Agron KAJA/Dilemat e së ardhmes mos ta trembin futbollin

298
Sigal

FOKUS/ Çfarë tha dhe çfarë nuk tha Kampionati i 74-t i Kategorisë Superiore

Më në fund! Pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë Laçi-Bylis 1-0, u  mbyll edhe ky sezon futbollistik 2012-2013, ndoshta një nga sezonet më “sprintier” në pritje të mbylljes së tij, një sezon që kaloi edhe mes dhunës, mes trukimeve e surprizave. Më në fund topkëmba shqiptare zyrtarisht e uli siparin e sezonit, i cili në shtrirjen e tij zuri një hapësirë kohore në dukje e gjatë, por tani që mbaroi, të duket se sa shpejt parakaluan 26 javë Kampionat të ndërthurura me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë me të gjitha turet e saj dhe sa shpejt ne duhet të harrojmë kur ndeshjet u luajtën të bukura dhe me spektakël, sa shpejt mund të na fshihen nga kujtesa edhe ato ndeshje që prodhuan dhunë, apo që u përfolën si të trukuara. Gjithsesi, duke e analizuar këtë sezon në disa tregues të tij, le të mos mbetemi në dilemat që ai do të sjellë në të ardhmen e tij të afërt.

 Formula e kampionatit

Kjo ishte një “goditje” për ato skuadra që kërkojnë më shumë populizëm në numrin e pjesëmarrjes dhe si të tilla, 6-7 prej tyre u lëkundën nga fillimi në fund për të zbritur një kategori më poshtë. Parë në këtë këndvështrim, kishte skuadra që në këtë kampionat luajtën nën një mjegull, prej së cilës nuk mundën të shihnin se në cilën korsi do të vraponin. Dalja e 4 skuadrave, edhe e zbehu luftën sportive nga ndeshja në ndeshje, por shpesh edhe e bëri paksa bajate vazhdimësinë e tyre, kryesisht në fazën e dytë. Ndryshe ishin skuadrat që kërkuan kreun e renditjes, të cilat “ranë erë” futboll dhe vetëm tek to ky sezon gjeti identitetin e duhur. Skënderbeu fitoi titullin e tretë radhazi Kampion i Shqipërisë dhe Kukësi nga skuadër debutuese doli nënkampione, këto ishin dy vlerat që dha kjo formulë e këtij kampionati me 16 skuadra, një formulë e cila nuk i shërben cilësisë në kushtet e standardet që ofron futbolli ynë.

 Financat e sezonit

Edhe në këtë sezon kanë qenë “Thembra e Akilit”. Financat e skuadrave asnjëherë nuk kanë mundur të jenë primare në futbollin shqiptar, ndërkohë që me atë çka prodhoi vetë sezoni, disnivelet ishin të dukshme. 50% e këtyre skuadrave ishin të plotësuara dhe të garantuara në vazhdimësinë e sezonit, ndërkohë që 50% të tjerat ishin të lëkundura, çka e reflektuan edhe në paraqitjet e tyre të dobëta. Sepse si pasojë e këtyre financave, mundet që në këtë sezon të zbrisnin një kategori më poshtë edhe 6 apo 7 skuadra, por fati bëri që disa prej tyre të shpëtonin. Ekziston një rregull në FSHF që, klubet janë të detyruar të kenë të ngrira në arkat e tyre fondet që u duhen për çdo sezon. Po kush i ngriu ato? Bashkitë që kanë marrë nën sqetull ndonjë skuadër të qytetit të tyre dhe që japin thërrime me të cilat skuadrat mund të përballojnë merkaton dhe fazën përgatitore, apo disa presidentë të skuadrave që asnjëherë nuk e thanë se do t’i shkonin deri në fund rrugës së gjatë e të vështirë të sezonit, për të mos i lënë në mesin e rrugës skuadrat, futbollistët, trajnerët dhe sportdashësit e tyre. Nuk u publikua ndonjë hata, por vetë situatat financiare në të cilat kaluan disa nga skuadrat në këtë sezon, thotë më hapur se FSHF-ja duhet të jetë më zyrtare dhe e vendosur për sezonin e ri, pasi nuk mund të mendosh se bashkitë që kanë plot probleme e halle të tjera sociale, të kenë barrë edhe futbollin, i cili kërkon shpenzime dhe jo thërrimet e tyre. Ndoshta për sezonin e ri kjo do të jetë pjesa më detyruese në shërbim të vazhdimësisë, mbarëvajtjes e cilësisë së futbollit. Çdo skuadër e Superiores duhet të ketë detyrimisht një president jashtë bashkisë.

 Infrastruktura

Në përgjithësi, në këtë tregues futbolli në Kategorinë Superiore ka një përmirësim të dukshëm me fushat e stadiumet, por duke parë më në detaj, duhet thënë se ato janë shpërdoruar keq nga disa skuadra. Sepse duke mos pasur terrene stërvitore, ato i kanë kthyer stadiumet në “super-kalçeto” edhe pse urdhri nga FSHF-ja është për të hyrë aty vetëm dy herë në javë, në ndeshjen e kontrollit dhe në ndeshjen zyrtare. Kësisoj, në stinën e dimrit në këto fusha mund të luash me baltën dhe pellgjet e ujit, sepse topi është “peng” i tyre. Këtu FSHF-ja e ka bërë “një vesh shurdh e një sy qorr”, çka vetë po e vuan duke i meremetuar apo ndërruar shumë shpesh tapetet e fushave. Këto janë kosto që kanë rrjedhur nga indiferenca zyrtare.

