Loreta Kryeziu:Cirku është i drejtpërdrejtë nuk mund të bësh hile

681
Sigal

INTERVISTA/ Flet artistja e Cirkut Kombëtar, Loreta Kryeziu: Në cirk jam futur, duke qeshur dhe pse para disa ditësh më vdiq im shoq

Ajo po mbush 30 vjet në skenë dhe është tepër në formë. Mosha nuk ka ndikuar në profilin e saj si antipod. Elegante, e qeshur, ajo ushtron profesionin me atë pasion që e filloi. Dhe pse i kanë afruar punë të ndryshme, jeta e saj është lidhur me cirkun dhe ajo nuk e tradhton. Problemet e cirkut, si mungesa e bazës materiale etj, kanë ndikuar deri diku në cilësi, por jo në shmangien nga cirku.

 Kur e keni filluar rrugën e bukur të cirkut?

Kam qenë shumë e vogël mund të them se s’i kisha mbushur ende 7 vjeç. Pra në këtë moshë ka bërë numrin tim  të parë sepse si rregull ne ndjekim përgatitjet në studio. Pra që në moshën 7 vjeç deri në 14 vjeç bëja përgatitje në studio, në palestër dhe pastaj kalova si profesioniste. Pra, në këtë vit fillon puna ime e veçantë

 Ke debutuar pra 14 vjeç si profesioniste me çfarë numri jeni paraqitur?

Numri im i parë ka qenë ekuilibër mbi shkallë. Ishte viti 1986. Ky numër ka vështirësitë e veta, ka të veçantat e veta. Pra ky numër i parë quhet ekuilibër.

Si quhet profili juaj?
Profili im që bëj tani në cirk quhet antipod ndryshe nga ai i numrit të parë që quhej antipod.  Numri i parë ka qenë një vlerësues që unë të futesha në punë, pastaj kërkesat erdhën në rritje. Pra për çdo vit unë e kam rritur bagazhin tim artistik, duke bërë gjithmonë numra të rinj. Për 30 vjet në punë unë si mbaj mend numrat që kam venë në skenë.

 Pas 30 vjetësh, si ndiheni. A je lodhur?

Po, kam 30 vjet dhe ndihem tmerrësisht e dashuruar me cirkun, ndihem shumë mirë dhe në formë, pasi po punove sistematikisht cirku të mban në formë. Besoj se, nuk do ta lë asnjë ditë cirkun vetëm n.q.s më le ai mua.

 Në periudhën e monizmit kishit më shumë vlerësim?

Po. Besoj se po. Atëherë cirku vlerësohej, gjithmonë TVSH jepte pjesë nga tonat dhe ne ishim bërë si të shtëpisë me çdo familje shqiptare. Madje, kudo në rrugë ne na përshëndesnin dhe na respektonin. Aq më tepër që atëherë kishte pak institucione të tilla dhe cirku mbushej plot. Në shkollë na shikonin ndryshe, pasi na cilësonin artistë. Ndjeheshim të vlerësuar moralisht dhe pse materialisht ishim si të gjithë, pa ndonjë vlerësim special, pra të varfër si gjithë shqiptarët. Por kishim një farë emri në atë kohë.

 Pra sot janë zbehur këto vlera?

Po. Sot  na njohin shumë pak. Televizionet nuk japin pjesë nga tonat. Pra na bëjnë pak reklamë.

 Po baza materiale si ka qenë në atë kohë?

Në regjimin komunist ka pasur një vlerësim për cirkun. Stafi ishte tre herë më i madh.  Shteti interesohej për çdo gjë sepse kërkesat niseshin me shkrim të detajuara. Mekanikë kishim 3 sot kemi vetëm një, inxhinierin e kanë hequr. Pra jemi shumë të reduktuar. Fonde sidomos për bazë materiale të re nuk ka dhe ngushtohemi me atë bazë që kemi.

 Në cirk a vinin udhëheqës të asaj kohe?

 Po ne jepnim cirk kudo. Edhe në Pallat të Brigadave, ku në raste festash jepnim pjesët më të bukura. Sigurisht në këto raste ishin dhe udhëheqësit.

  Në regjimin monist, ky profesion mos ka qenë i paragjykuar, d.m.th që ju shihnin si femra jo serioze?

Unë s’e kam ndjerë me thënë të drejtën. Po ndoshta s’e kam ndjerë, pasi u martova që 16 vjeçe (qesh). Ndaj s’i kam vënë re këto paragjykime, pasi atëherë kishte prapambetje dhe femra nuk ishte kaq e lirë. Unë u bëra nënë shumë shpejt dhe s’e kam ndjerë këtë ndëshkim të zakoneve prapanike. U bëra me dy vajza dhe punën s’e lija kurrë.

