Manchester United ndalet në shtëpi, tani e pret “finalja” për zonën Champions

276
Sigal

David Moyes u rikthye mbrëmjen e sotme në “Old Trafford”, aty ku drejtoi për thuajse një sezon të plotë skuadrën e Manchester United dhe tashmë në krye të West Hamit, u bëri një surprizë të hidhur “djajve të kuq”, duke i ndalur në barazim 1-1.

Sfida e sotme ishte e parafundit për këtë sezon për Manchester United, që shpresonte në një fitore për të mbyllur llogaritë me pozicionimin në zonën Champions, por nuk ia doli të marrë tre pikët dhe la gjithçka për në javën e fundit.

Në një sfidë të balancuar në të gjithë aspektet, ishte sulmuesi Michail Antonio që kaloi në avantazh West Hamin në minutat e fundit të pjesës së parë, pasi ekzekutoi saktë një penallti, duke mposhtur portierin De Gea.

Reagimi i “djajve të kuq” ishte shumë i shpejtë në pjesën e dytë, pasi rikthyen baraspeshën me anë të talentit Mason Greenwood, i cili pas një kombinimi mjaft të bukur me Anthony Martial, dërgoi sferën në rrjetë.

Deri në fund Manchester United bëri përpjekje për të gjetur golin e fitores, por nuk ia doli të dërgojë topin në rrjetë dhe u detyrua të dalë me vetëm një pikë, që e ngjit në vendin e tretë me 63 pikë, njësoj sa Chelsea dhe një më shumë se Leicester.

Java e fundit e kampionatit anglez propozon sfidën Leicester-Manchester United, një përballje direkte për zonën Champions, me “djajtë e kuq” që shkojnë në këtë takim me avantazhin e një pike dhe mund të kënaqen edhe me një barazim.