Ledjo Pano: Kupa dhe “Final 4” kërkojnë korrektesë nga arbitrat

20

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i Partizanit, Ledjo Pano, refleksion mbi rrugëtimin 23 javor

Sigal

Agron Kaja

“Mendoj se në gjuhën e basteve, këto ndeshje mund të dalin të katërta. Pra, fitojnë dhe kualifikohen skuadrat vendase: Egnatia, Partizani e Vllaznia si të sigurta, ndërsa unë do mendoja që në këtë katërshe të kishim edhe Teutën.”

Pas ndeshjeve të javës së 26-të pati disa lëvizje në renditje, ishin të pritshme?

Ndoshta nuk pritej fitorja e Skënderbeut me Laçin, dhe deri diku, edhe barazimi i Dinamo City me Egnatian, ku Dinamo tregoi se ka një ekip me ambicie. Ndërsa rezultatet e tjera mendoj se ishin të pritshëm, fitoret e Partizanit dhe Teutës.

Java e 26-të regjistroi edhe trajnerin e ri të shkarkuar, Mirel Josën nga Laçi, është e lartë shifra e bankinave: 23 në 10 skuadra!

Nuk është bërë hataja me këto lëvizje trajnerësh, sepse jemi mësuar me të tilla largime. Natyrisht që nuk është pozitive për skuadrën laçiane, por janë presidentët ata që i marrin këto vendime, rrisqet ja u faturojnë trajnerëve.

Si e parashikoni renditjen në fundin e fazës së tretë të Superiores?

Është java e fundit e fazës së tretë, por nuk mendoj se do ketë lëvizje të dukshme në renditje. Për këtë unë i referohem kalendarit të kësaj jave. Mund të kemi një ngritje të Dinamo City, për të tjerat nuk mendoj se do kenë lëvizje.

Nesër luhen ndeshjet çerekfinale të Kupës së 72-të të Shqipërisë, si i përshkruani tetë skuadrat e kualifikuara?

Besoj se Egnatia e Partizani kanë një mundësi të madhe për kualifikim, sepse kanë fituar ndeshjet e para në transfertë. Ndeshje për t’u parë është Tirana-Teuta, sepse durrsakët kanë ngritje, për Tiranën ky nuk është moment i duhur. Një parashikim i juaji për rezultatet dhe skuadrat që mund të kualifikohen në turin gjysmëfinal?

Mendoj se në gjuhën e basteve, këto ndeshje mund të dalin të katërta. Pra, fitojnë dhe kualifikohen skuadrat vendase: Egnatia, Partizani e Vllaznia si të sigurta, ndërsa unë do mendoja që në këtë katërshe të kishim edhe Teutën.

Çfarë keni konstatuar në rrugëtimin e këtij sezoni në të gjitha kategoritë, kampionat e kupë?

Vërej një cilësi jo të mirë të futbollistëve, ku lë për të dëshiruar se si mundohen ti zgjidhin ata situatat. Do doja më shumë shpirt gare nga ekipet, si Bylis dhe Elbasani në Kategorinë e Parë. Por, futbolli të jetë më i shpejtë dhe me alternativa.

Nga Kupa te Superiorja, sa ndikim mund të kenë në kampionat rezultatet e kupës?

Gjithmonë ndeshjet e Kupës kanë piksynim tjetër, kualifikim për një vend në Europë. Por ndikim mendoj se do ketë te ana fizike, jo në të tjera drejtime, sepse në këto ndeshje skuadrat do të kërkojnë maksimumin e tyre për t’u kualifikuar.

Një “Final 4” i juaji, si mund të jetë në fundin e fazës së katërt të Superiores?

Thuajse është i formatuar “Final 4” në Superiore. Sepse Egnatia, Partizani dhe  Vllaznia thuajse e kanë të suguruar këtë pozicion, dhe një nga Tirana ose Dinamo City besoj se do të plotësojnë katërshen e skuadrave për titullin kampion.

Po renditja e Abissnet Superiore, mendoni se do të ketë lëvizje gjatë fazës së katërt?

Besoj se po. Nëse themi se te “Final 4” mund të jenë Tirana ose Dinamo City, këto lëvizje janë. Ndërsa në fund, Kukësi duket i destinuar për të rënë nga kategoria, ndërsa Erzeni me Teutën do ta diskutojnë një vend në fundin e renditjes.

 

KUPA E SHQIPËRISË

FAZA ÇEREKFINALE
E martë, 5 mars 2024

Egnatia-Laçi   (1-0)    13:30
Partizani-Kukësi         (1-0)    17:00

E mërkurë, 6 mars 2024
Tirana-Teuta   (0-0)    13:30
Vllaznia-Erzeni           (0-1)    17:00

 

FITUESIT NË VITE

Tirana              16 herë

Partizani                      15 herë

Dinamo                       13 herë

Vllaznia                       8 herë

Flamurtari                    4 herë

Teuta                           4 herë

Elbasani                       2 herë

Besa                            2 herë

Laçi                             2 herë

Kukësi                        2 herë

Apolonia                     1 herë

Skënderbeu                 1 herë

Egnatia                        1 herë

Mirel Josa

Ndërpreva bashkëpunimin, në të mirë të skuadrës

Në javën e 26-të të Abissnet Superiore, Mirel Josa dha dorëheqjen nga bankina e Laçit, e kushtëzuar më shumë kjo pas humbjes në fushën e tij 0-1 me Skënderbeun. Dje për gazetën “Telegraf”, Josa u shpreh shkurt e qetë për këtë ndërprerje të bashkëpunimit me skuadrën laçiane. “Unë jam profesionist dhe si i tillë u largova nga bankina e Laçit, natyrisht me konsensus me drejtuesit e klubit, vetëm për të mirën e skuadrës. Kur skuadra nuk funksionon në ritmin e synimeve, për mua kjo ishte rruga më e drejtë e profesioniste. Punuam fort e mirë dhe me mbështetjen e duhur për të qënë më sipër në renditje, por nuk është hera e parë që ndodh. Unë i uroj suksese skuadrës së Laçit, të ngjitet ku e meriton”, kështu përfundoi Mirel Josa në këtë bisedë. Laçi renditet në vendin e 7-të me 30 pikë, në rrezik mbijetese.