saj…

– Nuk mendoj se, ndaj saj është bërë një padrejtësi, unë gjykoj se ajo ka probleme me veten e saj që ndodhet në atë pozicion.

– Partizani e mbylli në vendin e dytë, por gjatë rrugës pati shpesh herë luhatje. Cilat mund të jenë arsyet?

– Mua më duket se, Partizani po vuan disi problemet e riambjentimit me futbollin e Superiores, por edhe me problemet e ambientimit të vetë përbërjes së lojtarëve që ka në dispozicion trajneri Lika. Mendoj se, për këtë arsye reflekton edhe këtë paqëndrueshmëri në ndeshje, në rezultat. Gjithsesi, me ndonjë problematikë të vogël, mendoj se ka marrë maksimumin që mund të merrte, duke e gjykuar me vendin e dytë që zë në renditje.

– Skënderbeu po e dominon prej katër sezonesh Superligën. Ka fituar tre titujt e fundit dhe kryeson bindshëm edhe këtë sezon. Çfarë i veçon korçarët nga skuadrat e tjera?

– Ka disa faktorë thelbësorë. Së pari, është një skuadër e balancuar në organikë, nuk e ka problem nëse i mungon një apo dz lojtarë. Organikën e ka të plotësuar. Është një organikë disavjeçare me disa ndryshime të vogla. Së dyti, ka një mbështetje të fuqishme dhe të garantuar financiare, dhe kjo do të thotë shumë në realitetin tonë sportiv.

– Flamurtari e nisi jo mirë, ndërkohë që e shohim midis ekipeve të kreut. Një Flamurtar që rritet në vazhdimësi…

– Flamurtarin do ta fusja në surprizat e kësaj pjesë të parë të kampionatit, për mënyrën sesi e nisi sezonin, me ato që e shoqëruan ngritjen e skuadrës; largimin e disa lojtarëve kryesorë, reduktimin e mbështetjes financiare. Megjithatë, gradualisht nisi të ngjisë shkallët duke treguar se është skuadra që këto vitet e fundit ka pretenduar edhe titullin kampion. Për mendimin tim, Flamurtari është në zonën që mund të futet në Europë, por dhe mund të rrezikojë.

– Kukësi e kaloi krizën e fillimsezonit dhe tashmë ndodhet midis tre vendeve të para. A e shihni këtë Kukës, që na befasoi të gjithëve me kalimin e tre tureve në Europë, pretendent për titull?

– Si Kukësi, ashtu dhe Skënderbeu, duke u dhënë vlerat që u takojnë drejtuesve teknikë të dy skuadrave, më duket se u ndodhën në një situatë të ndërlikuar teknike të rruajtjes së gjendjes së skuadrës në kushtet kur morën një nga ngarkesë të madhe nga pjesëmarrja e gjatë në kompeticionet europiane u krijua përshtypja e një lodhje fizike dhe mendore, nga vetë ngarkesa që të sjell një kompeticion i tillë. Gjithsesi, si Skënderbeu ashtu dhe Kukësi e rikuperuan shumë shpejt këtë. Kukësi po tregon se, edhe vendi i dytë ashtu dhe suksesi në Europë nuk ishte i rastësishëm.

– Formula këtij sezoni, me katër skuadra që bien direkt e ka ashpërsuar më shumë luftën futbollistike.

– Sigurisht, që e ka bërë më interesant kampionatin dhe rivalitetin midis skuadrave.

– Ngjeshjen e ekipeve në renditje, a mund ta marrim për më shumë cilësi?

– E vërteta është se atë mund ta marrim për një zbutje të disnivelit midis skuadrave, por nuk mund të themi se kemi futboll më cilësor. Gjithsesi, ka më shumë dëshirë për të luajtur dhe ambicie sportive, duke parë edhe rrugën që ndoqi Skënderbeu dhe Kukësi dhe përfitimet që ato morën.

– Shumë dënime klubesh dhe fusha të pezulluara, ndeshje pa shikues dhe në fushë asnjanëse. Më shumë se gjysma e ekipeve janë me fusha të dënuara. A mos po bëhet futbolli më i dhunshëm?

