Maradona ngrihet në këmbë pas operacionit, legjenda argjentinase ia del edhe një herë tjetër

443
Sigal

Diego Armando Maradona u detyrua t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale javën e kaluar në Buenos Aires, teksa kishte probleme me gjurin.

Legjenda argjentinase vuante nga artriti në gjurin e djathtë, ndërsa sëmundja ishte dhe një nga arsyet të cilat e detyruan të hiqte dorë nga drejtimi i klubit meksikan Dorados de Sinaloa.

Megjithatë, Maradona e ka marrë veten, ndërsa ka postuar një video nga spitali, teksa shihet se së bashku me mjekun, duke hedhur sërish hapat e parë.

Ndërkohë, doktorët i kanë thënë gjithashtu se do t’i duhet të operojë edhe shpatullën e tij për të vazhduar më pas punën si trajner.

58-vjeçari është shoqëruar vazhdimisht me problemet shëndetësore, ndërsa para disa muajve iu nënshtrua edhe një ndërhyrje në stomak.

Ndërkaq, edhe pse ende nuk e ka marrë veten plotësisht, Maradonës i kanë mbërritur disa oferta nga klube të ndryshme që kanë dëshirën të kenë në stol legjendën argjentinase.