Messi: Ronaldo lojtar shumë i mirë, por gara me të nuk më motivon

502
Sigal

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi thotë se rivali i tij Cristiano Ronaldo është një lojtar i madh, por insiston se nuk bën garë me të. Ndërkohë që debatet se kush është futbollist më i mirë vazhdojnë, Messi thotë se qëllimi i tij i vetëm është të shkëlqejë me Barcelonën dhe Argjentinën.
“Ekziston një respekt i përbashkët mes nesh,” tha ai në një intervistë për revistën Coach. “E shoh si lojtar të madh që ka arritur shumë gjëra në futboll. Por përsëri gara me të nuk më motivon. Ajo që më motivon është të bëj më të mirën për Barcelonën, kombëtaren e Argjentinës dhe fansat”.
Pasi humbi finalen e Kupës së Amerikës me penallti përballë Kilit, sulmuesi dha dorëheqjen nga futbolli ndërkombëtar, por disa muaj më vonë ai tha se do të rikthehet pasi ende shpeson se do të fitojë diçka me kombëtaren albiceleste.
“Pas zhgënjimit të humbjes në finale, pata kohë të mendohesha dhe të flisja me disa njerëz. E ndjeva që ishte vendimi i duhur për t’u rikthyer. Pasi ende kam ambicje të mëdha për të fituar një trofe me Argjentinën”.
Pleshti i Barcelonës tha se edhe ai si Cristiano Ronaldo e urren humbjen.
“E urrej të humbas. Humbja nuk më lë shije të hidhur vetëm disa orë pas ndeshjes, por për shumë kohë. Nuk e duroj dot ndjenjën e të qënit i humbur. Prandaj motivohem që të jap më të mirën për të fituar,” tha Messi.