Luis Suarez bën pazarin e 500 familjeve

460
Sigal

Në këto kohë të vështira, ku lutjet janë për shëndetin e gjithë njerëzve në mbarë botën, bota e sportit është bërë edhe më solidare, por edhe më bujare. Pandemia e koronavirusit ka bërë që figura të njohura të çdo sporti të bëjnë dhurata për njerëzit më në nevojë, dukë dhënë një kontribut të konsiderueshëm financiar.

Roxher Federer dhuroi 1 milion franga, Novak Gjokoviç 1 milion euro. Po ashtu, shumë futbollistë, me në krye ata të Bajernit, dhuruan po ashtu 1 milion euro. Gjesti i radhës i bamirësisë vjen nga një futbollist i Barcelonës, Luis Suarez, i njohur për golat, por edhe kafshimet e tij. Sulmuesi ka mbuluar shpenzimet e 500 familjeve në Montevideo të Uruguait, vendit të tij. Ai ndodhet në Uruguai pas operacionit në gju dhe, me sa duket, është treguar i ndjeshëm ndaj popullit të tij.

Konkretisht, Luis Suarez ka ndërmarrë një fushatë personale për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Futbollisti i njohur ka shpërndarë në Montevideo 500 pako me të gjithë gjërat që i dihen një familje, duke nisur me ushqimet e bollshme dhe të gjitha produktet e higjienës. Ditët e ardhshme, siç ka konfirmuar vetë Luis Suarez, do të shpërndahen të tjera pako në zonat më të varfra të kryeqytetit uruguaian. “Nuk ka asgjë për të më falënderuar. Është minimumi që mund të bëj për bashkëkombësit e mi”, – ka thënë sulmuesi i Barcelonës, i cili është në fazën e riaftësimit pas ndërhyrjes kirurgjikale në menisk.

Gjesti i sulmuesit uruguaian është për t’u përshëndetur, aq më tepër që vjen në një moment kur skuadra e tij është në “luftë” me klubin për çështjen e shkurtimit të pagave.