 Gjyqtarët me bil..a

Me gjithë disa elementë dukshëm cilësore, edhe në këtë sezon gjyqtarët u dukën si pjesa më e lëkundur, pse jo edhe të korruptuar, të cilët kanë bërë që mbi futbollit tonë të hidhen shumë dyshime edhe në Evropë. Shpesh gjatë këtij sezoni, edhe me short nuk u përmirësua figura e gjyqtarit në një ndeshje, ndërsa me caktim nga lart duhet menduar se për gjyqtarë të veçantë duhet “hapur llogari rrjedhëse” në bankë. Sa do të vriten xhepat e atyre që do të kenë në dorë financën? Le ta krahasojnë me sezonin e kaluar kur gjyqtarët hidheshin në short dhe le të mendojnë që këtë sezon më shumë u caktuan me “gisht”. Kësisoj, kjo është një dilemë më vete e këtij sezoni që u mbyll, ndërsa për sezonin e ri, ky element ende duket në mes të panjohurave. Për ta analizuar një sezon futbollistik nuk mjaftojnë vetëm këta elementë, sepse janë edhe trajnerët, presidentët e tifozeritë që në çdo moment janë faktorë në këtë futboll, por këto janë më të prekshmit, mes të cilëve duhet të ndërtohet puna në çdo fillim të ri.

RENDITJA

1    Skënderbeu 58

2    Kukësi     52

3    Teuta      48

4    Flamurtari 46

5    Tirana     43

6    Vllaznia   38

7    Laçi       38

8    Kastrioti  34

9    Besa       32

10   Bylis      30

11   Shkumbini  29

12   Tomori     19

13   Luftëtari  19

14   Apolonia   13

Verdiktet

 

Kategoria Superiore

Pas 26 javëve dhe 182 ndeshjeve në total, Kategoria Superiore përcaktoi edhe verdiktet e saj: kampion është Skënderbeu (e fiton për të tretin vit rresht); në Ligën e Europës do të shkojnë Kukësi (debutim historik) si dhe Teuta. Nga kategoria ranë Shkumbini (pas 19 vjetësh pjesëmarrje në elitën e futbollit shqiptar), Luftëtari, Apolonia dhe Tomori.

 Trajneri i Kombëtares i thur elozhet kapitenit. Këshilla e italianit: “Blini Hysajn, është talent”

  Xhani De Biazi: “Lacio zbuloi Lorikun e vërtetë”

 Xhani De Biazi, trajneri aktual i Kombëtares Shqiptare, nuk lë rast pa vlerësuar lojtarët shqiptarë që luajnë në Itali dhe që janë pjesë e Përfaqësueses. Ish-trajner i njohur në Serinë A, ndërmjet të tjerash me Torinon dhe Modenën, ai e njeh mjaft mirë ambientin e futbollit italian, për më tepër që ai është dhe një ndër komenatorët më të vlerësuar në Itali, pasi punon prej disa vitesh për “Mediaset Premium”, kanalin me pagesë të miliarderit Silvio Berluskoni. Fjalët e tij të para për mikrofonat e “lalaziosiamonoi.it” janë të gjitha për teknikun e bardhekaltërve: “Unë mendoj se Petkovic i ka habitur të gjithë. Ai ka dëshmuar se është një trajner i mirë futbolli, mjaft i zgjuar nga pikëpamja taktike, një person që e di se si të marrë më të mirën nga lojtarët e tij.” De Biazi është shprehur me nota vlerësuese edhe për Lorik Canën, i cili është bërë një lojtar thelbësor për Lacion: “Unë mendoj se Petkovic i ka vërejtur karakteristikat e Lorikut dhe në shumicën e sezonit u përpoq për ta aktivizuar në mesfushë, por kur e pa se në mbrojtje mund të merrte rezultate më të mira prej tij, vendosi ta aktivizonte në atë rol. Loriku jeton në Francë dhe unë mendoj se ka një marrëdhënie të mirë me këtë vend, ndoshta në kokën e tij dëshiron ta mbyllë atje karrierën e tij. Unë mendoj se Lacio ka zbuluar një Lorik ndryshe, një lojtar të kualitetit të mirë, që mund të japë shumë për baedhekaltrit”. Sa për qendërmbrojtësin shqiptar të Empolit, Elseid Hysaj, që është lakuar si përforcim i mundshëm i Lacios nga Igli Tare, trajneri i kombëtares së Shqipërisë tha: “Ai është një lojtar me cilësi të mira, me forcë fizike të admirueshme. Ai është një lojtar i datëlindjes 1994, pra shumë i ri, por ka qenë pikë referuese tek Empoli. Unë besoj se, në qoftë se Lacio vendos për ta blerë atë, bën një veprim të mirë, sepse ka perspektivë të madhe. Një koment i fundit edhe për përsa i përket sezonit të Lacios që, do të mbyllet me finalen e Kupës së Italisë kundër Romës. “Lacio, prej disa vitesh, është duke zhvilluar kampionate në nivel të lartë duke korrur edhe kënaqësi të rëndësishme si fitimi i Superkupës apo Kupës së Italisë, besoj se të gjitha këto e bëjnë të vlerësueshme”, – përfundoi De Biazi.