– E vërteta është se, një nga dukuritë negative të kësaj pjesë të parë të edicionit ka qenë rritja e sjelljes jo të përshtatshme të tifogrupeve, që në ndonjë rast e kanë kaluar edhe cakun. Ka pasur veprime jo sportive, çka i kanë detyruar organet disiplinore të FSHF-së, Komisionit të Disiplinës dhe Apelit të marrin masat përkatëse. Dënimi i stadiumeve, apo luajtja e ndeshjeve pa shikues ndodh në Europë, por atje dënohen sektorë të veçantë të tribunave, pasi janë me abone.

KATEGORIA SUPERIORE

Java XVII

1 shkurt 2014

Besa-Laçi

Bylis-Flamurtari

Partizani-Kukësi

Kastrioti-Tirana

Teuta-Lushnja

Skënderbeu-Vllaznia

RENDITJA

1    Skënderbeu      16   +12  33

2    Partizani       16   +3   26

3    Kukësi          16   +1   25

4    Laçi            16   +3   25

5    Flamurtari      16   +4   24

6    Teuta           16   +0   24

7    Besa            16   -3   21

8    Vllaznia        16   +1   21

9    Bylis           16   +2   21

10   Lushnja         16   -6   18

11   Kastrioti       16   -6   16

12   Tirana          16   -11  12

Asi i Realit të Madridit realizoi 69 gola. Mesi shënoi 45, ndërsa Riberi 23 gola

  Ronaldo, “mbret” i golit për vitin 2013

 Kristiano Ronaldo është realizuesi më i mirë për vitin 2013. Portugezi pas mbylljes së vitit kalendarik futbollistik është lojtari që ka shënuar më shumë, duke pasur dhe një diferencë të ndjeshme me çdo rival të tijin. Asi i Realit të Madridit, pretendenti kryesor dhe për “Topin e Artë”, e mbylli 2013 me 69 gola të shënuar në total, këtu të shpërndara, 38 në kampionat, 15 në Ligën e Kampioneve, 6 në Kupën e Mbretit dhe 10 me përfaqësuesen luzitane. Madje dy rivalët e tij në garën për lojtarin më të mirë të vitit, Mesi dhe Riberi, kanë shënuar respektivisht 45 dhe 23 gola. Argjentinasi gjatë këtij viti ka vuajtur shumë dëmtime dhe kjo sigurisht e ka penguar të ketë të njëjtën performancë si vitet e shkuara. Ndërkohë që përpara Mesit, I cili pozicionohet I treti në listën e shënuesve më të mirë të vitit, qëndron Zlatan Ibrahimoviç, që e ka tundur rrjetën plot 47 herë. Ndërkohë që në pesëshen më të mirë gjenden dhe Luis Suarez me 42 gola dhe Edinson Kavani me 41. Ndërsa Top-10 më i mirë i këtij viti mbyllet me Kun Agueron në kuotën e 30 realizimeve.

 100 më të mirët e planetit

 Lionel Mesi është lider edhe në listën e 100 lojtarëve më të mirë të planetit, e publikuar nga tabloidi britanik “The Guardian” ku edhe një herë lë pas portugezin Kristiano Ronaldo. Shkalla më e ulët e podiumit të treshes së parë zihet nga suedezi Zlatan Ibrahimoviç që lë pas finalistin e Topit të Artë, Frank Riberi. Në listën e hartuar nga 15 ekspertë futbolli, Barcelona numëron plot 11 lojtarë, e ndjekur nga Reali i Madridit me 9, ndërsa Atletiko Madrid shfaqet si rrallëherë me 5 lojtarë të skuadrës së saj. Spanja kryeson edhe përsa u përket emrave të kombëtareve pasi kampionët e botës përfaqësohen me plot 17 emra në listën e gjatë, përfshirë këtu brazilianin e natyralizuar, Diego Kosta, i cili do të veshë fanellën e “La Furia Roja” gjatë botërorit Brazil 2014.

  Adnan Januzaj, gjurmët e Kristian Ronaldos

 Adnan Januzaj duket se po ndjek të njëjtat hapa që bëri Kristiano Ronaldo te Mançester Junaitid. Ashtu, si portugezi i famshëm, djaloshi shqiptar është përrë një nga favoritët në “Old Traford”. Ashtu si Sër Aleks Fergusoni bëri me Ronaldon, kështu dhe David Mojes po bën me Januzajn.