Mbyllet java e 7-të e kampionatit të femrave, rezultatet

207
Sigal

Kjo e diel përmbylli javën e 7-të të kampionatit të futbollit të femrave, me ndeshjen e fundit mes Lushnjes dhe Vllaznisë që nxori fituese këto të fundit.

Shkodranet nuk e patën të vështirë fitoren, teksa shënuan 14 gola në portën e myzeqareve, ku pa diskutim heroina e skuadrës veriore ishte Megi Doçi, njëkohësisht futbolliste e Kombëtares shqiptare.

Ndërkaq, katër ndeshjet e tjera të kësaj jave u zhvilluan të shtunën, me tre sfida që u luajtën në Tiranë dhe një në Durrës. Kinostudio – Atletik Club ishte sfida hapëse e kësaj jave, me kryeqyetaset që morën një tre pikësh me vlerë, pasi fituan me shifrat 3-1.

Cyme Lulaj kaloi fillimisht në avantazh Kinostudion, teksa në pjesën e dytë shënoi edhe Nwanze.

Iris Armoku ngushtoi shifrat në minutën e 65-të, por tre minuta para fundit, Koxha do të shënonte edhe golin e tretë që vulosi rezultatin e kësaj ndeshjeje.

Partizani ka fituar me shifrat e thella 6-1 në sfidën kundër Skënderbeut. Begallo dhe Loci shënuan nga dy gola secila në këtë ndeshje të zhvilluar në Kamëz, teksa në këtë fitore të madhe realizuan edhe Koka dhe Selja. Golin e vetëm e të nderit për korçaret e shënoi Potomi.

Në ora 14:00 u zhvilluan edhe dy ndeshjet e tjera të kësaj jave, me Tiranën që mundi Murlanin, ndërsa Teuta fitoi në Durrës në ndeshjen e zhvilluar ndaj Tirana AS.

Për bardheblutë, serinë e golave e hapi Coka, teksa në pjesën e parë shënoi edhe Kodra.

Me nisjen e fraksionit të dytë, loja bëhet mjaft interesante, me shkodranet që arrijnë të barazojnë rezultatin në harkun kohor të 9 minutave. Megjithatë, dy minuta para mbylljes së kohës së rregullt, Metalla kalon sërish në epërsi Tiranën, duke shënuar golin e tretë, ndërsa Kostaj në minutat shtesë vulos shifrat në 4-2.

Kjo ishte fitorja e gjashtë në radhë për Tiranën, që me nisjen e këtij edicioni nuk ka njohur humbje.

Teuta ka fituar bindshëm në Durrës ndaj Tirana AS me rezultatin e thellë 6-3. Bushi mund të cilësohet si lojtarja e ndeshjes, teksa arriti të shënojë tre gola për durrsaket, ndërsa shënuan emrin në listën e golashënueseve edhe Disha, Habili e Puca.

Për Tirana AS shënuan Banushi, Mema e Koldashi, golat e të cilave nuk mund ta ndryshonin rrjedhën e lojës.

Pas përfundimit të kësaj jave, Tirana e sheh veten në krye të klasifikimit me 18 pikë, ndërsa Vllaznia dhe Apolonia ndajnë të njëjtin numër pikësh, me nga 16 secila.

Rezultatet e javës së 7-të:

Kinostudio 3-1 Atletik Club

Partizani 6-1 Skënderbeu

Teuta 6-3 Tirana AS

Tirana 4-2 K.F. Murlani

Lushnja 0-14 Vllaznia