Lulzim Kola: Gara po luhet e fortë, ekipet janë në ritmikën e synimeve

Lulzim Kola

KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit Lulzim Kola mendon se nuk ka skuadra të përcaktuara përfundimisht

Agron Kaja

Sigal

Javën e kaluar, Kategoria e parë e nisi fazën e tretë me rezultate interesante dhe 12 gola të shënuar. Në këtë javë, veç lëvizjeve në renditje, kishte edhe disa dënime nga Komisioni i Displinës në FSHF, ku bëjnë të veçantën Burreli në Kategorinë e Parë dhe Partizani B në Kategorinë e Dytë, të cilët janë ndëshkuar me nga dy masa displinore. Por këtë ecuri të garës, ish-futbollisti e trajneri matjan Lulzim Kola, e quan si pjesë të kësaj gare, që sipas tij është duke u zhvilluar me nivel të mirë loje. “Me nisjen e fazës së tretë të Kategorisë së Parë, mendoj se u luajtën gjashtë ndeshje me futboll të mirë. Duket se janë ngushtuar përpjekjet e skuadrave, sepse ende ato nuk janë të sigurta vëndet që kanë skuadrat. Të gjitha janë në ritmikën e synimeve, por nuk ka skuadra të përcaktuara përfundimisht dhe të gjitha do shpresojnë më shumë të marrin pikët deri në javën e 33-të. Në ndeshjen Burreli-Korabi, mendoj se në disa momente duhet që arbitri të reflektonte më mirë, kryesisht në pjesën e parë”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i futbollit matjan Lulzim Kola, i cili për gazetën “Telegraf” u shpreh më pas se formula e fazës së tretë, në dukje shikohet si e “egër”, dhe kështu do jetë deri në mbyllje. “Të gjitha skuadrat shpresojnë te pikët, dhe me këtë formulë të fazës së tretë që përball skuadrat ku disniveli mes tyre është i dukshëm, mendoj se diferencat do jenë prezente. Por edhe surprizat mund të jenë pjesë e kësaj gare, sepse në të gjithë treguesit, mendoj se këto 23 javë kanë treguar nivel të mirë futboll me pak  ndryshim nga Superiorja”. Duke e menduar një garë të fortë dhe me pak ndryshim nga Superiorja, specialisti Kola u shpreh se e tillë do të jetë deri në javën e 33-të të saj. “Kjo fazë e tretë do jetë më e veçantë në lojë, sepse aty skuadrat kanë mundësinë e arritjes së synimeve të tyre. Laçi me Pogradecin dhe AF Luftëtari me Lushnjen do ta kenë më të ndezur luftën në renditje. Do ketë lëvizje të ndryshme në renditje, madje edhe nga fundi i tabelës. Do shohim befasi nisur nga java e 24-ët, e cila në kalendarin e saj ka ndeshje delikate dhe të forta. Ndeshjet e kësaj jave do sjellin edhe ndryshime në tabelën e renditjes. Janë ndeshje shumë delikate dhe të forta”, kështu e komentoi Lulzim Kola ecurinë e garës në Kategorinë e Parë.

LEGJIONARËT

Armando Broja është gati, lajm i mirë për Kombëtaren

Gjatë ditës së djeshme, në portalin e klubit të Bërnlit “Burnley Expres”, një lajm i mirë shkruhej edhe për sulmuesin shqiptar Armando Broja. Në javën e kaluar, trajneri i Burnley, Skot Parker e tha publikisht se Armando Broja kishte probleme fizike dhe se do të qëndronte jashtë fushave për disa javë. Megjithatë, “Burnley Express” i ka bërë një analizë situatës së dëmtimeve në ekip, dhe mes rreshtave shkruhej se: “… Broja dhe Tuanzebe nuk janë në 100% e tyre, por janë dy lojtarët që do të kthehen më shpejt se pjesa tjetër e të dëmtuarve…”. Ky është një lajm i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare, pasi kuqezinjtë do të përballen me Poloninë më 26 mars, në kuadër të “play-off” të Botërorit 2026. Dhe sigurisht që, rikthimi në fushë i Brojës do të ishte forcë e shtuar. Gjithsesi, muaji mars tashmë ka trokitur dhe te Kombëtarja janë në pritje duke numëruar ditët dhe orët e përballjes.

Nga kampionati te Kombëtarja, Gjimshiti në start për Poloninë

Gjatë mesjavës që u mbyll, disa nga futbollistët e kombëtares sonë që luajnë me skuadra në Europë, ishin pjesë e ekipeve të tyre në ndeshjet e Ligës së Kampioneve, UEFA Europa Ligë dhe UEFA Konferencë Ligë. Edhe pse nuk ishte në formacion si titullar i Atalantës në përballjen e Ligës së Kampioneve kundër gjermanëve të Borusia Dortmund, mbrojtësi i Kombëtares sonë Berat Gjimshiti u bë pjesë e suksesit nga minuta e 77-të. Trajneri Paladino e hodhi në fushë Gjimshitin për ti dhënë minuta në këmbë, pasi këtë javë në Seria A, bergamaskët luajnë në transfertë ndaj Sasuolos. Në sfidën ndaj Napolit, Gjimshiti u aktivizua nga minuta e 69-të dhe gjëndja e tij nuk dukej plotësisht në formën e duhur. Atalanta renditet në vëndin e 7-të me 45 pikë, e për Gjimshitin, përballja me Sasuolon pritet si konfirmim i formës së tij në prag të ndeshjes me Poloninë më 26 mars.

Fund shkurti e fillim marsi, java e 24-ët luhet në dy ditë

Sot dhe nesër do të luhen ndeshjet e javës së 24-ët të Kategorisë së Parë, në ditën e fundit të muajit shkurt dhe ditën e parë të muajit mars 2026. Të gjitha ndeshjet do të nisin në orën 13:30, ku sot veçohen Korabi-Kastrioti, Apolonia-Pogradeci dhe Lushnja-Laçi. Ndërsa tre ndeshjet e tjera do të luhen të dielën më 1 mars, ku Besa pret Burrelin në Luz, Kukësi do të përballet me Ilirinë dhe Skënderbeu kryesues do të luajnë në transfertë në Gjirokastër ndaj AF Luftëtarit.

2 NDËSHKIME

Në javën e 24-të të Kategorisë së Parë janë dy ndëshkime. Trajneri i Burrelit Samuel Nikaj me 4 ndeshje, KF Burreli paralajmërohet për sjelljen e tifozëve.

10 JAVË

Deri në mbylljen e kampionatit të Kategorisë së Parë, kanë mbetur 10 javë për tu luajtur me 60 ndeshje, në të cilat janë 30 pikë në dispozicion për skuadrat.

 

KATEGORIA E PARË

SEZONI 2025-2026      

Ndeshjet-Java 24

E shtunë, 28 shkurt 2026

Korabi-Kastrioti                      13:30

Apolonia-Pogradeci                13:30

Lushnja-KF Laçi                     13:30

E dielë, 1 mars 2026

Iliria-Kukësi                            13:30

Besa-Burreli                            13:30

(Ndeshja luhet në Luz)

AF Luftëtari-Skënderbeu        13:30

RENDITJA     

Skuadrat                    Nd       P

1.Skënderbeu              23        54

2.Laçi                          23        51

3.Pogradeci                 23        46

4.Kastrioti                   23        33

5.Iliria                          23        32

6.Burreli                      23        31

7.Besa                         23        25

8.Korabi                      23        25

9.Apolonia                  23        24

10.Lushnja                  23        20

11.AF Luftëtari           23        19

12.Kukësi                    23        15