Laçi krenon Shqipërinë, Teuta, Vllaznia dhe Partizani nuk dinë si të gjejnë rrugën e rrjetës

376
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ditën e djeshme Teuta, Laçi, Vllaznia dhe Partizani zhvilluan ndeshjet e para të raundit të dytë kualifikues të turneut më të ri Evropian, “Uefa Conference League”, ndeshje të cilat sollën rezultate tepër surprizuese, siç ishin humbja në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit e Teutës ndaj modestëve të Andorrës dhe fitorja spektakolare e Laçit, në “Elbasan Arena” ndaj skuadrës së Krajovës.

Teuta 0-2 Inter D’Escaldes

Pas eleminimit të shpejtë nga kampionët e Moldavisë, Sherif Tiraspol, nga kualifikueset e “Uefa Champions League”, skuadra e Teutës ka zhgënjyer sërish kësaj rradhe duke u mundur me rezultatin 0 me 2 brënda në “shtëpinë” e tyre, ndaj një skuadre si andorrasit e Inter D’Eskaldes. Skuadra e Edi Martinit e nisi me shpejtësi ndeshjen, por humbën disa raste të mira për shënim. Pikërisht nga këto momente sulmi të “durrsakëve” përfituan dhe andorrasit ku në minutën e 35’ pas një kundërsulmi, Sol de Vila kaloi në avantazh të tijët me gjuajtjen e parë në portë.

Me startin e pjesës së dytë, “djemtë e detit” u hodhën në sulm furishëm në kërkim të golit të barazimit, por një gabim trashanik në mbrojtje nga ana e Hoxhës dhe kapitenit Arapi, i dha mjaftueshëm hapësirë andorrasve ku në minutën e 55’, të sfidës do të ishte sërish Sol de Vila ai që do të tundte rrjetën durrsake. Një humbje “tragjike” kjo për kampionët në fuqi të Shqipërisë, të cilët u dukën favoritë para fillimit të ndeshjes, por zhgënjyen me lojën e zhvilluar përballë një kundërshtari më të dobët se ta.

AEL Limassol 1-0 Vllaznia

Shkodranët e Vllaznisë nuk arritën më shumë se një humbje minimale 1 me 0 ndaj një kundërshtari tepër të fortë për ta, si qipriotët e AEL Limasol. “Kuqeblutë” e Shkodrës, të drejtuar nga tekniku Brdariç, bënë një ndeshje tepër të kujdesshme në mbrojtje përballë vendasve të Limasolit, duke arritur të pësonin vetëm një gol atë në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, të shënuar nga Çepoviç, gol i cili erdhi nga një aksion i bukur ekipor dhe nga një distancë e shkurtër nga porta e Zogoviç, sulmuesi i Limasolit nuk gaboi duke tundur rrjetën e shkodranëve.

Për këtë rezultat Vllaznia duhet t’i falet dhe portierit të tyre, Zogoviç, i cili zhvilloi një ndeshje fantastike duke i mohuar disa herë golin qipriotëve dhe duke lënë të hapur llogaritë e kualifikimit për në raundin tjetër. Në minutat e fundit të ndeshjes, rezultati mund të ndryshonte, por Kruja, me një gjuajtje të dobët me kokë nuk arriti dot të dërgonte sferën në rrjetë dhe të vendoste barazpeshën. Gjithësesi, shkodranët kanë treguar se në “Loro Boriçi” mund të bëjne mrekulli, fakt ky që lë të hapur llogaritë e kualifikimit për në raundin tjetër kualifikues të “Ligës së Konferencave”.

Laçi 1-0 Universitatea Craiova

Kurbinasit të udhëhequr nga tekniku Shpëtim Duro, zhvilluan një ndeshje fantastike pasditen e kaluar duke arritur të fitonin me rezultatin 1 me 0, një përballje të vështirë ndaj rumunëve të Krajovës. Të parët që u hodhën në sulm ishin rumunët, por që nuk arritën dot të gjenin rrugën e rrjetës pas rasteve të shpërdoruara. Në minutën e 35’, pas një aksionin të bukur të stilit tiki-taka, Lushkja servir një pasim të artë për Zarubicën, i cili me portën e boshatisur nuk gaboi dhe tronditi rrjetën e rumunëve. Me startin e pjesës së dytë rumunët u hodhën menjëherë në sulm në kërkim të golit të barazimit, por “bardhezinjtë” e Duros ishin vendosur mirë në mbrojtje duke mos lejuar pësimin e një goli.

Në minutën e 78’, lojtarët e Laçit pretenduan dhe për një penalltin pas rrëzimit të Guindos në zonë, por arbitri nuk mendoi njësoj dhe nuk mori asnjë vendim duke e lënë rezultatin e pandryshuar. Tashmë, skuadra e Duros duhet të bëhet gati për transfertën e vëshitrë, që i pret në Rumani dhe pse jo të shpresojë për një rezultat pozitiv, i cili do t’i dërgonte në raundin e tretë të kualifikuesve, të “Uefa Conference League”, ku përballë do të kenë gjigandët belg të Anderlehtit.

Basel 3-0 Partizani

Gjigandët zvicerian të Bazelit kanë shpërfytyruar mbrëmjen e djeshme, “demat e kuq” të Ilir Dajës, me rezultatin 3 me 0, në sfidën e parë të vlefshme për raundin e dytë të kualifikuese të turneut më të ri në Evropë, “Liga e Konferencave”. Që në minutat e para të sfidës, zvicerianët morën në dorë lojën duke sulmuar vazhdimisht portën e të kuqve, por pa arritur do të shënonin. Do të duhej të vinte minuta e 43’ e sfidës, ku pas një rrëmuje në zonë Stoker gjendet i pamarkuar dhe me një goditje me kokë kalon në avantazh të tijët.

Më startin e pjesës së dytë, zvicerianët nuk vonuan dhe dyshifuan rezultatin në minutën e 52’ falë një roveshate tepër të bukur të Artur, e cila shtangu portierin Hoxha. Për të vulosur rezultatin përfundimtar 3 me 0, mendoi sërish Stoker, i cili në minutën e 80’ shënoi sërish duke arritur të realizonte dhe një dopietë personale. Nga ana tjetër edhe të kuqtë patën rastet e tyre, për shënim me Carën dhe Zhunior, por nuk mundën dot të finalizonin siç duhej. Në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet në Tiranë javës tjetër, zvicerianët e Bazelit do të luajnë thjesht për formalitet pas duket qartazi tashmë, që janë të kualifikuar për në raundin tjetër.