 Po vajzat po ecin në rrugën tënde?

Jo. Asnjëra prej tyre nuk e ka dashuruar cirkun. Ato kanë ndjekur rrugë tjetër.

 Po burri nuk ishte xheloz?

S’e di. Mua s’më ka lënë shenja të tilla kurrë, madje e kishte kënaqësi që unë isha në cirk, e quante profesion të privilegjuar, të veçantë. Im shoq ka punuar këtu shofer, por edhe kur u largua nga cirku ai e dinte dashurinë time për cirkun ndaj s’më ka lënë kurrë të kuptoja se ishte xheloz. Madje, më thoshte (pasi kishim rroga të vogla) të jap rrogën unë vetëm ik nga cirku. Ndërsa unë me të qeshur i thoja, ty të lë po nga cirku nuk iki. Ai qeshte.

 Në regjimin komunist cirku mbushej plot?

Po ka shumë arsye që mbushej plot. Atëherë mënyra e argëtimit të fëmijëve ishte e vogël. Sot janë shumë kënde lojërash, celulari, televizioni shumëkanalësh, interneti, pishina, etj..

Megjithatë, cilën veçon nga këto lojëra?

Sigurisht. Në cirk çdo gjë është live, është e drejtpërdrejtë, është afër me spektatorin, madje ngjitur. Ashtu sikundër edhe gabimi është i dukshëm. Në këtë rast edhe gabimi ka bukurinë e vet. Nuk është Play back.

 Cirku ka shumë vështirësi, do elasticitet në trup, stërvitje punë…

Mëse e vërtetë. Pa punë s’të ndihmon askush. Këtu nuk hynë miku. Vetëm  për një numër shumë herë punohet një vit. Por mos harro se kam 30 vjet bagazh, eksperiencë dhe dua të them që nuk mund ta ndaj numri nga numri për nga koha e punës, për nga mënyra e stërvitjes, përkushtimit.

 Kur je ndjerë keq në profesion?

Disa herë jam detyruar të qesh, apo të jem e qeshur, kur nuk kam dashur të qesh, apo s’kam dashur të dal fare në skenë. P.sh, kur kam humbur tim shoq pas dy ditësh unë duhej të dilja në skenë. Isha e detyruar pasi nuk plotësohej numri dhe shfaqja dështonte. Pra zemra skam dashur të qesh atë ditë, por spektatori s’do t’ja dijë çfarë të shqetëson ty. Këtë ka arti, këtë ka puna jonë.

 A  ke menduar të ikësh nga cirku në ndonjë vend tjetër, apo në një punë tjetër të përafërt?

Më kanë propozuar shumë punë të tjera, si instruktore palestrash, më kanë ofruar të bëj aerobinë, më kanë kërkuar të jem pedagoge në Institutin e Fizkulturës, por cirkun nuk e lë. Madje, me pagesë shumë më të mirë. Por tani që kaluam nga cirk më i thjeshtë në Cirk Kombëtar mbase do realizohen dhe ëndrrat tona. Tani rrogat janë disi më të mira. Por mbi të gjitha është cirku, arti, jo paraja.

 Kush janë problemet e cirkut sot?

I pari  është se duhet të dali statusi i artistit pasi kemi shumë vjet pune dhe s’dimë se çdo bëjmë. Ne duhet t’ua lemë rrugën të rinjve, por duhet dhe të vlerësohemi, pasi kemi mbi 30 vjet punë. Ne s’do dalim 60 vjeç në pension. Tjetër është se kemi vegla të amortizuara, ashtu sikundër duhen vegla dhe materiale të reja. Problemet s’mbarojnë kurrë.

 Cirku jonë a konkurron me ato europiane?

Po. Madje në shumë konkurse ne kemi zënë vende.  Fiqiri Luli dhe Sabrina Troshku zunë një vend në Francë me numër special. Por dhe në karnavalet në Kroaci ne kemi zënë gjithmonë vende.

 Ke ndonjë peng si artiste cirku?

Të shoh vetëm njëherë Cirkun e Diellit në SHBA. Atje mblidhen gjithë artistët më të mirë të botës, ku në përbërje ka 300 artistë. Bileta kushton 100 paund, kur shfaqet në Angli.

 Kush janë artistët më të mirë të cirkut të Tiranës, në gjithë historinë e tij?

I pari Telat Agolli, Arjan Miluka, Josif Mato, Bashkim Karanxha, Ana Dumi, Kujtim Dumi deri tek pedagogët e mi Fatmir Peza, Thimi Mitko, Fatos Alla, ku veçoj dhe zyshën time Vitore Sallaku.

Jeni të paragjykuara sot dhe si është miqësia në cirk?

Ne tashmë në demokraci as që i çojmë në mend paragjykimet. Shoqëria s’është më e prapambetur.