Legjenda angleze sulmon Pogba: S’po ofron asgjë, është patetik

527
Sigal

Ish-kapiteni i Anglisë, Alan Shearer, ka dhënë një vlerësim të ashpër mbi paraqitjet e fundit të Paul Pogba. Ai e ka cilësuar mesfushorin e Manchester United si “patetik”, referuar paraqitjes që bëri kundër West Ham, në fundjavë. Presioni është rritur mbi “Djajtë e Kuq”, pasi u mundën 3-1, larg shtëpisë, të shtunën, me Pogba që u zëvendësua nga Fred pas 70 minutash lojë.

Duke pasur parasysh atmosferën e zymtë rreth “Teatrit të Ëndrrave”, Shearer ka kryqëzuar 25-vjeçarin. “Ai ishte patetik përsëri në humbjen kundër West Ham. E pashë Pogba në një ditë të keqe, teksa po zvarritej në fushë dhe nuk po ofronte asgjë. Mourinho mund ta kishte zëvendësuar më herët, – tha Shearer për “The Sun”.

– Pogba është nënshkrimi më i shtrenjtë i Manchester United, por nuk po e justifikon këtë. Vetëm të mendojë për një moment të gjithë lojtarët e mëdhenj, që kanë luajtur për këtë klub, për të kuptuar çfarë përgjegjësie ka mbi shpatulla. Pavarësisht se ishte fitues i Kupës së Botës, ai nuk mund të jetë përkrah atyre lojtarëve, emrat e të cilëve do të mbesin në historinë e “Old Trafford”.

Nëse është në kërkim për t’ia lehtësuar punën menaxherit, që të largohet nga Manchester United, atëherë Pogba është duke bërë një punë shumë të mirë. Në fakt, jo vetëm ai është duke zhgënjyer te Manchester United. Edhe shokët e tij të ekipit nuk ishin shumë më mirë. Më thoni, ku ishte Alexis Sanchez, sulmuesi për të cilin Mourinho luftoi “dhëmbë për dhëmbë” me Guardiolën në merkato dhe e mori në “Old Trafford”?

Ai nuk ishte as në stol, pas një sërë paraqitjesh të dobëta. Sanchez nuk është fare afër niveleve që e kemi parë tek Arsenali dhe duhet të pyesni përse. Stili i drejtimit të Mourinhos dhe një CV e pabesueshme si e tija nuk e meriton këtë qëndrim të lojtarëve. Natyrisht, me këtë nuk përjashtoj nga përgjegjësia edhe trajnerin, sepse ai është i pari i punës”.