Manchester United fiton me një penallti në Beograd, gafë e Romës, humb dy pikë në shtesë

Manchester United u tregua racional në transfertën e Beogradit me Partizanin, ku fitoi 0-1 me gol të Anthony Martial me 11-metërsh, për të marrë i vetëm kryesimin e Grupit L. “Djajtë e Kuq” me këtë sukses, hedhin një hap të sigurt drejt kualifikimit, që mund ta marrin matematikisht që në ndeshjen e ardhshme në “Old Trafford” përballë të njëjtit kundërshtar. Po në këtë grup Alkmaari shkatërroi 5-0 Astanan.

Roma komplikon gjithçka në Grupin J, pasi barazoi 1-1 në “Olimpico” me Borussian e Monchengladbachut, edhe pse deri në minutën e 3-të shtesë kryesonte me gol të Zaniolos. Pikërisht kur kishin mbetur edhe pak sekonda para vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit, Stindl barazoi me 11-metërsh tepër të dyshimtë, që shkaktoi reagimin e ashpër të verdhekuqve. Në sfidën tjetër të këtij grupi Basaksehiri fitoi minimalisht me Woflsberger me gol të Kahvecit.

NOA

Porto rrezikon seriozisht të mos kualifikohet në Grupin G, ku në raundin e tretë të ndeshjeve barazoi në shtëpi 1-1 me Rangers. Diaz kaloi fillimisht në epërsi portugezët, por skocezët kthyen baraspeshën në rezultat me Morelos. Po në këtë grup, Young Boys mposhti 2-0 Feyenoordin me dy 11-metërsha të realizuar nga Assale dhe Nsame.

Espanyoli mori kryesimin e Grupit H pasi mposhti në transfertë 0-1 Ludogorets, ndërsa CSKA e Moskës u befasua në shtëpi nga Ferencvaros me të njëjtin rezultat 0-1.

Në Grupin I klasifikimi nuk ndryshon, pasi u arritën dy barazime, Gent-Wolsfsburg 2-2 dhe St Etienne – Oleksandriya 1-1.

Braga, me fitoren 1-2 në fushën e Besiktasit merr e vetme kryesimin e Grupit K (7 pikë), e ndjekur nga Wolves me 1 pikë më pak, me skuadrën angleze që fitoi 1-2 në fushën e Slovan Bratislavës.